Nga Edison Ypi
Sali Llumi dhe dhëndri budalla nuk lënë rast pa dëshmuar çfarë fundërrinash janë.
Gjithë jetën, unë, vëllai im, dhe miqtë tanë, mendjen e kemi pas veç me u arratis.
Për tu arratisur me çdo mënyrë, nuk folëm një herë e dy herë e pesë herë, por me mijëra herë. Në fakt, s’kishim muhabet tjetër. Asgjë në atë kohë s’ishte më e këndëshme dhe më interesante se muhabetet për tu arratisur dhe, në një rreth me rreze më të gjërë, talljet me soc-shkrimtarët.
S’do ment se të tilla muhabete s’mund të bëheshin me të gjithë. Ishte si t’i thoje burgut hapu të flisje për të tilla me, për shembull, Sali Llumin dhe sorollopin e tij, katunarin e sapozbritur, që gjithë kohës e kishte mendjen te partia, kurvi, mbledhja e organizatës, miqësia me Kinën, Amerika xhandar i popujve, dhe as me çunat e oficerave të Sigurimit që Sali Llumi mban sot rrotull vetes.
Çfarë ndodhi në ’90-ën nuk ndodhi në një ditë. 90-a e ka gjenezën herët, sidomos te ’80-a, kur Diktaturës, tashmë të lodhur nga purgat makabre brenda rracës, nisën t’i bien dhëmbët.
Aso kohe, kur një pasdite u ktheva nga puna, e gjeta nënën, Hasien, duke qarë. Kishin burgosur Eduardin, vëllain, në Burrel, ku kishte ca vite që punonte.
Eduardi, mes herezive të pafundme që këmbenim me njëritjetrin, më kishte thënë kushedi sa herë plot mllef se nuk mund të jetohej në Burrel ku poshtë tavolinave të mencave të ngatërroheshin nëpër këmbë qen e mace që lëpinin mbeturina. Por se kishte bërë përçapje konkrete për tu arratisur, asnjë fjalë.
Unë, pas vëzhgimeve dhe përsiatjeve të gjata, i dhashë karar se arratisja nuk ishte e mundur pa dëmtuar rëndë veten dhe familjen. Por nga ideja e arratisjes nuk u shkëputa. Arratisjen e lashë në Stand By, si një barkë e vogël që lëkundet lehtë, lidhur me litar në cektinë, në pritje të erërave të favorshme për të çarë oqeanet, që nuk frynë kurrë, në fakt.
Eduardi jo. Eduardi, as barkë, as cektinë, as Stand By. Eduardi, pa dijeninë time, ishte lidhur me mikun tim të shtrenjtë, të paharruarin Burhan Kalaja.
Dhe, i kishin kapur. I kallzoi një gollobordas nga Ostreni, i cili, nga njëra anë u premtonte t’i nxirrte, nga ana tjetër i spiunonte.
Unë dhe Hasia në përpjekje për tu adaptuar me kushtet e reja, i besuam tarbiateve të lashta: tymosnim duhan me të dredhur, rrufisnim kafe çikorje, ndiqnim lajmet nga radiot e huja, lexonim libra, shkruanim letra, thurnim çorape leshi, piqnim byreqe, për Eduardin, që tashmë në burg, mori statusin e Odiseut që duhet ndihmuar në udhëtimet përmes Ferrit të burgjeve të saj kohe.
Pesë a gjashtë muaj pas arrestimit të Eduardit dhe Burhanit, një mbrëmje më troket në derë një far’ skuthi që lëvrinte si gjarpër pas dere, bënte si i preoukupuar, si i friksuar, sikur nuk isha unë por skuthi që ja kishin burgosur vëllain. Më thotë skuthi mua të vete të takoj filan person. Unë që aso kohe, nga më modesti shqiptar deri te vet kurvi, s’merrja seriozisht askend, unë që s’jam as Vojo Kush që hedh bomba brenda tankut, as atentator që vras italianë te kthesa e rrugicës, plagosem në krah nga një fashist, më rrjedh gjak, iki në mal te spitali partizan ku ma lidh plagën një partizane e bukur, të cilën, të nesërmen e pushkatojnë pa gjyq se bën dashuri me njërin nga të gjithë që e ëndërrojnë, vajta e takova dikendin që as atëhere as tani nuk e di, as dua ta di, si quhej e ç’ofiq mbante.
Më 4.6.1980, pra – disa muaj pra arrestimit të tyre – qyqari pa emër dhe pa ofiq, vet më thirri, vet foli, vet shkroi.
Të refuzoja ? Refuzimet e kësaj natyre s’kanë ndodhur kurrë veçse me komunista heroikë nëpër filma dhe libra propagandistike plot me rrena.
Ja fjalët sa të tmerrshme dhe bosh të asaj cope letër që qyqari vet i foli vet i shkrojti:
“Në verën e vitit 1973 jemi takuar të tre, unë, Burhani dhe Eduardi. Në bisdë e sipër Burhani ka thënë: Unë dua të arratisem sepse nuk më pëlqen të punoj: “Dua të jem i lirë dhe të bëj çfarë të dua”. Këtë mendim e përkrahu dhe Eduardi i cili tha: Po, dakord jam që të arratisemi”. Unë ju thashë atyre të dyve se ju nuk keni arësye për tu arratisur”.
Kur burgosnin dikë, si rregull pa asnjë përjashtim, hapi tjetër ishte ndotja e familiarëve përmes të tilla lojrave. Rastet janë me mijra.
Që atë ditë, në mirkuptim të plotë reciprok, u thashë, Hasies të parës, pastaj miqve dhe familiarëve, gjithçka, se përmes një lufte nervash me një vegël të regjimit, arrita t’i shpëtoj nga internimi motrat, kunetërit, nipat, mbesën. Kush nuk e beson, s’kam ç’i bëj, s’e shpëtoj dot nga spiunllëku denbabaden.
Këtë letër po tundin sot prapa perdes Sali Llumi, dhëndërri budalla, dhe nja dy mokrarë të tjerë, sikur çoç dinë për të ma mbyllur gojën tani kur sapo kam filluar të krruaj nga pak Sali Llumin dhe dhëndërr budallanë.
Dhëndrri budalla, sado i zi, të mos kishte vjehërr Sali Llumin, do ishte një budalla si gjithë budallenjtë që e shtyjnë jetën brenda budallallëkut të vet, nuk është protagonist i këtij perversiteti.
Sali Llumi po. Sali Llumin, sikur ta kisha ditur çfarë fundërrine është, nuk e kam takuar kurrë. Është nga rastet fort të rralla kur pasoja vjen para shkakut. S’e kam prekur kurrë dorën e përgjakur të Sali Llumit që ende se ka larë nga dita e paharrur kur e rroku dorën e vet me dorën e kurvit, dhe nga ajo ditë dorën nuk e lau, dhe sot e kësaj dite, ende nuk e ka larë. Me atë dorë, Sali Llumi takon gjithkend, madje, me dorën e përgjakur prek edhe të sëmurë me zemër.
Një detaj që më bën të kënaqem tue u qeshë është cilësimi im si “Kallzimtar” që tingëllon si Mendimtar, Atdhetar, Pijetar.
Përtej idiotllëkut pervers të Sali Llumit dhe dhëndërrit hajdut, zbulimi selektiv i lojrave me fatkeqësitë e të përndjekurve nga Diktatura, përbën një problem që besoj dënohet me Ligj, të cilin, unë, me gjasa, nuk do e lë me kaq. Pra s’është çudi që të bëhem shkak, Llumit Sali dhe budallait dhëndrr tu shtohen edhe ca vite burg.
Mes qindra shkrimeve, prej të cilave nuk marr asnjë dyshkë, një numur prej tyre i kam bërë me superlariva për Sali Kullën. Nuk jam aspak i penduar. S’u heq asnjë gërmë. Kam shkruar atë që kam ndjerë. Mirpo, me gjasa, Sali Llumi dhe dhëndërri boshnjak zëhollë kanë kujtuar se ato shkrime i kam bërë nga frika se po më zbulohet hataja e letrës bosh, plot me gjëra evidente aspak të rrezikshme, edhe ky është një problem që së afërmi do e zgjidh.
Habitem kur dëgjoj se filani dhe fisteku vajtën kërkuan dosjet për të marrë dëshmi virgjërie, pra që nuk kanë qënë spiuna.
Unë që me spiunllëkun kam aq lidhje sa ka një krua në Mokër me një shkretëtirë në planetin Mars, nuk kam vajtur dhe nuk do vete të di të mësoj nga letrat e manipuluara të Diktaturës që skam qënë spiun, pra të mësoj atë që më mirë se unë vetë nuk e di asnjë Sali Llum dhe asnjë asnjë dhëndërr budalla. Por edhe sepse nuk dua të mësoj kush nga miqtë e bodrumeve më ka spiunuar, çka s’është çudi të ketë ndodhur. E meqënse Sali Llumi i shpallur i padëshiuar nga gjysma e botës, dhe dhëndrri budalla në pritje të dënohet për hajdutllëk dhe mafjozllëk, po krruhen pa shkak, ndoshta ka ardhur dita të vete tu hedh një sy ca kryeveprave manipulative të komunistave të atëhershëm dhe të tanishëm. Do jetë gallatë e madhe. Spektakël i pa parë do jetë.
Ndjehem i lumtur t’i kem shqetsuar sadopak bamirësit e mi që u bënë sebep të shkruaj këto rradhë, Sali Llumin dhe dhëndërr hajdutin. S’ma kishte marrë mendja se do vinte dita e lumnueme kur milionat dhe miliardat e legenave në fjalë nuk mjaftojnë me më tremb, aq më pak me më ble, mue.
Ësht fat Diktaturën ta kesh kaluar rehat, fjollë, të kesh shpëtuar pa u lënduar nga asnjë bombë, pa u prekur nga asnjë cifël.
Por është kënqësi më e madhe se rehatia të jesh ndeshur, të kesh vuajtur, të jesh plagosur, përgjakur, dhe të kesh qëndruar.
Ndoshta s’kuptuat ç’u thashë, se e lexuat shkarazi, nuk i dhatë rëndësi, ishit të përqëndruar te celulari, te mesazhet me tre fjalë dhe pesë gabime, te lajmet me një fjali dhe njëzet rrena, Bëni si dini. Unë s’mundem me ua xhvat iphonat dhe samsungat si ua vodhi Sali Llumi jetët.