Ben Blushi, i ftuar së fundmi në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ka folur jo vetëm për romanin e tij më të ri “Jam Mysliman”, por edhe për rritjen e dukshme të interesit të të rinjve për fenë, një fenomen që sipas tij lidhet drejtpërdrejt me boshllëqet sociale dhe ekonomike të shoqërisë së sotme.
Përballë Arabana Osmani, Blushi shpjegoi se gjatë viteve të fundit ka vënë re një ndryshim të qartë te brezat e rinj dhe se si vajza dhe djem të moshave 20-22 vjeç po tregojnë një prirje më të madhe drejt besimit.
Ndryshe nga sa mund të mendohet, kjo sipas tij nuk lidhet vetëm me bindje të thella shpirtërore, por sipas tij është pasojë e një vakumi të theksuar identiteti e cila vjen për shkak të probleme dhe vështirësive të shumta, duke filluar nga varfëria, rrogat e ulëta, pasiguria në punë, dështimi i familjes dhe pamundësia për të ndërtuar një të ardhme të sigurt.
“Unë mendoj se ka një tendencë në brezat e rinj sidomos, unë shoh që, përshembull vajza 20-vjeç, djem 22-vjeç janë besimtarë më shumë se gjyshërit e tyre para 70-80 vitesh. Nuk më bezdis kjo përderisa ata vishen modernë, vishen normalisht, hanë nuk ka problem. E shoh si një vakum identiteti. Sepse kjo është e rëndësishme ta them.
Pra, ka shumë vajza dhe djem të rinj që janë pak bosh sot, është kohë e vështirë kjo që po jetojmë. Të ishte i varfër para 40 vitesh në Shqipëri nuk kishte problem, ishim të varfër të gjithë. Të jesh i varfër sot, të vish nga provinca mos gjesh një punë, të kesh një dramë familjare, siç kanë shumë familje nga varfëria, mos kesh shpi të mirë, një punë të mirë, martesa jote të dështojë. Njerëzit fillojnë dhe humbin identitet, kalojnë nga dështimi në dështim, ku gjen prehje shpirti i tyre?”, tha Blushi.
Teksa më tej u shpreh se rritja e frekuentimit të kishave dhe xhamive nuk duhet parë vetëm si një zgjedhje shpirtërore, por edhe si një indikator i nivelit të dëshpërimit të shoqërisë.
Ai solli në vëmendje edhe realitetin ekonomik të brezit të ri, ku pagat 600–800 euro janë të pamjaftueshme për të jetuar, për të paguar qira apo për të marrë një kredi, duke e bërë pothuajse të pamundur ndërtimin e një familjeje apo planifikimin e së ardhmes. Në këtë situatë, sipas tij, shoqëria shqiptare ka dështuar t’i mbështesë më të brishtët, duke u fokusuar tek të pasurit dhe duke i lënë pas ata që kanë më shumë nevojë.
Lidhur me romanin Jam Mysliman, autori tha se historia e shkrimtarit që vendos të “përqafojë” Islamin pas një udhëtimi shpirtëror dhe një sërë përjetimesh personale pasqyron pikërisht këto dilema identitare. Personazhi kryesor gjen qetësi dhe kuptim në një moment të jetës kur përjeton trazira të ndryshme, ndërsa në fund zgjedh ta bëjë publik vendimin e tij.
Pjese nga biseda:
Arbana Osmani: Nga viti në vit ka më shumë islamikë?
Ben Blushi: Unë mendoj se ka një tendencë në brezat e rinj sidomos, unë shoh që, përshembull vajza 20-vjeç, djem 22-vjeç janë besimtarë më shumë se gjyshërit e tyre para 70-80 vitesh. Nuk më bezdis kjo përderisa ata vishen modernë, vishen normalisht, hanë nuk ka problem. E shoh si një vakum identiteti. Sepse kjo është e rëndësishme ta them. Pra, ka shumë vajza dhe djem të rinj që janë pak bosh sot, është kohë e vështirë kjo që po jetojmë. Të ishte i varfër para 40 vitesh në Shqipëri nuk kishte problem, ishim të varfër të gjithë. Të jesh i varfër sot, të vish nga provinca mos gjesh një punë, të kesh një dramë familjare, siç kanë shumë familje nga varfëria, mos kesh shpi të mirë, një punë të mirë, martesa jote të dështojë. Njerëzit fillojnë dhe humbin identitet, kalojnë nga dështimi në dështim, ku gjen prehje shpirti i tyre?
Arbana Osmani: Tek Feja.
Blushi: Për fat të keq dhe kjo nuk i dihet ku shkon. Shumë të rinj, nëse e masim dëshpërimin e shoqërisë me të sotmen shihe me raportin që vendosin me fenë, sa më shumë njerëz shkojnë nëpër Kisha dhe Xhami, aq më të dëshpëruar janë sipas meje. Sipas meje.
Arbana Osmani: Po pse?
Blushi: Po ti mendon se është kohë e lehtë sot për të jetuar? Që vajza dhe djem të rinj marrin 600 euro në muaj. Unë kam menaxhuar prej 7-8 vjetësh që menaxhoj kompani private dhe shoh fëmijë, të rinj, 600euro-700 euro rrogë A jetohet me 700 euro rrogë? A jetohet me 800 euro rrogë? Çfarë perspektive për jetën kanë ata? Si mund të ndërtohet një familje për 10 vite me këtë rrogë? Nuk kanë shtëpi jetojnë me qira, puna është e pasigurt, një kredi nuk e merr dot sepse me 800 euro nuk e paguan dot.
Pra ky brez njerëzish si jetojnë nëse familjet nuk u lënë gjë? Nëse dhe prindërit e tyre kanë qenë të varfër, nuk i lënë diçka. Çfarë bëhet me këtë njerëz? Shoqëria nuk mendon për ata. Faktikisht shoqëria jonë është shumë e padrejtë. Pse? Sepse mendon më shumë për të pasurit se të varfrit. Ky është një problem themelor në 20 vitet e fundit, kjo i çon njerëzit te Kisha te Xhamia te një urrejtje.



