Nga Bledi Mane
Aty rrotull është një mishmash arkitekturash otomane, fashiste italiane, bolshevike sovjetike e deri te fasadat e sotme moderne me xhama. Aty rrotull është një mishmash social që nis pas Muzeut Kombëtar me transë me paruke që kryjnë marrdhënie seksuale te shkurret, me mallistë që drogohen cepave, me xhepistë që gjuajnë viktimat, me prostituta pa dhëmbë, të lira e të dëshpëruara. Aty rrotull erdhi Hrushovi i ndjekur nga mijëra shqiptarë që përuroi nisjen e punimeve të pallatit të kulturës, më vonë vendosën arkivolin me trupin e vdekur të Enver Hoxhës mijëra e mijëra shqiptarë që e qanin. Pastaj ky shesh mblodhi të njëjtët njerëz mijëra e mijëra që pas qarjes i rëzuan bustin Enverit.
Mijëra e mijëra u mblodhën dhe pritën sekretarin e shtetit amerikan James Baker në vitin 1991, të njëjtët ishin me mijëra në mitingjet e Sali Berishës dhe po të njëjtët me mijëra e mijëra u avitën pas Fatos Nanos dhe Edi Ramës. Te ky shesh me qindra e mijëra pllakosin një muaj rresht hanë qofte e pinë birra e festojnë krishtlindje e vit të ri, me qindra e mijëra falen për bajram, me qindra e mijëra kërcejnë sa herë nxjerrin shalët e cicat Rita Ora dhe Dua Lipa. E mbani mend, te ky shesh e hëngrën me babëzi dhe pa turp edhe tortën e 100 vjetorit të pavarësisë…
Fajin nuk ua vë turmës se turma aheng do, fajin ua vë politikanëve, priftërinjve, imamëve, këngëtarëve që joshin e mbledhin turma jo për kauza e as për qëllime fisnike por vetëm e vetëm për ti treguar kundërshtarit epërsi numerike.
Ah sa më dhimbset ky shesh i nëmur ku është derdhur djersë, spermë, gjak, lotë, qurre e ku paradite parakalon hipokrizia ndërsa në darkë harbohet droga dhe kurvelliku. Ky shesh është pasqyra e tjetërsimit tonë hipokrit-materialist ndër vite, pasqyrë e identitetit tonë pa din e pa iman!
Gjithësesi për ta kompletuar këtë mozaik absurd i bëj thirrje baba Mondit që nesër të dalë në shesh e të shpërndajë hashure për Sulltan Nevruzin!



