Nga Vladimir Karaj
Në hollin e zhurmshëm të aeroportit të Rinasit, mesditën e 13 korrikut, Maricel* qesh dhe qan njëkohësisht. “Jemi të lira, jemi të lira,” përsërit ajo me një gëzim të papërmbajtur.
Vetëm pak çaste më parë, situata dukej e pashpresë.
Maricel, një punëtore 40- vjeçare nga Filipinet ishte në prag të dëbimit të detyruar dhe të paligjshëm nga Shqipëria, së bashku me shoqet e saj, Analyn, 42 vjeç dhe Rosalie, 38 vjeç.
Gratë u dërguan forcërisht në Rinas nga laguna e Patokut, ku punonin prej një viti, të shoqëruara nga punëdhënësi i tyre – pronar i një kompleksi turistik – dhe një punonjës policie. Bosi mbante në duar biletat e udhëtimit dhe pasaportat e tyre, të cilat ua kishte ‘sekuestruar’ që prej momentit kur mbërritën në Shqipëri gushtin e vitit të kaluar.
Tre punëtoret nga Filipinet ishin të pajisura me leje qëndrimi në Shqipëri të vlefshme deri më 23 gusht. E megjithatë, gratë panë se si punëdhënësi po i shtynte valixhet e tyre me forcë drejt zonës Check in dhe ato drejt zonës së kontrollit, në dijeninë e së paku katër punonjësve të policisë.
“Mos i prek bagazhet tona,” i tha Maricel atij, ndërsa u lutej oficerëve të policisë së pranishëm që ta ndihmonin.“Ne nuk duam të ikim. Duam të ankimojmë. Na ktheni pasaportat,” këmbënguli ajo.
“Është e diel, nuk ka njeri në zyrë. Ndiqni bosin, ai është përgjegjës për ju,” iu përgjigj njëri prej policëve.
BIRN i ndoqi peripecitë e tri grave nga Filipinet me punëdhënësit e tyre që prej pasdites së 11 korrikut, pasi mori një mesazh denoncimi nga njëra prej tyre. Edhe pse u njoftuan zyrtarë të lartë të policisë lokale dhe të Inspektoriatit të Punës, Maricel, Analyn dhe Rosalie rrezikuan dëbimin e paligjshëm, i cili u bllokua në momentin e fundit pas njoftimit të një zyrtari të lartë të Policisë së Shtetit.
Ngjashëm me këtë rast, BIRN siguroi të dhëna që tregojnë se së paku dhjetra punëtorë të tjerë të huaj trajtohen në kushtet e “skllavërisë moderne” në Shqipëri dhe një pjesë dëbohen në kundërshtim me ligjin nga punëdhënësit e tyre, ndërkohë që punonjësit e policisë i miratojnë në heshtje këto praktika dhe mbyllin njërin sy përballë paligjshmërive.
Të mbështetur nga autoritetet, punëdhënësit sillen shpesh si pronarë të fatit të punëtorëve të huaj – ata u bllokojnë pasaportat dhe i përdorin ato për kërcënim, ndërsa vendosin vetë se kur u mbaron viza dhe kur duhet të largohen nga Shqipëria.
“Në këtë periudhë ne kemi të paktën 40 raste të tilla, që konsiderohen si viktima të mundshme të trafikimit,” tha Irena Kraja nga fondacioni “Mary Ward Loreto”.
Një draft- studim i këtij fondacioni vë në dukje disa raste kur policia është njoftuar dhe ka dështuar të reagojë. “Dështimi i policisë kufitare dhe agjencive të tjera për të referuar viktimat e mundshme të trafikimit e përkeqëson këtë problem, duke i lënë punëtorët të pambrojtur,” thuhet në raport.
I pyetur nga BIRN për mosveprimin e policisë në rastet e abuzimit të punëtorëve të huaj, kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda tha se po i verifikonte këtë praktika, edhe pse nuk kishte pasur denoncime.
“Menjëherë kam ngritur një grup për të verifikuar të gjitha praktikat dhe procedurat për raste të tilla”, tha Proda në një përgjigje me shkrim. Zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj pyetjeve mbi trajtimin e punëtorëve të huaj në vend deri në publikimin e këtij shkrimi.
Punë e detyruar
Emigracioni masiv i dekadave të fundit e ka shndërruar strukturën demografike të Shqipërisë. Sipas të dhënave të Censit 2023, rreth 48% e popullsisë shqiptare jeton jashtë vendit dhe shumica dërrmuese e kësaj popullsie është ajo që konsiderohet aktive për punë, duke krijuar një hendek të thellë të fuqisë punëtore në vend – veçanërisht në sektorin e shërbimeve.
Qeveria nuk ka ndërmarrë politika efektive për të frenuar emigracionin apo për të ndihmuar emigrantët që të kthehen në atdhe. Megjithatë, ajo ka lehtësuar procedurat e rekrutimit për punëtorë nga vende më të varfra se Shqipëria – të tilla si Bangladeshi, Nepali, Filipinet dhe disa shtete afrikane.
Prania e punëtorëve të huaj nga këto vende mbetet ende e kufizuar, por të dhënat për vitin 2023, të fundit e bëra publike nga Instituti i Statistikave, tregojnë se numri i tyre u dyfishua në vitet 2022-2023. Si rrjedhojë, 3,784 shtetas nga Azia dhe 1,028 nga Afrika përfituan leje qëndrimi në Shqipëri gjatë vitit 2023.
Maricel, Analyn dhe Rosalie e kanë kaluar thuajse gjysmën e jetës së tyre në emigracion, duke punuar kryesisht si dado në Hong Kong, në ishullin fqinj në jug të Kinës. Por verën e vitit 2024 ato vendosën që të vinin në Shqipëri, pasi siguruan një kontratë pune 2-vjeçare si “ndihmëse në kuzhinë” në një restorant në Patok me pagë minimale prej 40 mijë lekësh në muaj.
Maricel i tha BIRN se ato punuan në të vërtetë si pastruese hoteli e mjedisi të jashtëm, me orare që zgjasnin deri në 12 orë në ditë dhe merrnin një pagesë fikse në cash për orët e punës shtesë që e çonin pagën e tyre mujore në 700 euro.
Me kërkesë të punëdhënësit, ato bënin edhe punë të tjera që nuk ishin parashikuar në kontratë. Shpesh kur në restorant organizoheshin festa, tre gratë duhej të punonin edhe deri në 18 orë për të pastruar restorantin pas mbylljes së tij në orën 3 të mëngjesit.
Nëse refuzonin një punë, ato përballeshin me kërcënime për deportimin nga të zotët apo stafi shqiptar. Ndërsa u ishte thënë se ushqimi do të sigurohej nga punëdhënësi, ato thonë se shpesh detyroheshin të lypnin dhe të hanin mbetje të ushqimit në kuzhinë.
“Edhe kokat e peshkut që restoranti i hidhte nuk na i jepnin nëse nuk luteshim. Duhej të shkonim dhe të lypnim: “Zotëri të lutem mos i hidh, na i jep ne të bëjmë supë,” tregon Rosalie.
Pavarësisht se kontrata ishte 2-vjeçare, gratë pretenduan se kishin bërë një marrëveshje verbale me administratoren e kompanisë që të punonin deri në gusht, kur u përfundonte edhe leja e qëndrimit. Por në fund të qershorit, një prej agjentëve ndërmjetës me të cilët ata ishin në kontakt u bëri me dije se kompania ku punonin po bënte procedurat për t’u zgjatur lejet e qëndrimit pa dijeninë e tyre.
Maricel i tha BIRN se kjo ishte një përpjekje për t’i mbajtur ato me detyrim në vendin e punës. Kur u thanë pronarëve se donin që të iknin, u përballën me presion, kërcënime dhe akuza.
Mbrëmjen e 11 korrikut, Analyn i shkroi fillimisht BIRN se punëdhënësi nuk u jepte pasaportat dhe po i shtrëngonte që të paguanin një penalitet në këmbim të kthimit të tyre. Penaliteti i përshkruar në një shkresë e thjeshtë të formatuar nga punëdhënësi përfshinte dëme dhe kompensime në vlerën e 430 mijë lekëve – një shumë e barabartë kjo me paratë që secila prej tyre kishte marrë sipas kontratës përgjatë gjithë vitit.
Në një video të regjistruar nga punëmarrëset, administratorja e biznesit dëgjohet t’u thotë se nuk do t’u kthente pasaportat nëse ato nuk paguanin penalitetet dhe se prishja e kontratës ishte një shkelje e rëndë. “Pagesën e dua tani,” dëgjohet ajo, ndërsa i kërcënon tre punëtoret se do t’ua kontrollojë bagazhet me polici, pasi i akuzon për sende të humbura në kompleks.
Eljo Muçaj, drejtor i Inspektoriatit të Punës, i tha BIRN se asnjë nga palët nuk mund të përcaktonte dëmshpërblime në këtë formë dhe se këtë mund ta bënte vetëm gjykata.
“Paga është e paprekshme për punën e kryer,” shpjegoi Muçaj, duke iu referuar situatës dhe kërkesës së punëdhënësit për të mbajtur pagën.
Ai thotë se edhe prishja e menjëhershme e kontratës nuk mund të konsiderohej penalizuese nëse kishte arsye që kishin sjellë këtë prishje. Muçaj shtoi se përpjekja e punëdhënësit për të zgjatur kontratën në mënyrë të njëanshme konsiderohet shkelje e rëndë.
“Të adreson te puna e detyruar, që është shkelje e të drejtave themelore,” tha ai.
Pa të drejta dhe liri
Mbajtja e pasaportës konsiderohet privim i lirisë në legjislacionin shqiptar dhe ajo mund të sanksionohet vetëm me vendim gjykate ndaj një personi nën hetim, për të ndaluar shmangien nga drejtësia. Por ky privimi i lirisë përmes mbajtjes së pasaportës është i zakonshëm për punëtorët e huaj në Shqipëri dhe u dëshmua nga BIRN edhe në një investigim të mëparshëm.
Irena Kraja, drejtuese e programit antitrafik pranë fondacionit “Mary Ward Loretto” thotë se sekuestrimi i pasaportave prej punëdhënësve bëhet për të pasur kontroll absolut mbi punëmarrësit.
“Prandaj shkojnë dhe marrin punonjës kaq larg, në mënyrë që t’i shfrytëzojnë 24/ 24 dhe t’i kenë nën kontroll,” thotë Kraja, ndërsa shton se punëtorët e huaj në Shqipëri “nuk kanë të drejta dhe liri”.
Një draft-studim i fondacionit “Mary Ward Loretto” me intervista të punëtoreve të huaja nga Filipinet dhe vende të Afrikës tregon se mbajtja e paligjshme e pasaportës është vetëm një nga shkeljet. Punëtoret e huaja në Shqipëri përballen gjithashtu me rekrutime mashtruese, praktika të pandershme të punës si dhe me detyrimin për të kryer punë të ndryshme nga ato për të cilat janë rekrutuar – abuzime të cilat lehtësohen nga mungesa e veprimit të autoriteteve të policisë dhe emigracionit.
Në rastin e një punëtoreje nga Kenia, raporti thekson se autoritetet u njoftuan për shkeljen e të drejtave themelore të saj, por nuk vepruan. Gruaja u dëbua në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria, pa iu dhënë mundësia që të ankohej apo dëgjohej.
Dëshmitë e tjera të mbledhura tregojnë se në mjaft raste, autoritetet ishin në dijeni të mbajtjes së pasaportës nga punëdhënësi, një vepër penale që kufizon lirinë e punëtorëve të huaj dhe i shtrëngon ata në punë edhe jashtë dëshirës së tyre. Raporti thekson gjithashtu se punëdhënësit i “tregtojnë” punëtorët e huaj mes njëri-tjetrit, duke kaluar edhe pasaportat apo dokumentet e tyre nga njëra dorë në tjetrën.
“Punëtorët emigrantë, veçanërisht ata nga Filipinet, përballen me shumë sfida në Shqipëri që dëshmojnë për forma të skllavërisë moderne dhe trafikimin e qenieve njerëzore,” thuhet në draft-raport.
Gentian Serjani, avokat i cili ka ndjekur disa nga rastet e shfrytëzimit të punëtorëve të huaj i tha BIRN se mbajtja e paligjshme e pasaportës sjell shkelje të tjera të ligjit.
“Kjo praktikë shpesh është e lidhur me forma të shfrytëzimit dhe punës së detyruar, që janë penalisht të dënueshme, pasi mund të jemi para elementëve të veprës penale të marrjes peng ose të heqjes së lirisë,” tha Serjani.
Irena Kraja nga fondacionit “Mary Ward Loretto” thotë se autoritetet nuk i marrin me seriozitet ankimet, edhe kur bëhet fjalë për paligjshmëri si mbajtja e pasaportës.
“Ky reagim i autoriteteve dhe neglizhenca para veprës penale është e përsëritur,” tha ajo.
Kreu i Inspektoriatit të Punës, Eljo Muçaj la të kuptohej se kjo ishte kthyer në një praktikë nga punëdhënësit.
“Nga subjektet interpretohet si një lloj garancie për të mos u larguar fshehurazi dhe përfshirje në emigracion të paligjshëm ose çështje të tjera, duke i ngarkuar ata me një lloj përgjegjësie pasi leja unike është nxjerrë nga kompania,” tha Muçaj, duke shtuar se “Inspektorati nuk kishte tagër të vepronte në këto raste”.
Policia e Shtetit pretendon se abuzimet e kësaj natyre nuk denoncoheshin nga punëtorët e huaj. Në një përgjigje me shkrim, policia tha se kishte referuar vetëm katër denoncime në Prokurori.
I pyetur për faktin pse punonjësit e policisë nuk reagojnë edhe kur ndodhen përpara shkeljeve, kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda premtoi penalizim.
“Ju siguroj se asnjë punonjës policie që implikohet në veprimtari të kundërligjshme nuk do mund të shpëtoje pa ndëshkimin disiplinor dhe ligjor,” tha Proda.
Ndalimi i dëbimit
Në kompleksin e luginës së Patokut, presioni ndaj tre punëtoreve filipinase u shtua mëngjesin e 12 korrikut – kur ato u paralajmëruan se do të dëboheshin.
“Punonjësit e policisë nuk flasin anglisht dhe ne jemi të frikësuar se kanë lidhje me bosin,” i tha Maricel BIRN përmes telefonit.
E njoftuar nga BIRN, Drejtoria e Policisë së Lezhës dërgoi një oficer policie që fliste anglisht, por biseda e regjistruar nga punëmarrëset sugjeron se ai u rreshtua menjëherë në krahun e punëdhënësit, edhe pasi u njoh me mbajtjen e paligjshme të pasaportës.
“Pasaporta është garancia ime. A kupton?! Me më bo me ik këto mu s’më bje më njeri kush tjetër”, dëgjohet t’i thotë pronari, oficerit të policisë, duke treguar se kishte shqetësim sigurimin e punëtorëve të tjerë të huaj.
Oficeri i policisë pyet sërish: “I ke majt (pasportat)? Punëdhënësi aty për aty konfirmon, duke shtuar tani një arsye të re. “S’mi ka dhënë lekët, penalitetet. S’mi kanë dhënë,” shton ai.
Oficeri i policisë, pavarësisht se është tashmë në dijeni të paligjshmërisë dhe vetëgjyqësisë nga punëdhënësi, sugjeron i pashqetësuar: “Pse s’i ke majt rrogën mrena?!”.
Nga biseda del që punëdhënësi kishte biseduar ndërkohë me një punonjës të policisë kufitare dhe ishte rënë dakord se gratë do të përcilleshin pa cermoni jashtë Shqipërie. “Të paguajnë lekët e penalitetit, t’i vëmë në avion e të ikin nga Shqipëria,” thotë ai.
Ndërsa ndërmjetëson mes palëve, punonjësi i policisë, i cili nuk përkthen korrektësisht bisedën, u ofron grave në anglisht 2 zgjidhje, të dyja të pabazuara në ligj. E para të paguanin penalitetin e caktuar njëanshmërisht nga pronari, pasi ai “humb shumë para”; ose të nënshkruanin një deklaratë dorëheqje e të qëndronin edhe dy muaj në punë.
Tre emigrantet i kundërshtuan të dyja variantet.
Të dielën më 13 korrik, punëdhënësi hoqi dorë nga dëmshpërblimi, por bashkë me një oficer policie, i mori punëtoret në makinë dhe i çoi drejt Rinasit. Ai i vendosi pasaportat e tyre në kofano, bashkë me biletat e udhëtimit që i kishte blerë pa i njoftuar punëtorët dhe pa u bërë me dije destinacionin.
“Kjo ishte hera e parë që i shikonin pasaportat tona që prej mbërritjes në Shqipëri,” tha Maricel.
Pa u pyetur dhe pa u sqaruar, tre gratë bashkë me bagazhet u zbritën në Rinas dhe u shtynë drejt zonës së kontrollit. “Të lutem na shpëto”, shkruan ato në mesazhe për BIRN.
Pas njoftimit të drejtuesve të policisë, aksioni i dëbimit ngeci dhe njëri prej oficerëve në pikën e kontrollit i kërkoi punëdhënësit që t’u kthente emigranteve pasaportat.
Në mënyrë demonstrative, një punonjës policie filmoi me celular procesin e dorëzimit të pasaportave nga punëdhënësi te tre punëtoret nga Filipinet dhe më pas u largua. Përveç fotove, procesi nuk u dokumentua.
Policia e Shtetit referon një numër të ulët dëbimesh për personat me vizë pune – 11 emigrantë gjithsej nga viti 2024 e deri më sot. Por Kraja nga fondacioni “Mary Ward Loretto” thotë se rastet nuk regjistrohen dhe as raportohen si dëbime.
“Policia nuk i raporton fare rastet që dëbohen, kur punëdhënësi i ka dërguar në aeroport. O vërtet nuk kanë njohuri, o bëjnë vetë sikur nuk e kuptojnë,” tha ajo.
Kraja përshkroi një rast, ku pesë shtetas filipinas u dëbuan njëherësh, pasi u mbajtën mbyllur në një dhomë që të mos largoheshin. Këta persona nuk përmenden në të dhënat e policisë.
Dy ditë pas episodit në Rinas, Maricel, Analyn dhe Rosalie kanë marrë një shtëpi me qira në Tiranë dhe janë në kërkim të një pune të re. Në pikun e sezonit turistik në Shqipëri, kjo nuk duket një punë e vështirë.
Të enjten e 17 korrikut, Maricel merr sërish e gëzuar në telefon: ajo sapo ka gjetur punë një një kompleks tjetër turistik.
*Emrat e tre grave u ndryshuan me qëllimin për t’i mbrojtur ato nga pasoja apo hakmarrje të mundshme, përsa kohë që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri.