Asgjë nuk e shkatërron aq shumë ndjesinë pas seksit sesa të zbuluarit e një puçre të madhe në fytyrë. Është e vërtetë që seksi mund të bëjë shumë mirë për trupin dhe mendjen tuaj, por është gjithashtu e vërtetë që faktorët e lidhur me seksin mund të nxisin shfaqjen e pikave të bardha, pikave të zeza, apo edhe akneve cistike për ata që kanë lëkurë të prirur për të krijuar akne.
E dimë që gjëja e fundit që doni të mendoni kur bëni seks është nëse do t’ju lërë me akne apo jo, por më poshtë do të gjeni një shpjegim për atë çfarë janë “puçrat e seksit” në fytyrën tuaj, shkaktarët më të mëdhenj të tyre pas marrëdhënieve seksuale dhe, sigurisht, si mund të parandaloni secilën prej tyre.
Çfarë janë “puçrat e seksit” në fytyrë?
“Puçrat e seksit” në fytyrën tuaj mund të jenë dy gjëra të ndryshme: një skuqje pas seksit ose një gjendje e lëkurës që mund ta keni zhvilluar nga kontakti intim dhe i afërt me dikë që ka një lloj shpërthimi apo infeksioni të lëkurës.
Nëse “puçrat” në fytyrën tuaj paraqiten si faqe të skuqura, njolla ose shpërthime, ka mundësi që thjesht po përjetoni një reagim të shëndetshëm dhe të zakonshëm të trupit ndaj seksit për shkak të rritjes së qarkullimit të gjakut. Kjo skuqje ndodh pas orgazmës ose ngacmimit seksual dhe zhduket nga disa minuta deri në disa orë.
Nëse qëndron më gjatë, mund të jetë diçka tjetër dhe kjo na çon te mundësia e një infeksioni që mund të keni marrë për shkak të kontaktit lëkurë në lëkurë. Mos u hiqni si doktorë. Shkoni te një profesionist sa më shpejt që të mundeni, për të marrë trajtimin dhe kujdesin e duhur.
A mund të shkaktojnë hormonet e lëshuara gjatë seksit akne?
“Nuk ka prova të qarta që aktiviteti seksual mund të shkaktojë ose të përkeqësojë aknet,” thotë dermatologia Kseniya Golubets. Megjithatë, aknet janë komplekse dhe duhet të kujtojmë se shkaktarët e akneve mund të jenë të ndërlikuar dhe shumëfaktorësh, thotë dermatologia Gloria Lin.
Mund të ndodhë edhe e kundërta ama, ashtu siç seksi mund të shkaktojë akne, mundet edhe të ndihmojë në uljen e shpërthimeve të akneve. Siç u përmend më parë, ne dimë që seksi mund të bëjë shumë mirë për shëndetin tonë fizik dhe mendor. Në fakt, “aktiviteti i rregullt seksual mund të ketë efekte afatgjata në rregullimin e hormoneve dhe uljen e stresit, të cilat mund të ulin potencialisht rrezikun e akneve,” thotë Dr. Lin.
Gjithsesi, ajo që dimë është se aknet mund të shkaktohen nga gjëra që lidhen me procesin e një aktiviteti seksual, si djersitja, mjekra e partnerit, këllëfët e jastëkëve dhe kontraceptivët. Le të shqyrtojmë më në detaje:
-Djersa:
Pse mund të shkaktojë akne:
Çdo aktivitet fizik mund të shkaktojë djersitje. Seksi, veçanërisht nëse është më energjik, mund të shndërrohet në një seancë të vërtetë djersitjeje. Rezultati? Djersa, së bashku me sebumin, papastërtitë dhe bakteret, mund të bllokojnë poret tuaja, duke çuar në formimin e akneve, shpjegon Dr. Lin.
Çfarë mund të bëni për këtë:
Dr. Lin thotë se, nëse është e mundur, duhet të bëni dush menjëherë pas aktivitetit seksual të djersitur për të parandaluar shpërthimet në lëkurë. Nëse kjo nuk është e realizueshme, një këshillë më e lehtë për t’u ndjekur është të shmangni veshjen e rrobave menjëherë dhe të lejoni trupin tuaj të ftohet pak. Kjo do të parandalojë që djersa të ngelet në lëkurën tuaj, duke çuar në më shumë shpërthime.
Ide të tjera? “Fshirja e lëkurës me peceta mund të ndihmojë gjithashtu në një moment urgjence, nëse dushi nuk është i mundur, si dhe heqja e makeup-it para seksit,” thotë Dr. Lin. Alternativisht, Dr. Golubets rekomandon përdorimin e diçkaje me acid salicilik ose një pastrues të butë për të siguruar që poret tuaja të jenë të pastra.
-Mjekra dhe qimet e fytyrës:
Pse mund të shkaktojnë akne:
Nëse po puthni partnerin tuaj me mjekër gjatë seksit, kjo mund të çojë në një lloj shpërthimi të njohur si “akne mechanica”. Në thelb, kjo është një formë akneje që krijohet përmes fërkimit, duke çuar në prodhimin e tepërt të yndyrës, e cila krijon një mjedis të lagësht dhe të përsosur për zhvillimin e baktereve.
Çfarë mund të bëni për këtë:
Pastrimi i zonës që ka pasur kontakt me mjekrën menjëherë pas seksit mund të ndihmojë. Po ashtu, ju dhe partneri juaj mund të pastroni fytyrën para seksit.
-Këllëfët e shtratit:
Pse mund të shkaktojnë akne:
Nëse dhoma e partnerit tuaj është mbushur me qese të hapura patatinash ose ju duhet të kaloni përmes peshqirëve të vjetër dhe rrobave të pista për të arritur në shtratin tuaj, mund të jetë e sigurt të supozoni që edhe çarçafët e shtratit janë në të njëjtën gjendje të keqe. “Lënia e çarçafëve dhe këllëfëve të ndotur mund të shkaktojë shpërthime të akneve për shkak të qelizave të vdekura të lëkurës, yndyrës dhe baktereve që mund të grumbullohen në pëlhura që nuk janë larë,” thotë dermatologia Kaleroy Papantoniou. Këllëfët e jastëkëve janë veçanërisht të prirur të përmbajnë këto baktere, thotë Dr. Golubets. Ato mbledhin yndyrën e fytyrës, produktet për flokët dhe një sërë bakteresh të tjera.
Çfarë mund të bëni për këtë:
Zgjidhja këtu është mjaft e thjeshtë: “Ndryshoni këllëfët e shtratit të paktën një herë në javë ose pas djersitjes të rëndë,” thotë Dr. Lin. Megjithatë, mund të mos jetë gjithmonë e mundur të bëni kështu çdo javë, por duhet t’i jepni prioritet jastëkëve tuaj, pasi ata mbajnë shumicën e baktereve. Blerja e një seti shtesë është një ide e mire, kështu mund t’i ndërroni lehtësisht çdo javë.
-Kontraceptivët:
Pse mund të shkaktojnë akne:
Aknet hormonale janë një histori krejt ndryshe. Sisa opsione të kontraceptivëve mund të bëjnë mrekulli për lëkurën tuaj; të tjerë, megjithatë, mund të kenë efektin e kundërt. Për ta thjeshtuar: Hormonet shkaktojnë një rritje në prodhimin e sebumit dhe pasi disa kontraceptivë bëjnë pikërisht këtë (p.sh., lëshojnë hormone), është e natyrshme që mund të përjetoni më shumë akne nëse keni filluar përdorimin e tyre ose keni ndryshuar metodën e përdorimit.
Çfarë mund të bëni për këtë:
Këshilla numër një në këtë rast është të konsultoheni me një profesionist të certifikuar. Disa lloje të akneve hormonale mund të trajtohen vetëm me ndërhyrje përmes një recete mjekimi ose injeksionesh me steroide, por përpjekja për t’u marrë vetë me këtë mund ta përkeqësojë shpeshherë problemin.
Përfundimi:
Për ta thënë thjesht, thjesht seksi nuk do të shkaktojë magjishëm shpërthime aknesh. Megjithatë, disa aspekte të seksit mund të ndikojnë në këtë. Shkaktarët kryesorë që lidhen me aknet? Djersa, mjekra, këllëfët e shtratit dhe kontraceptivët. Edhe pse rekomandohet të konsultoheni me një profesionist për këtë të fundit, problemet e tjera mund të zgjidhen me higjienën e duhur dhe pastrimin sa më të shpejtë pas aktit, për të ulur sa më shumë mundësinë e kontaktit me bakteret që shkaktojnë akne.