Nga Denis Dyrnjaja
Vrasja e sotme në Shkodër, vetëm pak ditë pas një tjetër ngjarjeje të rëndë kriminale në të njëjtin qytet, konfirmon një realitet tronditës: në Shqipëri, krimi ecën lirshëm, ndërsa Policia e Shtetit është shndërruar në hallkë e procedurave që kryejnë agjencitë funerale për çdo person që ndahet nga jeta. Në këtë rast dallimi është specifik, pasi policia mbulon procedurat paraprake të atyre personave të ndjerë që ua marrin jetën.
Ngjarjet e fundit në Shkodër janë shokuese për nga mënyra demonstrative që kryhen. Vrasja e ndodhur sot në lagjen “Perash”, në një zonë të populluar dhe gjatë ditës, është një tjetër dëshmi e humbjes së kontrollit dhe mungesës së çdo mekanizmi real për parandalimin e krimit. Vrasësit nuk kanë as droje as frikë, sepse ndihen të sigurt që nuk do kapen. Ata kanë më shumë besim tek arratia, sesa qytetari te shteti dhe policia.
Prej kohësh, në shumë zona të vendit, veçanërisht në Shkodër, është krijuar klima e pasigurisë së përhershme. Policia është kthyer në një forcë reaguese dhe jo parandaluese. Me vrasje që ndodhin pak metra larg institucioneve shtetërore apo në vende publike, në prani të kamerave të sigurisë dhe pamundësia për t’i zbardhur ato, është thuajse një “vrasje” për së dyti për familjet e viktimave që kërkojnë drejtësi dhe qytetarëve që kërkojnë siguri.
Në këtë atmosferë frike e pasigurie, një shtet që nuk ndëshkon është një shtet që legjitimon dhunën. Reagimi i institucioneve të ligjit duke e marrë si standard të mirëqenë vrasjen dhe atentatet ndaj jetës se personit, mungesa e transparencës, dhe paaftësia për të garantuar sigurinë publike, janë forma që të shtyjnë të besosh, se në vend që ta luftojë, policia është më komode të bashkëpunojë me krimin. Ndihma në këtë rast konsiston te mosveprimi ose thënë ndryshe te falimentimi.
Krimi po lulëzon aty ku forca e ligjit është zëvendësuar me pasivitet burokratik dhe drejtësia me rrethim vendngjarjesh.
Nëse policisë i kanë mbetur vetëm shiritat e verdhë “skemë krimi” për të rrethuar vendngjarjet pas çdo atentati, atëherë krimi nuk ka pse të fshihet më. Ai ecën i lirë, sepse e di se askush nuk po i del përpara, kur ka siguri se policia është thjeshtë një shirit perimetri dhe jo një strukturë sigurie.