Nëse analizon të gjithë retorikën e Kryeministrit Edi Rama pas 2013-s, fillimisht për mbylljen dhe më pas për hapjen e basteve dhe basteve online, kupton që ajo jo vetëm nuk është koherente, por lë shteg se pas çdo vendimi të marrë qëndrojnë interesa të ngushta.
Në 2013-n, kur sapo kishte marrë pushtetin, Kryeministri Edi Rama ndante një tjetër mendim nga sot për bastet online.
“Nuk do të ketë më në Shqipëri, baste online që vendosen për të kërkuar fatin…”, deklaronte ai.
Dy vite më vonë, bastet online jo vetëm që nuk ishin mbyllur, por në treg hyri një kompani e re, e quajtur ‘BastArena’. Kjo e fundit u përhap me shpejtësi në treg, aq sa pati zëra për një favorizim shtetëror të saj dhe thashetheme se pas kompanisë, që menaxherët i kishte turq, në të vërtetë qëndronte vëllai i Kryeministrit, Olsi Rama.
Biznesi i basteve online lulëzoi dhe në të u aktivizuan edhe kompani të tjera, që të gjitha në të zezë e për të cilat kishte akuza se qëndronte pas krimi i organizuar. Megjithatë, ‘BastArena’ përhapte fjalën se do të siguronte monopolin e basteve online në vend dhe se pikat fizike të tyre do të mbylleshin.
Në 2018-s, Rama miratoi një ligj të ri për taksimin e lojërave të fatit, ku përfshiheshin edhe bastet. Ligji lehtësonte ndjeshëm barrën e taksave për kompanitë, sidomos për lojërat e fatit dhe kazinotë. Ligji u kthye nga Presidenca. Rama ndryshoi qasje dhe këtë herë propozoi ndalimin e tyre.
“I japim përgjigje tani me ndalimin përfundimtar bixhozit dhe në vijim do t’i japim shumë përgjigje të tjera të njëpasnjëshme, siç nuk i kanë parë në ëndrrën e tyre më të keqe”, deklaronte ai në seancën plenare ku u miratua nxjerrja e jashtligjshme e bixhozit e basteve.
Çuditërisht, nëse të gjitha kompanitë e tjera nisën që të mbyllin pikat e tërheqin bazat materiale që kishin shpërndarë nëpër territorin e vendit, ‘BastArena’ shpërndante reklama e fletushka deri edhe nëpër stacione autobusësh, duke pretenduar se pas 1 janarit 2019, ajo do të ishte e vetmja kompani që do të ofronte bastet online në vend.
Qëllimi fillestar, edhe i Qeverisë në atë kohë (siç mëson Voxnews.al) ky ishte. Por, gjërat ndryshuan rrugës dhe u vendos heqja bllokimi edhe i BastArenas. Në lidhje me këtë ndryshim të beftë në qasje, nga Qeveria nuk i tha asnjë shpjegim bindës. Por, pati thashetheme se në lojë u futën elementë të krimit të organizuar, që ushtruan presion dhe kërkuan gjithashtu pjesën e vet në bastet online.
Në këtë situatë, Rama vendosi bllokimin total të tyre me shpresën se jashtë këtij tregu miliona eurosh në vit do të linte edhe krimin e organizuar.

Por, ajo që ndodhi e që koha provoi ishte e kundërta. Bastet online lulëzuan në të zezë dhe për më tepër, ajo që u nis si monopol i dhënë nga shteti ironikisht u shndërruar në një monopol të krimit të organizuar.
Beteja e policisë dhe organeve ligjzbatuese për bllokimin e tyre ishte një luftë me mullinjtë e erës. Tonin Vocaj, që Bledi Çuçi e prezantoi këtë të mërkurë si drejtor të përkohshëm të Policisë së Shtetit tha se në total janë bllokuar rreth 6 mijë faqe online për të parandaluar bastet online.
Gjergj Ruli, ish-atlet e ish-trajner i Edi Ramës e përforcoi bindjen se të gjitha kanë luajtur baste në këto katër vite.
“Të mos bëhemi hipokritë së dalin tani e thonë të hapen. Po hapi o burrë i dheut të bëhet sporti, mos shkojnë paratë në duart e pista dhe vriten se nuk sillen lekët. Të hapen dhe shteti të ketë para dhe policia të mos rrijë të kapë njerëz”, i tha ai Ramës në dëgjesën e organizuar për bastet online.
Shifra e dhënë nga Vocaj dhe pohimi i Rulit konfirmon tërthorazi përhapjen masive të fenomenit, që megjithëse i paligjshëm asnjëherë nuk u mbyll, por përkundrazi në të zezë përfitoi edhe më shumë pasi ishte përjashtuar nga taksat.
Është e paqartë se çfarë e bindi Edi Ramën që të ndryshojë mendje nëntë vite nga 2013-ta dhe katër vite nga 2018-ta, por ai njoftoi hapjen e basteve online.
“E vetmja konsideratë që ne po bëjmë është konsiderata për bastet sportive online”, tha ai, duke u zotuar se nuk do të lejohen sallat fizike ku grumbullohen ‘parazitë’, siç i quajti.
Çështja është se si do ta zbatohet ndalimi i grumbullimi të ‘parazitëve’ në një lokal, a mjedis për të parë ndeshjet (siç ndodh rëndom), në një kohë kur shteti ishte i paaftë të zbatonte mbylljen totale të basteve?
Ana tjetër e këtij vendimi, por që është më shumë në kuadrin e një thashethemi, është ajo që thotë se ‘Edi Rama i hapi bastet online pas zhvillimeve të fundit në botën e krimit të organizuar’, duke nënkuptuar këtu zhdukjen (apo ndoshta vrasjen) e Ervis Martinajt.



