Pasi ditën e sotme mori zyrtarisht detyrën si Kryeinspektor i Përgjithshëm, ish-deputeti i PD-së Dashnor Sula tha se do të jetë i përkushtuar si drejtues i këtij institucioni.
Por ajo që mori vëmendjen, ishte deklarata e Sulës në raport me kryeministrin Edi Rama, i cili në fushatën e zgjedhjeve parlamentare iu referua ish-deputetit demokrat me nofkën “Gjeli i Peqinit”.
Kryeinspektori i Përgjithshëm tha se ai edhe kryeministri, kurrë se kanë parë njëri- tjetrin si armiq, edhe pse kanë qenë përballë njëri-tjetrit në politikë.
“Përkushtimi do jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit deri te ora që mbyllet dhe unë ju garantoj se do jem 24 orë për çdo problem që do ketë dikush për të informuar apo për të dhëna që duhet kontakt.
Padiskutim edhe me ministren dhe kryeministrin. Gjej rastin në këtë moment sinqerisht, pavarësisht se me zonjën ministre dhe ish-kolegen Gjylameti dhe kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të çuar diçka më para për Shqipërinë”, tha ai.
Sa i përket, pozicionit që mori në administratë, Sula tha se kjo detyrë për atë është një privilegj dhe përgjegjësi e madhe për atë.
“Për mua kjo detyrë nuk është privilegj, por një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ për të përmbushur këtë mision”, deklaroi Sula.



