Për gazetaren Rudina Xhunga, rolin kryesor për largimin e shqiptarëve nga vendi, përveç politikës, e luan media dhe se kjo gjë nuk është e rastësishme, por e qëllimshme.
E ftuar në emisionin “Arnautistan” Xhunga tha se kjo “dëshirë” për të larguar njerëzit nuk dëmton Ramën dhe Berishën, por vetë njeriun që ikën, që nëse kthehet, do e gjeje të zënë, gjithë çfarë kishte më parë.
“Përveç politikës rolin kryesor për largimin e shqiptarëve e luan media, mendoj se e bën me qëllim nuk është e rastësishme. Si për turizmin që në prag të sezonit dalin një lumë faturash, nga ato që tregojnë sa i shtrenjtë është turizmi dhe sa i keq.
Shqipëria ne media tregohet në ditën më të keqe shihet me gotën bosh, me kriminelë që vriten rrugës, drama, tragjedi, korrupsion, një vend të pajetueshëm.
Fjala e keqe, tregimi i keq, të përzë. Po keq për ne. Nuk do bëhet më mirë po të ikin të gjithë. Dhe keq për ta.
Kur të kthehen nuk do të ketë më vend, do ta kenë zënë vendin e qiellit dhe të diellit. Dëshira për t’i larguar njerëzit nga ky vend nuk do të dëmtojë Ramën apo Berishën, por individin që po ikën dhe kur të kthehet, nëse mund të kthehet nuk mund të ketë më vend, do të jetë vend i zënë.
Unë kam ikur nga Vlora fëmijë dhe kur kthehem e shoh qe vendi im i kujtimeve dhe shtëpia ime e fëmijërisë, është e zënë”, tha ajo.