19.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Shkelja flagrante e të drejtave të njeriut” – Raporti i plotë i avokatëve ndërkombëtarë të Erion Veliajt për mbajtjen në burg të kryebashkiakut të Tiranës

    Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë e cila la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ardhur edhe reagimi i avokatëve të tij ndërkombëtarë.

    Përmes një raporti ata e kanë cilësuar si “shkelje flagrante të të drejtave të njeriut”. Gjithashtu përmes këtij raporti ata kanë denoncuar mungesën e akuzave dhe shkeljen e të drejtave ligjore, duke e konsideruar paraburgimin e qytetarit të parë të Tiranës si të pajustifikuar dhe në kundërshtim të plotë me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

    “Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit”, thotë ish-prokurori federal në Shtetet e Bashkuara, Daniel Fetterman.

    RAPORTI I PLOTË

    DEKLARATË E AVOKATËVE NDËRKOMBËTARË TË KRYETARIT TË BASHKISË SË TIRANËS, ERION VELIAJ, LIDHUR ME VENDIMIN E GJYKATËS SË LARTË

    Dje, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë vendosi që Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, do të qëndrojë në masën arrest me burg në IEVP Durrës, Shqipëri. Dëgjesa me dyer të mbyllura u mbajt në 8 Korrik 2025, në orën 12:00, pas shqyrtimit të dokumentave. Kryebashkiaku Veliaj hedh poshtë me vendosmëri çdo pretendim.

    Pas rreth 5 muajsh qëndrimi në paraburgim dhe një hetimi thuajse dy vjeçar nga Prokuroria e Posaçme e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (“SPAK”), Kryebashkiakut Veliaj i mohohet ende aksesi me avokatët e tij ndërkombëtarë. Mbajtja në paraburgim e Z. Veliaj ka sjellë shumë shqetësime për familjen dhe miqtë e tij.

    Burgosja pa akuzë e Z. Veliaj është miratuar më herët nga gjykatat pa kryer një vlerësim kuptimplotë nëse arrestimi i tij është i nevojshëm, proporcional apo i arsyeshëm, dhe pa vlerësimin e duhur të masave alternative ndaluese.

    Daniel Fetterman, një ish prokuror federal në Shtetet e Bashkuara dhe partner i Kasoëitz LLP, një nga firmat ndërkombëtare e cila së fundmi ka publikuar edhe një raport të përbashkët hetimor lidhur me burgosjen e paligjshme të Kryebashkiakut Veliaj, tha:

    “Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit.”

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha: “Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është jashtëzakonisht zhgënjyes.

    Sot, unë duhet të isha një hap më pranë kthimit në shtëpi, pranë familjes sime. Por, në vend të kësaj, ndodhem i burgosur dhe në izolim në IEVP Durrës, në pamundësi për t’u takuar me këshilluesit e mi ligjorë ndërkombëtarë apo për të pasur informacionin e nevojshëm për të mbrojtur veten.

    Unë do të vijoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore në mënyrë që t’i shërbej përsëri Tiranës”.

    Ben Brandon, Partner, Mishcon de Reya shtoi:

    “Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (“ECHR”) i ndalon burgosjet arbitrare, dhe garanton që arrestimi duhet të jetë një masë e nevojshme, proporcionale dhe e arsyeshme. Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar që mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.”

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit