Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protesta e zhvilluar këtë të hënë nuk është një ngjarje e vetme, por hyrja në “stinën e protestave të pandërprera”, e cila do të vijojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Në një intervistë në emisionin “Opinion”, i pyetur nëse ndien përgjegjësi nëse njerëzit nuk do marrin pjesë në protestat e thirrura prej tij, Berisha tha se ata që gjejnë arsyet te opozita për të mos protestuar, dalin “kundër vetes së tyre”. Pasi sipas tij nuk ka opozitë që mund të fitojë përballë “farsave elektorale”.
“Qëllimi i protestës së sotme nuk është masiviteti, është bërë e qartë. Protestat masive do të përgatiten. Por ata të cilët, në një mënyrë ose në një tjetër, gjejnë shkaqe te opozita për të mos protestuar, unë u them që ata po ngrihen kundër vetes së tyre, sepse nuk ka opozitë që mund të fitojë farsat elektorale.
Përkundrazi, sa herë të zhvillohet, fitohet edhe më thellë nga ata që e zhvillojnë. Ata që mendojnë ndryshe, gënjejnë veten. Nëse në një vit elektoral, narkodiktatura arreston dhe çon për ndjekje penale liderët e tre partive kryesore opozitare, në qoftë se në muajt elektoralë, narko-regjimi, në kundërshtim me ligjin, organizon 4 mijë e 500 aktivitete për të ndikuar te votuesit, të ndaluara me ligj, kombëtare e ndërkombëtare, përfshirë Giro di Italia, 7 milionë euro ditën e votimeve dhe një ditë përpara, në qoftë se regjimi fal gjobat.
U kërkoj ndjesë shqiptarëve se nuk kam qenë i saktë kur kam thënë 200 milionë. Gjobat rezultojnë 1 miliard e 500 milionë euro, gjoba dhe detyrime. Në qoftë se pesëfishon grantet për bujqësi, nëse përdor kartelet e drogës, Troplinët, Bajrit, atëherë çdo njeri që mendon se opozita është përgjegjëse për rezultatin, padashur ose me dashje ndihmon qeverinë”, – tha Berisha.
Sipas tij, nisja e protestave ishte e pashmangshme, por opozita priti raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për të pasur prova zyrtare të parregullsive. Berisha tha se qeveria nuk arriti të ndikojë në ndryshimin e raportit paraprak dhe se dokumenti final “e rrëzon plotësisht legjitimitetin e zgjedhjeve”.
Ai po ashtu konfirmoi sot se protestat do të vazhdojnë pa ndërprerje në javët në vijim, duke rikthyer qytetarët dhe opozitën në shesh deri në realizimin e objektivit final: largimin e kryeministrit Rama.



