Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Kimit të Organizuar, SPAK, ka dërguar për gjykim ish-Ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Mediu do gjykohet për akuzat e ngritura ndaj tij për përgjegjësinë në ngjarjen kriminale të vitit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.
SPAK njoftoi të mërkurën më 8 shkurt 2023 se është paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesa për dërgimin në gjyq të çështjes.
Mediu akuzohet për veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
“I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Prokuroria thotë se këto akte në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”.
Por Prokuroria e Posaçme sqaroi edhe një pikë tjetër që ka ngjalljur reagime.
Sipas njoftimit të SPAK, “gjatë hetimeve të këtij procedimi penal janë kryer veprime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida”.
“Për këto episode hetimet janë duke vijuar dhe për rrjedhojë është ndarë çështja penale, që është regjistruar për veprat penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Mbetet ende pikëpyetje se kush është i akuzuari për këto vepra të reja penale?
Bëhet fjalë për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal.
Neni 260 parashikon një dënim deri në 12 vjet burg. Ja ç’thotë ai:
“Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi tëtillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt,nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet medetyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet”.
Me këtë nen bëhet fjalë për zyrtarë që kanë marrë para, pra për njerëz me pushtet. Kush janë këta?
Sipas gjasave ose Mediu, po hetohet paralelisht me shpërdorimin, ose shefi i qeverisë që ka mbrojtur këtë transaksion. Shumë gazetarë mendojnë se mund të bëhet fjalë për djalin e tij Shkëlzenin.
Por për këtë nuk mund të flitet sot, pasi është një hetim i freskët që siç thotë SPAK ka nisur në 2023 pra në janar. E këtu pritet të ketë procedura të tjera.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u krye pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin e Mediut.
Prokuroria e Posaçme kërkoi revokimin e vendimit të vitit 2009 të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, por kjo gjykatë ia pasoi Gjykatës së Posaçme çështjen, duke shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për rihapjen e çështjes dhe fajësoi prokurorinë për mosushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, duke argumentuar se vepra penale është parashkruar.
Ky vendim u rrëzua si i pabazuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 24 shtator 2021, që i hapi rrugë procedimit të Mediut.



