Banka Botërore ka parashikuar në shifra situatën ekonomike të Shqipërisë deri në vitin 2024, i cili pritet të jetë dhe viti me më shumë stabilitet.
Që nga inflacioni që pritet të shkojë nën objektivin e BSH-së në vitin 2024, e deri tek rritja e PBB-së për frymë, në mbi 20 mijë dollarë.
Produkti i Brendshëm Bruto
Ashtu si paralajmërimet e mëhershme dhe nga të tjera autoritete, BB-ja pret që për vitin 2022, Prodhimi i Brendshëm Bruto të rritet me 3.2% me një ulje të ritmit nga viti 2021, kur rritja ishte 8.2%. Për vitin 2023, Banka parashikon një rritje ekonomike prej 3.5%, njësoj si edhe për vitin 2024.
Konsumi, investimet dhe tregtia
Pas një rritje prej 4.5% gjatë 2021-shit, këtë vit, konsumi pritet të ulë ritmin e rritjes në 2%. Kjo sepse, çmimet e rritura kanë dëmtuar konsumin familjar, që përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit. Për 2023-shin parashikohet një rritje e lehtë e konsumit, në 2.4%, për të rënë përsëri në 2% për vitin 2024.
Diferenca e investimeve është ajo më e larta, për për vitin 2022 pritet një rritje prej 0.3%, kur rritja në 2021-shin ishte 4.3%. Shqipëria rezulton si i vetmi vend në rajon që u ndihmua nga investimet për të dalë nga kriza e pandemisë. Aty përfshihen ato turistike dhe sidomos rindërtimet pas tërmetit të 2019-s.
Në vitin 2023 dhe 2024 investimet parashikohen me rritje në 0.1% dhe 1.1%, respektivisht.
Eksportet pritet të rriten me 1.5% gjatë këtij viti, pas një rritje me pothuajse 12% në vitin 2021. Ndërsa në vitin 2023 është parashikuar, rritje e eksporteve me 2.4% dhe në 2024-n me 2.1%.
Importet parashikohen me një ritëm më të ulët të rritjes për vitin 2022, 0.6%, pas rritjes me 12.4% në 2021-shin. Në 2023-2024 pritet rritje e importeve me 1.4 dhe 1.7%, respektivisht.
Inflacioni
Pas pritjeve se për këtë vit, inflacioni në Shqipëri do të arrijë 5.5%, në 2023-shin do të nisë rrugën drejt normalizimit me 4%, për t’u rikthyer nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3% në 2024-n.
Të ardhurat dhe shpenzimet
Të ardhurat priten me rritje për të treja vitet e parashikuara, 2022, 2023 dhe 2024 me 27.2%, 27.2% dhe 27.3% sipas renditjes. BB përcakton se të ardhurat u shtuan nga TVSH-ja gjatë muajve të parë të 2022-shit dhe lejuan që qeveria të shpenzojë më shumë për infrastrukturë.
Ndërsa, shpenzimet priten me rënie të ritmit rritës, nga 32.1% në 2022, në 29.9% në 2023 dhe 29.6% në 2024. Në këtë zë, rritjen më të madhe pritet ta kenë shpenzimet sociale dhe më të ulëtën shpenzimet kapitale.
Borxhi publik dhe deficiti
Të dy këto elementë parashikohen me rënie nga Banka Botërore, pas rritjes gjatë periudhës së krizës pandemike. Borxhi publik pritet të shkojë në 73.9% të PBB-së deri në fund të këtij viti. Më pas, të reduktohet në 72.1% në 2023-shin dhe në 70.9% në 2024-n. Rritja e borxhit publik, ishte fenonem i ndodhur në të gjitha vendet e rajonit gjatë pandemisë. Por shifrat e Shqipërisë ishin shqetësuese edhe për autoritet ndërkombëtare.
Deficiti pritet që për vitin 2022, të jetë sa 5% e PBB-së, 0.5% më shumë se një vit më parë. Më pas ai parashikohet të reduktohet në 2.6% të PBB-së në 2023 dhe në 2.4% në 2024.
Borxhi i Jashtëm
BB parashikon që borxhi i jashtëm për vitin 2022 të jetë sa 56.7% e PBB-së dhe të shkojë sa 57% ë 2023-shin. Në vitin 2024, borxhi i jashtëm parashikohet të ulet në 56.9%.
Remitancat nga jashtë
Banka parashikon nivel të njëjtë të remitancave për 2022, 2023 dhe 2024, me 4.8% në raport më PBB-në vendit.
PBB-ja për frymë
Banka parashikon një rritje të PBB-së për frymë në Shqipëri, duke arritur nivelet më të larta ndonjëherë. Për 2022-shin, pritet shifra e 18.369 dollarë për frymë. Për vitin 2023, 19.487 dollarë dhe në 2024-n, 20.576 dollarë për frymë.
Niveli i varfërisë
Në vitin 2022, niveli i varfërisë në Shqipëri parashikohet të bie në 19.4% nga 22% që ishte një vit më parë. Në vitin 2023, pritet rënie në 16.9%, të popullsisë. Për 2024-n, BB nuk ka bërë parashikim.
Banka nuk ka përfshirë në parashikim për 2022-23-24 as normën e papunësisë, papunësinë tek të rinjtë dhe forcën e punës.
Shqipërisë iu reduktuan 17 mijë punonjës gjatë vitit 2021 dhe është i vetmi sektor që nuk ka dhënë shenja rimëkëmbje. Sektorët që nuk u prekën ishin ato të teknologjisë së informacionit dhe ndërtimit.
Banka paralajmëron se Shqipëria nuk është aq e paprekshme nga ndikimet e luftës në Ukrainë.
Çmimet më të larta të mallrave, në veçanti vaji dhe drithërat, pritet të jetë kanali kryesor i transmetimit të efekteve. Në përgjithësi, lidhjet e drejtpërdrejta të tregtisë, dërgesave të emigrantëve dhe migracionit me Rusinë dhe Ukrainën janë të vogla. Megjithatë, Rusia dhe Ukraina janë prodhuesit kryesorë dhe eksportuesit e disa mallrave të cilat janë me rëndësi jetike për shqiptarët duke përfshirë drithërat. Priten çmime më të larta të lëndëve fosili duke rritur çmimet në transport dhe për të sjellë një raund të dytë efektesh në mallra të tjera të shportës.