Nga Fejzo Subashi
Ne jemi një shoqëri e edukuar pa kulturë, një komb që ëndërron më shumë sesa punon, që kërkon të marrë më shumë sesa jep, që i mëshon pa limit të drejtës së tij, duke harruar për të drejtat e liritë e tjetërit dhe shoqërisë. Pra, ne nuk jemi të varfër në edukatë. Jemi të varfër në kulturë qytetare. Dhe kjo varfëri nuk shërohet me ëndrra, por me përgjegjësi, e cila duhet të jetë si qytetare dhe si shoqëri. Nuk ndërtohet jeta duke kthyer sytë nga qielli. Nuk ndërtohet as kombi, as dinjiteti, as e ardhmja, duke pritur vetëm nga shteti, vetëm se je shtetas. Nuk bëhesh amerikan apo europian as me asistencë, as me hile, as me punë të pista e të paligjshme. Me këtë mendësi nuk je thjesht barrë për vendin ku ke status emigranti; je problem edhe për kombin tënd, për bashkatdhetarët e tu dhe për brezat që vijnë pas teje.
Ndoshta nuk do t’u vijë mirë shumëkujt, por vendimi i SHBA-së për pezullimin e vizave është i drejtë, i vonuar dhe i domosdoshëm. Dhe po, ky vendim do të ndiqet edhe nga vende të tjera europiane, sepse problemi nuk është Amerika apo Europa , se problemi jemi ne.
Ne jemi një shoqëri që krenohet me “edukatën”, por ka mungesë serioze të kulturës së përgjithshme. Dhe këtu është nyja. Edukata është vetëm një element i kulturës, jo vetë kultura. Mund të flasësh bukur, të përshëndesësh me mirësjellje, të ulesh drejt në karrige dhe prapë të mos kesh kulturë qytetare, ligjore, pune, përgjegjësie dhe bashkëjetese.
Ne jemi ëndërrimtarë të mëdhenj. Ëndrrat tona shpesh i kalojnë hapësirat, mundësitë dhe kapacitetet reale që kemi. Nuk ka asgjë të keqe të ëndërrosh, por e keqe është të mos pranosh kufijtë e realitetit dhe të refuzosh rrugën e gjatë të punës, disiplinës dhe sakrificës. Ne duam rezultatin, jo procesin. Duam suksesin, jo mundimin. Duam statusin, jo përgjegjësinë.
Më shpesh kopjojmë sesa ndërtojmë. Kopjojmë modele që nuk i kuptojmë, stile jete që nuk i përballojmë dhe role që nuk i kemi fituar. Në vend që të zgjedhim mundësinë reale për të arritur të tjerët, zgjedhim shkurtoren, mashtrimin, justifikimin. Dhe kur dështojmë, sepse kjo ndodh shpesh, përgjegjësinë nuk e kërkojmë te vetja, por gjithmonë diku tjetër: te shteti, te qeveria, te Amerika, te Europa, te fati, te “të këqinjtë”. Po, po, qeveritë dhe klasa politike kanë faj dhe përgjegjësi të madhe. Por është hipokrizi e pastër të flasim vetëm për ta, ndërkohë që si individë sillemi njësoj: kërkojmë përfitim pa meritë, rregulla pa respektuar rregullat dhe të drejta pa pranuar detyrime. Ne e mbajmë veten për patriotë, por patriotizmin e kemi reduktuar në postime në Facebook, flamuj virtualë dhe fjalë të mëdha boshe. Në praktikë, shumë prej nesh e dëmtojnë imazhin e Shqipërisë çdo ditë. Vendimi i pezullimit të vizave nga SHBA, nuk është ndëshkim ndaj shqiptarëve, apo Shqipërisë, por është një pasqyr ku duhet të shikohet secili nga ne. Dhe ajo pasqyrë nuk na pëlqen, se na tregon ashtu si jemi, si dukemi në realitet dhe nuk na tregon ashtu si duam. Derisa të mësojmë se nuk ka integrim pa disiplinë, nuk ka liri pa përgjegjësi dhe nuk ka dinjitet pa punë, çdo derë e mbyllur do ta quajmë padrejtësi. Në të vërtetë, ajo është pasqyra jonë. Dhe pasqyrat nuk kanë faj, ato vetëm tregojnë. Jemi gati ta thyejmë pasqyrën si fajtore që nuk na pëlqen shëmbëlltyra, e megjithëse ai është realiteti.
Çfarë integrimi është ai kur edhe pas dhjetëra vitesh jetese jashtë, e quan veten ende “emigrant”, jo qytetar? Çfarë integrimi është ai kur vjen në Shqipëri dhe sillesh si zot i vendit, apo ti je zeusi, ndërsa kur ikën mbush thasët me mish të thatë, gjizë, djathë, vaj, qepë e domate, sikur po largohesh nga një zonë lufte? A nuk ndjen turp kur këto thasë hapen nëpër doganat e Europës?
A është i padrejtë vendimi i SHBA-së, kur ende pa mbërritur atje, madje pa u nisur, bëhen premtime groteske, betime boshe dhe mburrje qesharake se “do marr gjithë fisin, me kuç e me maç”, sikur Amerika është pronë jote private? Dhe kur mbërrin atje, synimi nuk është integrimi, puna e ndershme dhe respekti për ligjin, por dollari i shpejtë dhe asistenca.
Më keq akoma, disa duan të bëhen brenda ditës “padronë”, “të fortë”, “të parët e qytetit”, duke u zhytur në punët më të pista të mundshme. Kjo sjellje ka minimizuar imazhin e Shqipërisë dhe ka zbehur punën, sakrificën dhe dinjitetin e atyre shqiptarëve që me meritë kanë bërë emër dhe na kanë bërë krenarë në botë.
Prandaj, pezullimi i vizave nuk është problem. Problemi është kultura jonë e përgjegjësisë. Derisa të mësojmë se nuk bëhesh qytetar i botës pa qenë më parë qytetar i vetes dhe i vendit tënd, çdo derë që mbyllet do të na duket padrejtësi. Në fakt, është thjesht pasojë. Dhe pasojat, herët a vonë, gjithmonë vijnë, don apo nuk dëshiron ti.



