Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka reaguar lidhur me një rast diskriminimi që është transmetuar të martën në mbrëmje në Top Channel.
“KMD shpreh keqardhjen për situatat e përsëritura në këtë format televiziv me shikueshmëri të lartë, që ka një ndikim të gjerë në diskutimin dhe opinionin publik, dhe i fton të jenë më të vëmendshëm në transmetimin publik, me qëllim parandalimin e situatave që mund të shkojnë në kufijtë e gjuhës së urrejtjes”, shkruhet në reagimin publik të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Të martën në darkë, gjatë njërit prej transmetimeve “prime” të formatit Big Brother VIP, u shfaq një video ku njëri prej konkurrentëve artikuloi një frazë diskriminuese dhe fyese ndaj një konkurrenti të verbër në shtëpinë e Big Brother, duke iu referuar me termin “dënim nga Zoti”.
Njëkohësisht, edhe Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht ndaj këtij episodi, duke e quajtur gjuhën e përdorur një mesazh të rrezikshëm që cenon dinjitetin njerëzor.
“Verbëria nuk është dënim dhe nuk është arsye për poshtërim publik. Një gjuhë e tillë nuk sulmon vetëm një individ, por prek një komunitet të tërë dhe normalizon përjashtimin social”, shkruhet në reagimin zyrtar të Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjithashtu shpreh shqetësimin mbi paragjykimet dhe stereotipet negative që rëndojnë sidomos tek njerëzit më të pambrojtur dhe kërkon më tej nga operatori që të garantojë moscenimin e dinjitetit njerëzor.
“KMD fton produksionin e reality show Big Brother VIP dhe operatorin kombëtar Top Channel të analizojë protokollet e formatit, si edhe të krijojë mundësinë e një diskutimi, po në të njëjtin format, mbi personat me aftësi të kufizuara dhe zërat e tyre”, përfundon deklarata zyrtare e KMD.



