8.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Shifrat e Eurostat, Shqipëria mbetet më e varfra dhe e fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe konsumin

    Shqipëria ka vijuar të jetë e fundit në Europë për të ardhurat për frymë edhe në vitin 2021 dhe me fuqinë më të ulët blerëse, duke zgjatur kështu rekordin negativ të mirëqenies së banorëve të saj, në krahasim jo vetëm me vendet e Bashkimit Europian, por edhe shtetet e tjera të rajonit.

    Sipas të dhënave të sapopublikuara të Eurostat, në vitin 2021 vendi ynë kishte Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, të shprehur në bazazinë e fuqisë blerëse, sa 32% e mesatares së Bashkimit Europian.

    Ndonëse ka një përmirësim të lehtë me 1 pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm, shtetet e tjera të rajonit kanë ecur më shpejt në të ashtuquajturin proces të konvergjencës që nënkupton rritjen me ritme më të shpejta se BE, me synim për të kapur mesataren europane brenda një periudhe të caktuar.

    Psh, për Maqedoninë e Veriut treguesi u përmirësua nga 38% e mesatares së BE-së në 42% për të njëjtën periudhë. Për Serbinë treguesi është 44%, për Malin e Zi 48% (nga 45% në 2020-n). Edhe Bosnjë Hercegovina renditet përpara Shqipërisë me 33% të mesatares së BE-së. Të dhënat për Kosovën nuk janë të disponueshme.

    Në treguesin tjetër, atë të Konsumit Individual për frymë (AIC) që mat konsumin sipas barazisë së fuqisë blerëse dhe nivelit të çmimeve, Shqipëria renditet po e fundit, me 39% të mesatares së Bashkimit Europian, njësoj me vitin e kaluar dhe shumë më e ulët se mesatarja prej 48% e vendeve kandidate (përjashtuar Turqinë).

    Ndërsa për treguesin e të ardhurave për frymë, diferenca me shtetet e rajonit nuk është shumë e lartë, në treguesin e konsumit individual ajo thellohet, duke reflektuar aftësinë e ulët të fuqisë blerëse të shtetasve shqiptarë për të ardhurat që kanë, e lidhur me çmimet relativisht të larta në vend (shënim i Monitor).

    Pas Shqipërisë është Bosnjë Hercegovina me 41%, Maqedonia e Veriut 51%, Serbia 53%, Mali i Zi 60%.

    Europa

    Sipas Eurostat, në vitin 2021, ashtu si në vitin 2020, Luksemburgu dhe Irlanda shënuan nivelin më të lartë të PBB-së për frymë të shprehur në barazinë e fuqisë blerëse në BE, me 168% dhe 119% mbi mesataren e BE-së.

    Të dhënat tregojnë dallime thelbësore midis shteteve anëtare të BE-së për sa i përket PBB-së për frymë, e përdorur për të matur aktivitetin ekonomik. Pas Luksemburgut dhe Irlandës, Danimarka (33% mbi mesataren e BE-së), Holanda (30% më lart), dhe Austria dhe Suedia (të dyja 23% më lart) vijnë në krye të listës me një GDP për frymë, që është mbi 20% mbi mesataren.

    Në të kundërt, Bullgaria (43% nën mesataren e BE-së), Greqia (36% më pak) dhe Sllovakia (31% më pak) shënuan PBB-në më të ulët për frymë.

    Në vitin 2021, nivelet e konsumit aktual individual (AIC) në BE treguan dallime të konsiderueshme. AIC mat mirëqenien materiale të familjeve, AIC për frymë e shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS) dhe varionte nga 65% në 144% të mesatares së BE-së në të gjithë Shtetet Anëtare në vitin 2021.

    Luksemburgu regjistroi nivelin më të lartë të AIC për frymë në BE me 44% mbi mesataren e BE-së, i ndjekur nga Gjermania (20% më lart), Danimarka (19% më lart), Austria (17% më lart) dhe Belgjika (16% më lart). Në vitin 2021, nëntë shtete anëtare regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së.

    Nivelet më të ulëta të AIC për frymë u regjistruan në Bullgari (35% nën mesataren e BE-së), Hungari (30% më pak), Sllovaki (29% më pak), Kroaci (28% më pak) dhe Greqi (25% më pak).

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit