0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Sa më shtrenjtë po na kushton jetesa, krahasuar me një vit më parë

    Rritja e çmimeve në vend nuk duket se ka të ndalur, një tendencë në fakt kjo e konstatuar në gjithë globin.

    Nga fillimi i shkurtit, çmimet e karburanteve u rritën sërish edhe me 8 lekë për litër, duke arritur nivele rekord, teksa po i afrohen 200 lekëve për litër.

    Dhe jo vetëm karburantet. Në muajt e fundit të vitit 2021 dhe fillim të 2022, familjet shqiptare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. Në dhjetor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte bazë mallrash, arriti në nivelin më të lartë të dekadës prej 3.7%, që do të thotë që çmimet e produkteve që konsumon një familje në një muaj janë mesatarisht 3.7% më shtrenjtë.

    Grafiku i ndryshimeve vjetore të Indeksit të Çmimeve të Konsumit, sipas grupeve e nëngrupeve kryesore (shiko në fund) tregon se shtrenjtimi i çmimeve për pjesën më të madhe të produkteve në dhjetor 2021 ishte shumë më i lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

    P.sh., buka dhe drithërat kushtojnë 6.3% më shtrenjtë, pasi çmimi i një buke nga 80 lekë u bë 90 lekë.

    Mishi kushton 3.3% më shtrenjtë. Një kg mish kushton 900 lekë, nga 800-850 lekë që shitej m ëparë.

    Frutat i blejmë 11.3% më shumë, zarzavatet dhe patatet janë 11.7% më të shtrenjta. 3.8% m♪ të shtrenjta ishin dhe Qumështi, djathi dhe veza.

    Edhe në kafe e restorante paguajmë 3.5% më shumë.

    Shtrenjtim të ndjeshëm kanë shënuar “Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit” (+13.6%), “Transporti” (+9%), “Vajra dhe yndyra” (+9.4%), “Sheqer, reçel, mjaltë, shurup, çokollata, dhe ëmbëlsira” (+5.6%). Më shumë duhet të paguash edhe për komunikimin (+3.3%). Edhe për argëtim e kulturë duhet të paguajmë 4.2% më shumë.

    Më lirë se një vit më parë janë vetëm “Këpucët për burra” (-0.9%), “Pajisje gatimi” (-1.9%), “Blerje mjetesh transporti” (-2.3%), “Ngrohës dhe kondicionerë” (-1.8%).

    Nga 63 grupe dhe nëngrupe që raporton INSTAT, vetëm për 6 prej tyre është shënuar rënie çmimesh, për dy nuk ka ndryshuar, ndërsa 87% e tyre janë bërë më të shtrenjta.

    Shpenzimet mujore të një familjeje rriten me rreth 3 mijë lekë në muaj, vetëm nga inflacioni

    Sipas anketës së buxhetit të familjes të INSTAT, një familje mesatare në vend me 3.6 persona shpenzonte në muaj 83.5 mijë lekë (e dhëna për vitin 2020), nga të cilat rreth 42% shkojnë për ushqime e pije joalkoolike.

    Vetëm në dhjetor 2021, kur inflacioni u rrit me 3.7%, një familje ka shpenzuar rreth 3 mijë lekë më shumë për të blerë produktet dhe siguruar shpenzimet e nevojshme të muajit.

    Në fund të tremujorit të tretë, sipas INSTAT, paga mesatare mujore për një të punësuar ishte 56.4 mijë lekë, me një rritje prej 2.7% në krahasim me fundin e 2020-s. Me inflacionin mesatar që në 2021 ishte rreth 2% (rritja e fortë e çmimeve filloi në gjysmën e dytë të vitit), paga reale është rritur vetëm me 0.7%. Nëse shtrenjtimi i çmimeve vazhdon me këto ritme, rritja e pagës reale mund të rezultojë negative, duke çuar në frenimin e konsumit.

    Rritja e çmimeve nuk po ndalet as në Europë, transmetim edhe në Shqipëri

    Inflacioni në zonën euro vlerësohet të ketë arritur në 5.1% në janar 2022, nga 5% që ishte në dhjetor 2021, sipas vlerësimeve paraprake që ka bërë Eurostat, (Instituti i Statistikave të Europës), i ndikuar nga çmimet e energjisë.

    Sipas Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e inflacionit ndikohet nga çmimet e importuara, ndaj një rritje e tyre në Eurozonë, ku bëjnë pjesë partnerët kryesorë të vendit pritet të vijojë ta ndikojë negativisht edhe Shqipërinë.

    Edhe faktorë të brendshëm pritet të vijojnë të ndikojnë negativisht, si rritja e kostove të prodhimeve bujqësore nga ngricat dhe ndryshimet fiskale. Në peshën e shpenzimeve, ushqimet dhe pijet në vend zënë rreth 42% të totalit (më e larta në Europë, që e ka mesataren rreth 13%), ndaj shtrenjtimi i ushqimeve ka ndikim të lartë në inflacion.

    Ndonëse çmimet e energjisë për konsumatorin final nuk janë rritur, shtrenjtimi i energjisë për rreth 7400 biznese që duhet të dalin në tregun e liberalizuar ka filluar që në janar, kur këto subjekte do e blejnë energjinë pothuajse dyfish, çka mund të transmetohet te kosto e produkteve të tyre.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit