Një ish-ministër që disa vjet më parë, u filmua duke tentuar të përdhunonte një gazetare në këmbim të një vendi pune, paska shkruar së fundmi një libër; e për këtë kontribut të vyer është ftuar të flasë gjerë e gjatë në ekran nga gazetari Mustafa Nano (koleg i viktimës dhe i atyre që e denoncuan rastin).
Të dy bashkë, ish-pushtetari përdhunues dhe gazetari i njohur, kanë folur me kopetenca të plota për “të paaftët” e kësaj shoqërie, madje kanë shpallur “gazetarë e botues vrasës” (!). Për pak gazetarët e paskan çuar “drejt vetëvrasjes” ish-ministrin përdhunues në fjalë, por ky e mbajti veten; ca të tjerë ama paskan vdekur nga mediat – kumtoi emisioni.
Brockullat e të dyve i merr dhe i shpërndan një tjetër botues, njeri i njohur i medias edhe ky. I boton me tituj bombastikë në gazetën online Tema, duke veçuar edhe ai shigjetimet “shumë intelektuale” të përdhunuesit për “të paaftët” dhe “vrasësit”.
Kjo ndodh vetëm pak orë pasi krimineli më i madh politik i këtyre tridhjetë viteve, njeriu që ka vrarë ditën për diell në mes të Tiranës, ka vënë kujën se…. e qëlluan në hundë me një grusht.
Pas Saliut turret si përherë e gjithë skota e tij e individëve pa din e iman, që rastin në fjalë e shpallën si atentat, krim të organizuar shtetëror, rrezik i madh për demokracinë etj etj.
Këta, që kanë në themelet e vilave gjakun e fëmijëve të Gërdecit, këta që vranë protestues paqësorë në 21 janar, këta që fshinë pamjet filmike për të fshehur provat dhe urdhëruan moszbatimin e urdhër-arresteve, këta që kërcënuan se do të ekzekutoheshin në vend qoftë edhe 300 vetë, këta që u mburrën se “sikur edhe një gjethe të prekej” rreth kullë-Kryeministrisë, “do të ekzekutoheshin nga pesë snajper” (Sali Berisha); këta soj ordinerësh moralë pra, tani e konsiderojnë gjëmë të pashembullt shpullën e një torollaku.
E cila, me gjasë është pjesë e një inskenimi (sa për kujtesë, edhe ish-ministri palaço i sipërcituar inskenoi atentat ndaj vetes kur iu publikua skandali seksual).
Bash si këta pra, bëhen rehabilitues të ish-pushtetarit përdhunues edhe dy mediat që përmendëm në fillim të shënimit. Dashur pa dashur, bashkohen me skotën berishiste pa nder e pa moral, sipas së cilës duhet të ketë dy standarde politike dhe juridike: njëri për ata vetë, që u jep të drejtë të vrasin e të përdhunojnë, por të mos mbajnë kurrfarë përgjegjësie dhe, madje, më pas, të krenohen e të rivijnë në pushtet apo të shkruajnë libra e të kapardisen ekraneve.
Standardi tjetër iu përket të gjithë atyre që nuk janë me ta.
Pra, Shqipëria dhe shqiptarët duhet të masin me tjetër moral, arsyetim dhe gjykim çetën rurale, të veshur me kostume firmato, me kokën plot barbari mesjetare që mban erë shpellash dhe me të tjera kritere kundërshtarët e çetës së tyre.
Si përfundim:
Mustafa dhe Mero, që ca gjëra i di më mirë se Mustafai (si përshembull që ish-ministri i mbërtheckave nuk është i vetmi; që edhe një prej figurave më të zhvlerësuara moralisht, intelektualisht dhe politikisht, ish-zv.kryeministri K.Islami dhe eprorë të tij kanë tentuar të përdhunojnë gazetare sa në zyrat e shtetit, sa nëpër skafet e dalë boje të klientëve të tyre, pra ky soj nuk ka llangosje politike)..
Së paku ju të dy duhet ta dini se:
Është fyese dhe poshtëruese, jo vetëm për brezin e ri të gazetarëve, por për popullin shqiptar, që vrasësit, vjedhësit, shpërdoruesit, dhunuesit e tij të djeshëm, të marrin sot përsipër rolin e moralistit, avokatit dhe engjëllit mbrojtës të tij.
Ne kemi nevojë për një ndërgjegje të re shoqërore se po shpërbëhemi. Kjo nuk bëhet duke vazhduar të rehabilitojmë vrasës dhe përdhunues. Mos u bëni pjesë e banalitetit dhe pafytyrësisë që e ka përfshirë në tërësi debatin shoqëror shqiptar, sot, kur pjesa më e madhe e asaj që shfaqet, jo vetëm online por edhe në TV-të më të mëdha, është e shitur dhe e blerë, ose vulgare, boshe, pa ide, jo-produktive, regresive dhe injorante.
Krejt njësoj, po ta vini re është debati politik. Edhe njerëz që para 10 apo 20 vitesh dukej sikur kishin prerje politikani profesionist sot, idetë e vetme që hedhin janë ato që i përkëdhelin egon “mbretit diell” sipas partive.
Kjo politikë nuk ka për të prodhuar asgjë ndryshe nga këto 30 vjet, dhe ky popull i tradhtuar nga elita e vet intelektuale, ku rol kryesor kanë mediat, është bërë kësisoj i pazoti për ta flakur atë tutje.