24.5 C
Tirana
E mërkurë, 10 Shtator, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Sharlatanët e rinj

    Nga Edmond Arizaj

    Debati i neveritshëm se cili kushëri do e marrë deputetin e vetëm mes dy partive të reja të Lapajt dhe Shabanit, shfaq qartë edhe për ata që s’kanë as sy as veshë, se morali politik në vend kutërbon më shumë se një pusetë e ujërave të zeza.

    Bëhet akoma më e rëndë, kur pisllëku vjen nga “të rinjtë”, të cilët brenda pak ditëve, hodhën poshtë vite të tëra investim, superpozim, hipokrizim, ligjërim, përbetim, në emër të më të mirës, të së ndryshmes, të së resë, të antipodit Ramë-Berishë.

    Në dy-tre ditë, e nuk duket se do ketë ndalim manovrash për të përfituar deputetin, i dhanë dërmën besimit të mbi 60 mijë njerëzve në këtë vend. I futën shkelmin, idesë se mund të ketë mendim ndryshe përtej PS dhe PD. Shkatërruan bindjen e brishtë se Shqipëria, mund të prodhojë brenda saj, por edhe të lëçitur në shkollat më të mira botërore, të rinj që janë të gatshëm të marrin barrë mbi supe, pa nxituar të përfitojnë.

    Debati absurd, deri në akuza mes dy krerëve të një koalicioni të rinjsh, mund të ketë vrarë sërish, nuk e di përsa kohë, shpresën se në vend mund të mbijnë pemë të tjera politike ndryshe nga PS dhe PD. Sharlatanizmi në vendin tonë sa vjen e sofistikohet, derisa për pak gjë nxjerr kokën e vërtetë dhe zhvishet totalisht nga hipokrizia.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit