27.5 C
Tirana
E mërkurë, 10 Shtator, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    SHBA “tradhton” Altin Dumanin

    E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Tiranë, Nancy Van Horn, në konferencën e organizuar nga OSBE dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka konfirmuar se në përfundim të mandatit si drejtues i SPAK, Altin Dumani do të zëvëndësohet nga një prokuror i ri i Posaçëm.

    “Bazuar në ligj, z. Dumani, sado efektiv, jashtëzakonisht efektiv që ka qenë, do të zëvendësohet sepse mandati i tij ka përfunduar” u shpreh Van Horn.

    Me këtë fjali duket se kanë marrë fund edhe shpresat e Altin Dumanit për një ndryshim të Kushtetutës që do t’i jepte mundësinë të kandidonte për një mandat të dytë.

    Në maj të vitit të kaluar, ndërsa raportonte para deputetëve në Komisionin e Ligjeve, Altin Dumani kërkoi ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që prokurorët e SPAK të kishin mundësi të përfitonin nga një mandat i dytë, por ky opsion kaloi në heshtje nga mazhoranca.

    Kreu i SPAK e argumentoi kërkesën me nevojën për vazhdimësinë e rezultateve, hetimit të çështjeve dhe një garanci për standardet e institucionit dhe jo si një shqetësim për karrierën e tyre.

    “Çështja duhet të trajtohet në kuadër të vazhdimësisë së institucionit,“ tha Dumani, duke shtuar se “kudo që ka mandat nuk ka liri, qëndrueshmëri në rezultate”.

    Sipas Dumanit, një prokurori që është ne mes të një hetimi të rëndësishëm i ndërpritet puna në mes me mbarimin e mandatit dhe efektiviteti i punës së vetë strukturës, marrëdhënieve të krijuara me agjenci të huaja etj.

    Por Dumani duket se nuk e ka mbështetjen amerikane për një mandate të dytë.

    Van Horn e tha qartë se mandati i Altin Dumanit ka përfunduar “bazuar në ligj” dhe se zgjedhja e pasardhësit duhet të jetë “e paanshme, transparente dhe e lirë nga ndikimet e jashtme”.

    “SPAK-u është aq efektiv sa pavarësia e tij për të ndjekur kriminelët, pavarësisht se me kë janë të lidhur. Edhe përzgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Posaçëm, ashtu si dhe e drejtorit të ardhshëm të BKH-së, duhet të bëhet me integritet. Partnerët ndërkombëtarë janë shumë të interesuar dhe do ta ndjekin nga afër këtë proces,” u shpreh Van Horn.

    Diplomatja amerikane nënvizoi se suksesi i SPAK-ut në hetimin e grupeve kriminale dhe pastrimit të parave është i lidhur drejtpërdrejt me ruajtjen e pavarësisë së tij. “Duhet të mbrojmë atë që është ndërtuar, sepse vetëm një SPAK i pavarur mund të shënjestrojë kriminelët, kudo që ata ndodhen,” theksoi ajo.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit