Ish-banorja e “Big Brother VIP 3”, Dea Vieri, ka bërë disa deklarata të forta gjatë një interviste në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku u ndal te marrëdhëniet dhe sinqeriteti në çift.
E pyetur nëse meshkujt shqiptarë gënjejnë përballë vajzave në lidhje me seksualitetin dhe dëshirat e tyre, Dea u përgjigj pa hezitim pozitivisht, duke sjellë edhe shembuj konkretë nga rrëfimet që ka dëgjuar.
Sipas saj, disa burra zgjedhin të jetojnë sipas pritshmërive të shoqërisë, ndërsa një pjesë të jetës së tyre e mbajnë të fshehtë.
“Shokët e mi që janë homoseksual më kanë thënë që iu ka rastisur të krijojnë raporte me burra të martuar dhe me fëmijë,” u shpreh ajo.
Dea shtoi se, sipas këtyre rrëfimeve, këta burra përpiqen të përshtaten me standardet shoqërore duke ndërtuar një imazh tradicional, ndërsa në të njëjtën kohë mbajnë sekrete të mëdha për jetën e tyre personale.
“Ata thonë se duan të jetojnë sipas standardeve të shoqërisë, duhet të jem burrë i mirë, duhet të jem bashkëshort, të kem një familje. Kjo pjesa tjetër të jetë një sekret i imi dhe është një gënjeshtër e madhe që unë i tregoj botës,” tha Dea.
Ajo gjithashtu theksoi se shpesh meshkujt shqiptarë janë të rezervuar dhe nuk e pranojnë lehtësisht veten ashtu siç janë, gjë që, sipas saj, çon në situata të tilla kontradiktore.



