8.5 C
Tirana
E shtunë, 28 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Shëmtia me emrin Ervin Salianji

    Nga Bedri Islami

    Nga të gjitha pamjet e çuditshme në politikën shqiptare, njëra mbetet më e pështira: Ervin Salianji, në dyert e godinës së grabitur të Partisë Demokratike me hunj në duar, si njëri nga mbrojtësit e regjur të kështjellës, e cila sulmohej, po aq barbarisht dhe egërsisht, sa edhe mbrohej.

    Tashmë sulmuesit dihen: Foltoristët kishin ndërmarrë njërin nga aktet më të turpshme, kishin ngritur mercenarët e tyre politikë, harbutë dhe, në të shumtën e rasteve, rrugaçë, për të sulmuar, marrë dhe dëbuar nga zyrat e selisë së partisë bashkë kolegët e tyre. “ Mbrojtësit”, po ashtu dihen, të grumbulluar rreth Bashës, “ si një trup i vetëm”, me dyer e dritare të blinduara, ata ishin një grusht rioshësh në politikë, të cilët kishin hyrë aty si prurjet e reja, por që në të vërtetë, edhe asaj dite, edhe sot përbënin , e vazhdojnë të përbëjnë një llum të çuditshëm politikë, pa asnjë ide, pa asnjë mendim progresiv, të gatshëm për dhunë dhe sherre, të humbur nga vizionet e duhura që i takojnë një force të qendrës së djathtë, dhe për më tepër , të gatshëm të hidhen sa në njërin kamp, në tjetrin.

    Pa i vrarë ndërgjegjja dhe pa menduar për shembullin që japin.

    Në të vërtetë, ende edhe sot, në politikë, ka një grupim njerëzish të ardhur aty rastësisht, më shumë nga nxitja e tutorëve të tyre politikë, sa të aftë për të shpalosur ide krijuese; më shumë kopje të së keqes, se sa mishërim i një brezi idealist; një grup njerëzor që, edhe pse e dinë fare mirë se në thelbin e tyre janë mediokër dhe , jo rrallë herë sharlatanë, qëndrojnë, bëhen agresivë, shamatarë, kërcënojnë, janë të gatshëm të japin prova besnikërie përmes forcës dhe mosbindjes, shkelin nëpër këmbë dinjitetin e tyre dhe, nuk e kanë për gjë të shkelin edhe të tjerëve, shpifin, krijojnë nga hiçi ngjarje për të pasur përfitime politike e vetjake, e në fund, megjithëse shesin burrëri në përleshje të largëta, kur vjen koha të dëshmojnë se kush janë, çfarë force kanë e ku duan të shkojnë, atëherë tërhiqen, nxjerrin një mijë e një shkaqe banale, “sëmuren”, mungojnë, turfullojnë, kërkojnë ndihmën e shamatarëve të tjerë, dhe, kur u vjen koha, shpërthiqen.

    Njëri prej tyre, ndoshta më perfidi në këtë lloj grumbulluesish mediokër dhe gjurmues të instinktit të shefit të tyre është Ervin Salianji.

    Pas asaj “mbrojtje heroike” të selisë së PD dhe sulmeve të ashpra ndaj liderit të Foltores, Berisha, pra, pasi shfreu gjithë mllefin e tij, duke menduar se e ardhmja e këtij të fundit kishte përfunduar, befas (dëshmi e karakterit, jo e mendjes) i kthehet t’i lehë tutorit të djeshëm, Bashës, edhe pse në vite, ishte ky i fundit që e promovoi në poste drejtuese në parti, ashtu si ndodhi me Grida Dumën, Gazmend Bardhin e të tjerë, të ardhur nga hiçi.

    Duke qenë një ndër personazhet më qesharakë që ka pasur politika shqiptare në të gjithë këto vite, i  pa asnjë lloj ideje politike e shoqërore, meskin në bindje dhe cinik në ligjërime që nuk të mbesin në mendje, ai , në fakt, duhet të ishte në burg, për sajesën e çështjes “ Babale”. Ndoshta njëra nga afishimet më të rëndomta të degradimit të politikës dhe të mendjes.

    Salianji u bë i njohur me çështjen “Babale”. Fantazia e tij deri aty shkonte . Nuk mund të bënte më tej. Ai gjeti tre bashkëpunëtorë për të montuar dhe publikuar dy audio regjistrime, përmes të cilave supozonte se Agron Xhafa, vëllai i ish ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafa , ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Krijuan dëshmitarin “X”, që ishte një rrugaç ordiner. Sipas njërit nga të bashkë dënuarit, që kishte imituar zërin e Agron Xhafës, atij i ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti Salianji. Një histori e shpifur.  “Babale” u arratis, po me ndihmën e opozitës. Salianji ka nisur odisenë e mungesës në gjyqe , kërcënimit të gjykimit, sipas të njëjtit fjalor e mendësi që ka gjithnjë në rastet e dënimeve të opozitës, si bandë politike.

    Edhe pse tani është një çështje e njohur, krijuar nga hiçi për të njollosur figurën e një dinjitari të shtetit, ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, për këtë ai është dënuar nga Gjykata penale e Tiranës me një vit burg.

    Por Salianji është i pranishëm në debatet televizive, në përplasjet me deputetë të shumicës qeverisëse, në sherret e rrugës, në ballafaqimet mediokre, duke bërë moral, pikërisht për atë që nuk e ka në figurën e tij, si qytetar, si njeri dhe si deputet.

    Gjykimi i tij në Gjykatën e Apelit vazhdon prej kaq shumë kohe. Është bërë si historia e tjerrjes dhe ç’ thurjes së pëlhurës së Penelopës, megjithëse nuk dihet se nga cila udhë e gjatë do të vijë shpëtimi i tij.

    Po bëhen pesë vite që është dhënë vendimi i Gjykatës Penale të Tiranës dhe përfundimi në Apel duket shumë larg. Në të gjitha rastet ka munguar diçka. Një herë kërkohet përjashtimi i gjyqtares, më pas i Relatores së Trupit Gjykues, vazhdon me mungesat e papritura të avokatit mbrojtës, ne turmat e banditëve politikë ose jo politikë që kërcënojnë në sallën e gjyqit trupën gjykuese, dhe, si për të pasur një kapak, në fund, “sëmuren njëherësh, avokati dhe i akuzuari.

    Kjo është një “ sëmundje” që ka filluar që në hetimin e dikurshëm të Lulzim Bashës në çështjen e nxehtë të skandalit të rrugës së Kombit, me “ sëmundjet “ e shumta të ish ministrit të akuzuar për zhdukjen e 230 milionë euro, mbylljen e hetimit përmes një precedenti të rrezikshëm. Ndërsa bandat në sallë janë vazhdim i asaj që ndodhte në gjykimin e vrasjeve të 21 janarit, kur mercenarët e Ndrea Prendit kërcënonin, ngrinin zërin, kërcëllonin armët e dhëmbët…

    Salianji është më i njohur për karriget që hedh në sallën  e parlamentit, se sa për mençurinë e dëshmuar. Më i njohur për tymueset, se sa për idetë që shtron. Më i njohur për mesazhet erotike, se për frymëzime politike që mund të ngjallë së paku te moshatarët e tij.

    Ai i përket një brezi të ri politikanësh që nuk e vrasin mendjen për asgjë fisnike, që nuk bëjnë asgjë të vyer me pushtetin që u jep politika dhe nuk sjellin asnjë risi në idetë e tyre. Të mësuar me një bagazh të vogël të ideve dhe fjalë të përsëritura, më shumë përmes zhurmës, se sa përmes mendjes ata synojnë të ngrenë karrierën e tyre politike, duke u dëshmuar si njerëz të fortë, të denjë për kryetarin e vet, jo për njerëzit që përfaqësojnë; të gatshëm për sherr, jo për debate frytdhënëse; ata mohojnë të djeshmen edhe brenda partisë së tyre, pasi nuk kanë qenë pjesë.

    Për to viti 1997, kur opozita e tanishme ishte e gremisur ishte një kotësi politike, sepse nuk shohin asnjë vlerë në ato pak njerëz që deshën të bëjnë edhe më tej opozitë. Për to hipokrizia është vlerë, karakteri është pengesë. Mirësia dhe mendja është e huaj, harbutëria është vlerë qytetare. Kur u duhet rrëmbejnë hunjtë e gardhit, kur nuk u duhen djegin edhe sallën e parlamentit. Me doza të vogla të integritetit, janë të gatshëm të mohojnë kolegët e tyre, lere pastaj çdo të vyer që mund të vijë nga pala tjetër. Kur janë në opozitë përballë kanë vetëm armiq të pushtetit, kur janë në pushtet shohin ballë tyre rrëmbyes dhe shpifarakë. Asnjëherë nuk shohin ide, mendim, virtyt. Çfarë u mungojnë.

    Politika shqiptare do të ketë përsëri njerëz të tillë. Sepse është ndërtuar e tillë. Shkatarraqe, mohuese, përvetësuese. Politikanë si tipi Salianji, tipi Bardhi, është e vështirë të dalin nga vetja, sepse kanë hyrë në politikë me mendimin e zhvatjes, rrëmbimit, grabitjes, fyerjes dhe mohimit.

    Pasi dështoi edhe seanca e fundit, përsëri për shkak të “ sëmundjes “ së avokatit mbrojtës, tani Salianji ka provën e fundit me 8 maj.

    Nuk mund e nuk dua të paragjykoj vendimin e Gjykatës së Apelit. Nuk është në tagrin e askujt. Por shëmtia mbetet. Dhe kjo është njëra nga shëmtitë e mëdha të skenës sonë politike, ku është përfshirë meskiniteti, egërsia dhe mediokriteti njerëzor e politik, në një çorbë që nuk e përtyp dot më askush.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit