Shtetet e Bashkuara të Amerikës sqarojnë se vendimet e shpalljes “non grata” për korrupsion madhor nuk mund të negociohen dhe rrjedhimisht nuk mund të ndryshohen.
Nisur nga deklaratat e ish kryeministrit Sali Berisha se SHBA mund ta falë dhe se ka pasur tentativa për të komunikuar me të, Ambasada amerikane është pyetur nga media dhe ka hedhur poshtë çdo pretendim.
Interesimit të medias, Ambasada amerikane i është përgjigjur:
“Pozicioni i SHBA në lidhje me shpalljet për korrupsion madhor mbetet i qartë dhe ato nuk janë të negociueshme”, sqaron Ambasada.
Sali Berisha, në një intervistë për A2 CNN, mori shembull kryeministrin aktual të Indisë, për të cilin tha se ka qenë i shpallur non-grata dhe u fal.
Berisha thotë se ai më pas u ftua në një darkë madhështore nga presidenti Barack Obama.
“Nga marrëdhënie pothuajse inekzistente me SHBA-në, apo me vende të tjera, u arrit në marrëdhënie kulmore. Jo se unë kisha ndonjë fuqi të madh magjike. U arrit në një marrëdhënie kulmore sepse partnerët vlerësuan reformat e qeverisë shqiptare.
Unë qëndroj pas vlerave, parimeve dhe reformave që i bëjnë shqiptarët më të lirë, më të sigurt. Në këtë situatë, është ndodhur kryeministri aktual i Indisë. Ishte i shpallur non-grata por që u prit më vonë në një darkë madhështore zyrtare nga presidenti Barack Obama.
Shqipëria nuk është India dhe unë nuk po them se do pritem me një darkë madhështore në Shtëpinë e Bardhë.
Kam besim të plotë se një akuzë e ngritur mbi shpifjen dhe trillimin, sado që përpiqen ta rëndojnë, do shkojnë drejt dështimit. Vendi i Shqipërisë do jetë aty ku ajo meriton në bazë të arritjeve të saj. Kjo është përgjigja ime.
Kjo përbën kosto për të gjithë ata që janë të prirur të besojnë gënjeshtrën, të delegojnë ndërgjegjen apo arsyen e tyre. Por të tjerët që insistojnë në fakte, dokumente e prova, kjo përbën mbështetje për mua.
Çdo njeri në çdo pozicion duhet të qëndrojë për dinjitetin e tij. Nëse ndjekim këto zhvillime, ato këtë kanë provuar” – tha Berisha.