24.5 C
Tirana
E premte, 12 Shtator, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Shfaqja e djeshme, si mbledhje kooperative bujqësore

    Nga Artan Fuga

    Sa i gjorë është publiku shqiptar!

    E them se shfaqja e djeshme nga ana e komunikimit masiv ishte si mbledhje kooperative bujqësore!

    Në vend të një programi qeverisës ku emrat e rinj në krye të dikastereve të lidheshin me politikën e ardhshme, patëm paraqitje individësh me emfazë, sikur shpalleshin çmimet OSCAR, si njerëz të jashtëzakonshëm, por që nuk dihet se çfarë kanë bërë të veçantë për të mirën publike.

    Si tha shoku Enver në Kongresin e katërt të partisë kur po shpallte anëtarët e komitetit qendror, për karshillik ndaj tovararish Hrushçev?

    Ne kemi kuadro për të formuar katër komitete qendrore, jo një!

    I bëri helaq të propozuarit!

    Kurse dje ishte ndryshe!

    Të gjithë:

    Supermen dhe superwoman!

    Sikur kemi 35 vjet që jemi në BE, jo sikur treni dhe lokomotiva kanë ngec në Maminas a Rroskovec!

    Si shpallen në ring boksierët në një sallë që i brohoret në ndeshjet kiç! Seç kishte aromën e një ndeshje sporti në Pallatin e Sportit Partizani!

    Sec kishte diçka nga aroma e një pazari peshku ku shitësi lavdëron peshkun e vet të freskët, të sapokapur në grep, pa hala, që gatuhet shpejt!

    Si një shfaqje reklame dhe marketingu !

    Asnjë aromë evropianizimi! Sa gjynah!

    Diella duhet të ndërhyjë!

    E gjitha kjo në një hipokrizi të trashë të kamerës, e cila edhe donte të bënte sikur askush nuk dinte asgjë se kush do të bëhej gjë, por edhe në çastin kur dikujt i përmendej emri si ministër, e kishte gjetur dy sekonda më parë fytyrën në sallë dhe ishte fokusuar atje.

    Po ku e dinte kameramani xhanëm!

    Dhe të nominuarit OSCAR, të gjorët a të gjorat, mbanin një fytyrë të ngrirë, pa asnjë shprehje, të ngurtësuar, të palëvizshme, hermetike, sikur të mos ishin njerëz.

    Nuk i lejonin vetes asnjë shprehje si të ishin skulptura kokash në një amfiteatër antik.

    Kurse në fytyrat e atyre që prisnin, por s’kapën gjë, në fytyrat e atyre që ishin, por ikën, si edhe te fytyrat e atyre që nuk prisnin gjë, por kishin cmirë për ata që nominoheshin OSCAR, në sy vështrim me cmirë, nofulla të ngrira dhe shtrënguar si darë, qendrim koke me qafë si monument, vështrim, vetëpërmbajtje të papërmbajtur, çfarë nuk lexohej (çfarë ka ajo më shumë se unë?), o nëne o nëne, si është njeriu, sidomos njeriu me pushtet, sidomos njeriu me pushtet të pamerituar!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit