Nga Edmond Arizaj
Possidi Cape, është një “gadishull” i vogël, i aksesueshëm kollaj, me pamje të mahnitshme dhe lojëra dallgësh përgjatë 20 e ca minutave ecje, derisa mbërrin në majë, ku mahnitja kthehet në mrekulli që mbledh me qindra e mijëra njerëz. Nuk ka bare, nuk ka restorante, nuk ka gardhe, nuk ka mure, nuk ka parkingje me para, nuk ka kokëqoshe që vijnë të kërkojnë taksë Dielli, rëre e deti, nuk ka pronar që të vë drunë se shkele në plazhin që ia ka lënë pronë gjyshi-bari nga malet…Kur e sheh dhe e risheh, Possidi Cape, ashtu lisho, si femër lakuriq që përkëdhelet e mbështillet me valë deti, më mizërojnë në kokë ca epitete përbuzëse për këta grekët pa mend e më ndizet krenaria për zotësinë e gjakut tim:
1.Grekët qenkan kaq budallenj sa i lënë plazhet më të bukura pa rrethime me tela, pa beton dhe pa shezlongë 50 euro!
2. Në Greqi janë kaq të paaftë sa nuk ka ndonjë oligark të zbulojë se “rëra është aset strategjik”!
3. Grekët janë arkaikë, ende si në kohën e Spartës, atëherë po, ishte normale të ecje 20 minuta buzë detit pa dëgjuar “më jep çik lekët e çadrës”!
4. Grekë qesharakë, ku janë pallatet turistike të “shokëve ndërtues” ngjitur me rërën me leje të përkohshme deri në 2090?
5. Grekët janë komunistë, lejojnë që rërën dhe ujin e detit ta prekun të gjithë njësoj, edhe pensionisti, edhe i varfri, edhe turisti, edhe influencerja, edhe fëmijët pa karrocë Bently! Çudi!
6. Shteti grek është tamam i paaftë, nuk shpall çdo pëllëmbë bregdeti “zonë zhvillimi”! Le kjo, po nuk jep për qamet një ishull për interesa strategjike, dhe ka me mijëra të tillë.
7. Imagjino, janë aq të mjerë intelektualisht grekët sa nuk u shkon mendja të bëjnë ndonjë projekt 3D për plazhet ku çdo gur të ketë çmim, e çdo hije edhe bythë pishave, të ketë tarifë, e paratë t’i mbledhin qehajallarët e detit.
8. Grekët në fakt na janë dukur të zgjuar, por janë shumë naivë, mendojnë se natyra është për t’u shijuar e jo për t’u privatizuar me VKM, apo dhënë me qera me “pika të voçkla” sa herë i ngrihet njërit e tjetrës.
9. Sa qesharakë janë grekët! Në mijëra plazhe s’ka fare shërbim rojesh që të ndalojë njerëzit të hyjnë falas, të parkojnë falas, a të ngulin çadrën për qef të tyre. Normalisht kush e di sa miliona euro shkojnë dëm se nuk mblidhen në pak duar.
10. Vetë grekët si qytetarë janë shumë injorantë; ata nuk e kuptojnë që plazhet publikë, siç këmbëngulin e shpesh protestojnë t’i kenë, i heqin shtetit mundësinë për tendera, konçensione, afrim investitorësh strategjikë të brendshëm e të jashtëm.
11. Po ta mendosh thellë, janë pak eksiq nga trutë grekët që ende nuk e kuptojnë se është më mirë një resort i mbyllur për VIP-a, me shërbime luksi, se sa 5 mijë njerëz që plazhiten secili për hesap të vetë. Rregulli mbi të gjitha. Po ku kuptojnë grekët e trashë!
12. Madje janë kaq të trashë sa vazhdojnë ta lënë tokën publike…publike.
13. Nuk e di si vallë e marrin grekët informacionin, kur ende nuk kanë dëgjuar shprehjen madhështore të fqinjit të tyre dikur varfanjak: Gjithçka për turizmin elitar.
14. Nuk thonë kot disa heronj tanët të rrjeteve sociale, grekët janë ende në majë të pemëve nga evoluimi, ata ende janë në stadin ku njeriu vlen më shumë se fitimi!
15.Sa mend kanë grekët duket nga kryeministri i tyre; në vend të publikojë përditë foto me çadrat hapur në plazhe të ndryshme të vendit, si i ka hije kryemenaxherit të resortit, vete publikon trapllëqe si tre superprojekte investimi, financim nga BE për programe sociale, etj budallëqe të tilla që s’i hyjnë kujt në xhep.
Eh të marrsha të keqen e shqiptarëve, që greku mutit s’na vjen as tek gishti këmbës për atdhedashuri! Jemi pellazgë të vërtetë!