Nga përpjekjet që në 2007-n që Shqipëria të përfitonte kuotën e lejuar nga ICCAT për zënien e peshkut ton në detin Mesdhe, negociatat në 2023 për shtimin e kuotës pas tkurrjes deri te ngritja e fermës për trajtimin e peshkut, Gjergj Luca, drejtuesi i kompanisë së import -eksportit Rozafa sh.p.k. thotë për “Monitor” përballjen e sfidave për eksportin e peshkut drejt markatave të produkteve të freskëta, ku ofrohet çmim i lartë.
Ai vlerëson se ardhmja e produkteve të detit do të jetë eksporti i peshkut ton të freskët. Në SHBA, nëpërmjet përdorimit të transportit cargo ajror, kompania arrin ta çojë produktin e freskët për të cilin kërkohet çmim më i lartë sesa nëse do të shitej i ngrirë për tregun japonez.
Përdorimi i rrugëve të reja të transportit po i japin mundësinë kompanisë “Rozafa” që shumë shpejt të aksesojë edhe tregun në Kanada dhe Kinë, me qëllim rritjen e fitimeve dhe investimeve në teknologji bashkëkohore për flotën e peshkimit.
Si ka nisur historia e zënies dhe trajtimit në fermë të peshkut ton që pas eksportohet në tregjet e huaja?
Historia ime për investimin e peshkut ton është një përpjekje e nisur që në 2007-n, për përfitimin e kuotave, në mbledhjet e Komisionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Peshkut Ton të Atlantikut (ICCAT) në Marrakesh.
Pas shumë përpjekjesh dhe negociatash, Shqipërisë fillimisht iu lejua kuota e zënies në sasinë e 60 tonëve.
Sasia për zënien e peshkut ton në Shqipëri dhe shtetet e tjera administrohet nga ICCAT, një organizatë peshkimi ndërqeveritare përgjegjëse për ruajtjen e peshkut ton dhe specieve të ngjashme me tonin në Oqeanin Atlantik dhe detet ngjitur me të.
Gjithashtu, kjo organizatë peshkimi monitoron edhe tregtimin e peshkut ton nga markatat e Europës deri tek ato të largëta të Azisë.
Në vitin 2013, kuota për zënien e peshkut ton u reduktua, duke arritur në 26 tonë, teksa pritej që të arrinte në sasinë e 250 tonëve. Kjo erdhi për shkak të politikës së asaj kohe, e prirë për të asgjësuar çdo gjë që mund të rritet dhe zhvillohet.
Niveli i kuotave është i kufizuar nga ICCAT, me qëllim ruajtjen e species. Kuotat e 2013-s nuk të mundësonin ngritjen e një ferme. Një fermë nuk mund të menaxhohet dhe nuk është e leverdishme, nëse limiti minimal i zënies së peshkut nuk arrin deri në 250 tonë në vit.
Rrugëtimi vijoi sërish me diskutime, negociata dhe përpjekje për rritjen e kuotave në mbledhjet e ICCAT. Në vitin 2013, pas një ulërime timen drejtuar autoriteteve shtetërore, filluan të mendonin seriozisht për historinë e zhvillimit të industrisë blu në tërësi, por edhe të peshkut ton, si një nga degëzimet apo faktorët më të rëndësishëm të saj.
Përveç lobimeve në të gjitha mbledhjet që zhvilloheshin nga ICCAT iu kërkua institucioneve shqiptare përshtatja e legjislacionit me atë të BE-së.
Një ndër hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga qeveria ishte edhe reforma e naftës për peshkimin, që na mundësoi ballafaqimin me tregjet europiane.
Sot, kuota e zënies së peshkut ton është 272 tonë/vit. Ndërsa kuota e lejuar e shitjes, pas trajtimit në zënie për të arritur nivelin e kërkuar të yndyrës është 400 deri 500 tonë/vit.
Po ashtu kemi të drejtë të blejmë kuotë nga të gjitha vendet e Mesdheut dhe të punojmë joint venture me vendet e treta, jo me vendet europiane. Mund ta rrisim kuotën duke blerë peshkun nga shtete të tjera.
Të gjithë këto përpjekje nuk ishin vetëm në vazhdën e betejave për përfitimin e Shqipërisë së kuotës së zënies, rritjes së saj dhe trajtimit të peshkut në fermë për rritjen e yndyrës dhe eksportin drejt tregjeve të huaja, por edhe për shkak të zhvillimit që kjo industri i jep sektorit të turizmit. Tashmë rezultatet janë të dukshme.
Peshku ton është qershia mbi tortë e gjithë specieve detare, është havjari në mbarë botën, në tavolinat ku shërbehen produktet e freskëta të peshkut.
Ne ia kemi dalë me sukses ta çojmë peshkun ton deri te konsumatori final jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në ato të huaja.
Sa kanë kushtuar investimet për flotën e anijeve për zënien e peshkut ton dhe ngritja e fermës për rritjen e tij?
Në vitin 2023, në flotën e anijeve të kompanisë “Rozafa” kishte vetëm 1 anije për kapjen e peshkut ton. Sot kemi një flotë prej 5 anijesh.
Periudha për zënien e peshkut ton në ujërat e Detit Mesdhe, përfshirë brigjet e Maltës dhe Afrikës Veriore, bregdeti i Tunizisë, Algjerisë dhe Libisë, janë nga data 25 maj deri më 26 qershor.
Në këto brigje gjatë kësaj periudhe janë mbi 300 anije, si: turke, franceze, italiane etj., të cilat synojnë të gjithë për të peshkuar kuotën e tyre. Ne kemi pasur fatin që kemi zhvilluar vitet e fundit zënien e kuotës së peshkut me parametra të fortë teknologjikë.
Për të dytin vit radhazi, flamuri shqiptar e zë i pari tonin në Mesdhe. Kjo është një arritje shumë e madhe, por nuk e përmend asnjë nga këta që bëjnë çdo ditë promovime të politikës.
Ky është promovim shumë i madh i flamurit shqiptar në Mesdhe. Është turp që kjo gjë kalon pa u ndier!
Tonazhi i anijes më të vogël të flotës së kompanisë “Rozafa” është 300 tonë, ndërsa tonazhi maksimal arrin deri në 750 – 800 tonë. Nga kapaciteti i anijeve kuptohet fare mirë rëndësia që i kemi kushtuar kësaj veprimtarie.
Investimet në elektronikë për çdo anije kalojnë vlerën e 500 mijë eurove, ndërsa tek anijet që bëjnë rrethimet kalojnë vlerën e 1,2 – 1,3 milionë euro.
Pra janë fjala e fundit e teknologjisë. Ne përballemi në një muaj luftë në beteja investimesh dhe teknologjie me sipërmarrësit europianë, por askush nuk e vret mendjen të paktën të thotë që kjo është një krenari jashtëzakonisht e madhe për vendin, ta promovojnë dhe ta rrisin.
Jemi të parët që kemi investuar në teknologji për të mundësuar komunikimin me stafin në çdo vend të globit.
Po ashtu të parët që kemi blerë anijen “Mozbi”, krenarinë e Norvegjisë. Kjo është anije kërkimesh, rreth 50 metra. Është një nga anijet lider në të gjithë botën. Është marrë nga Norvegjia dhe ka qenë një anije që i ka rënë dy herë të gjithë rruzullit tokësor me shkencëtarë.
Kjo anije ka qenë një nga anijet krenari të Norvegjisë, është anije dhe akullthyese. Peshon rreth 700 tonë. Kjo merret me të gjithë kërkimet shkencore të gjithë fundit të detit, të gjithë oqeanit. Është më e mira në botë për kërkime.
Pra nuk bëjmë vetëm peshkim, por edhe kërkime dhe ekologji. Të gjitha të dhënat e mbledhura në brigjet e Shqipërisë që rezervat e specieve, zënia e tyre etj., ia janë dërguar Ministrisë së Bujqësisë. Tashmë anija do të niset për kërkime edhe drejt Oqeanit Indian.
Vetëm për peshkun ton, shuma e investuar arrin mbi 40 milionë euro, përfshirë anijet, ngritja e fermës, vlera e tonit.
Në cilat tregje po eksportohet peshku ton i trajtuar në fermën shqiptare, pas zënies në ujërat e Detit Mesdhe?
Çmimi i peshkut ton ka kapërcimet më të çuditshme në bursë, pasi çmimi i vendoset pas matjes së yndyrës. Për secilin peshk, çmimi përcaktohet më vete.
Për rrjedhojë, peshku eksportohet në tregun e shumicës sipas çmimit të shitjes së përcaktuar në Europë. Para dy vitesh, çmimi i shitjes së peshkut ton në bursë varionte nga 19 deri 21 euro/kg.
Me këtë çmim, peshku blihej nga anijet që vinin në fermë që më pas e ngrinin peshkun në temperaturën -85 gradë C, për ta çuar drejt tregjeve japoneze.
Vjet dhe sivjet, çmimi në bursë arriti deri 6,8 euro/kg. Pas zënies, peshku duhet të ushqehet në ditë me peshk të freskët në sasi sa 10% e masës trupore, me qëllim shtimin e yndyrës. Pasi nëse nuk ka yndyrën e duhur, nuk arrihet çmimi. Dhe për këtë trajtohet në kosha 3 deri 4 muaj për të rritur yndyrën.
Markata tjetër e shitjes është ajo e produkteve të freskëta. Është shumë herë më aktive dhe ka më tepër luhatje në çmim. Kjo lloj markate është më tepër e fortë në vendet e zhvilluara, si SHBA, Kanada, vendet arabe, Londër, Barcelonë, Madrid, Milano.
Çdo ditë po shtohet nga vendet e pasura kërkesa për peshkun ton. Ne po bëjmë një kapërcim, duke u munduar të gjejmë sa më shumë klientë potencialë te këta tregje, kryesisht në SHBA. Po tentojmë Kanadanë dhe Kinën, ku kërkesa ka pasur rritje të fortë.
Jemi klientë fiks të kompanisë “Mitsubishi”, lider për peshkun ton që kontrollon më tepër se 50% të tregjeve, ndërsa pjesa tjetër e eksportit është në treg të lirë që luftojmë me njëri-tjetrin në cilësi dhe çmim.
Si transportohet peshku ton drejt tregjeve të huaja?
E ardhmja e eksporteve të produkteve të freskëta të detit do të jetë peshku ton. Për këtë arsye kemi filluar eksportin e peshkut drejt tregjeve amerikane nëpërmjet transportit me avion.
Çmimi i shitjes së produkteve të detit në tregun e freskët ka diferencë të madhe nëse ato tregtohen të ngrira. Ne kemi zgjedhur të bëjmë transportin me avion, pasi përfitimi është më i lartë kur peshku tregtohet i freskët, sesa kur e marrin të ngrirë sipërmarrës nga Japonia, pasi e kemi çuar në fermat e Detit Mesdhe, pavarësisht se kostot janë më të larta se me tjetër transport.
Për ta transportuar peshkun ton me avion ndiqet në mënyrë rigoroze një protokoll i caktuar, me qëllim mbajtjen e freskët të këtij produkti delikat.
Ambalazhimi ka kosto të lartë, pasi për çdo 1 kg peshk që transportohet duhet të hidhet 1 kg akull dhe tarifat e transportit ajror janë me peshë.
Po ashtu peshku përpunohet para se të transportohet, duke qëndruar 10 orë në ujë me akull. Me tej, para se të vendoset në arkë, izolohet me letër alumini dhe qese, pasi akulli që mbulon peshkun, nuk duhet ta prekë direkt në lëkurë, pasi do të dëmtohej.
Tashmë rrugët e reja të transportit të peshkut që ne po testojmë, po na japin mundësinë për të gjetur tregje të reja, për të mos mbetur vetëm peng i një tregu, me qëllim rritjen e fitimeve dhe investimeve në teknologji bashkëkohore.
Zgjerimi i tregjeve për eksport gjithashtu do të arrijë të amortizojë humbjet e vitit të kaluar, në vlerën e 6.5 milionë eurove, nga rënia e çmimit të shitjes në bursë.
Por duhet thënë se, me qëllim përmirësimin e tyre, kushtet në Aeroportin e Rinasit për transportin cargo janë të tmerrshme. Është e shumë e rëndësishme të investohet për të, sepse ky transport po i jep një impuls zhvillimi eksportit të produkteve të freskëta të peshkut.
Kërkesa për eksport të peshkut të specieve të ndryshme është e lartë në tregjet e huaja. Kërkesa e lartë mundëson të përballojmë tarifat e transportit cargo, edhe pse janë më të shtrenjta llojet e tjera të transportit.
Por kryerja e investimeve për përmirësimin e kushteve të transportit cargo ajror është urgjente. Mungojnë frigoriferët për vendosjen e arkave me peshk.
Në opinionin tuaj a ka hapësira për rritje potenciali për sektorin e akuakulturës dhe çfarë duhet të bëhet nga shteti?
Potencialet për zhvillimin e këtij sektori janë jashtëzakonisht të mëdha. Nga shteti shqiptar duhet të ndryshojë mentaliteti për zhvillimin e modelit ekonomik.
Prodhimi i Brendshme Bruto matet me prodhim dhe jo sesa turistë hyjnë. Nëse nuk kuptohet që duhet dhënë më shumë rëndësi industrisë, prodhimit dhe eksporteve, ekonomia do të jetë e destinuar të përkeqësohet.
Duhet të rrisin kapacitetet eksportuese. Ata rriten nëse sipërmarrësit dëgjohen për problemet që kanë, që nga zhvlerësimi i Euros etj.
Prodhimi është pjesa më vitale e një shoqërie dhe askush nuk i kthen sytë nga prodhuesit. Vendi nuk mbahet nga spekulantët, por nga prodhimi, për të ndryshuar atmosferën e këtij vendi.