Ashtu siç e deklaroi dje, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e ritheksoi se është pro investimit në ishullin e Sazanit.
Ai kujtoi në emisionin “Opinion” marrëveshjen e tij të dikurshme me ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi, për një projekt që do të zhvillonte ishullin. Por, ky i fundit nuk arriti të realizohej.
Berisha: Zvërneci është investim kryekëput privat. Unë dhe ju, asnjëri nga ne s’ka parë një dokument që është tokë publike e dhënë. Atëherë si mund të jem unë kur ka ujdi të plotë mes privatëve?! Janë të mirëpritur!
Vijmë te Sazani, është tokë publike, nuk ka pronar. Sazani ka një histori, e vërteta është se i ndjeri Fatos Nano…
-Edhe më herët, Ilir Meta kur ka qenë kryeministër, u ngrit ideja e një rrjeti kazinosh, projekti i parë është në vitin 2000…
Berisha: Unë bisedova me Berlusconi-n, në atë kohë zhvillimi i Sazanit ishte i komplikuar, edhe sot nuk është i thjeshtë, dy pëllëmbë plazh ka apo s’ka. Silvio u interesua shumë, bëri projektin, mirëpo erdhi kriza financiare e 2008-ës, atij i ranë aksionet dhe projekti mbeti. Si mund ta kundërshtoj unë në një kohë kur unë vetë isha përpjekur që të jepej për zhvillim?!
Personalisht nuk do ngrihesha në protestë teksa unë e kam dhënë atë një herë, tani nuk mund të hiqem si ai që nuk jam! Ka një specifikë, nuk kam parë deri sot biznesmen të ofrojë investim 2 miliard euro!
Megjithatë, akuzoi kryeministrin Edi Rama, se “u ka dhënë biznesmenëve shqiptarë toka shumë herë më të çmuara se Sazani”.



