9.5 C
Tirana
E enjte, 30 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Shqipëria humbet vetëm 18 mln dollarë ndihmë nga Amerika, pas vendimit të Donald Trump

    Nga Brixhilda Xhuraj

    Në muajin e parë të mandatit të tij, presidenti amerikan Donald Trump shpalli një pauzë 90-ditore për pothuajse të gjithë financimet e huaja të SHBA-ve, një vendim që ngriu një aparat të gjerë ndihmash ndërkombëtare, duke përfshirë projekte që variojnë nga armët e luftës deri tek ilaçet jetike.

    Pezullimi i financimeve, i bazuar në një urdhër ekzekutiv, kërkoi një rishikim të më shumë se 60 miliardë dollarëve të ndihmës ndërkombëtare, për t’u vlerësuar nëse janë në përputhje me qëllimet e politikës së jashtme të SHBA-ve.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, urdhëroi “ndalimin e punës”, duke pezulluar menjëherë projektet që ishin në zhvillim, dhe duke krijuar pasiguri për shumë shtete, përfshirë Shqipërinë.

    Vetëm një ditë më parë, Ambasada amerikane në Tiranë i ka dërguar një notë diplomatike të gjithë institucioneve më të larta shqiptare, ku njoftohet ndërprerja me efekt të menjëhershëm e mbështetjes dhe fondeve, deri në një rishikim të dytë.

    Vendimi ka ndikuar drejtpërdrejt në financimet ndërkombëtare për Shqipërinë, e cila vlen të theksohet se ka parë një rënie të dukshme të mbështetjes amerikane vitin e shkuar.

    Për vitin 2024, Shqipëria ka marrë një mbështetje financiare prej 18,470,118 dollarësh nga agjencitë amerikane.

    Sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan, ky është një financim dukshëm më i ulët krahasuar me vitin 2023, kur Shqipëria mori 38,540,120 dollarë.

    Në vitin 2024 vendi u rendit i 11-të nga 28 shtete të rajonit, ndërsa në 2023-shin, Shqipëria ishte në vendin e 10-të, me një mbështetje financiare më të madhe.

    Sipas të dhënave të publikuara, një pjesë e konsiderueshme e fondeve të alokuara është drejtuar drejt përmirësimit të sigurisë kibernetike të vendit.

    Gati 8.1 milionë dollarë janë alokuar për aktivitete të sigurisë kibernetike, duke e bërë shifrën më të lartë të financimit.

    Ndihma përfshiu forcimin e mbrojtjes kundër sulmeve kibernetike, investime në infrastrukturën kibernetike, trajnim në IT dhe specializime të ndryshme.

    Financimi erdhi nga Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Mbrojtjes.

    Fill pas sigurisë kibernetike është renditur qeverisja e mirë, për të cilën SHBA-të kanë ndihmuar me 1.797 milionë dollarë.

    Fokusi i saj u shpërnda në përmirësimin e transparencës, llogaridhënies, efikasitetit të institucioneve publike, mbështetjen e shoqërisë civile dhe angazhimin publik.

    Financimi kryesor erdhi nga Departamenti i Thesarit.

    Sakaq 1.5 milionë dollarë u dhanë për ndërtimin e kapaciteteve të komuniteteve për të përballuar krizat, përfshirë edhe katastrofat natyrore.

    Përkundër rënies në vitin 2024, Shqipëria ka arritur të përfitojë mbështetje nga SHBA-të, edhe pse në nivele më të ulëta.

    Vlen të theksohet se rënia e financimeve vitin e shkuar ndodhi në një kontekst më të gjerë, ku vendet si Ukraina, Izraeli, Jordania dhe Egjipti patën një prioritet më të lartë për ndihmën ushtarake dhe humanitare për shkak të konflikteve dhe krizave të sigurisë në këto rajone.

    Teksa Shqipëria humbet disa ndihma të rëndësishme, shtete të tjera po përjetojnë një ndikim edhe më të thellë.

    Se sa e përhershme do të jetë kjo pauzë 90-ditore në financimet e administratës Trump, është ende e paqartë dhe pritet për t’u parë.

    Por diçka është e sigurt, ajo përfaqëson një ndryshim në politikën e jashtme amerikane dhe do të hapë rrugë për mbushjen e këtij “boshllëku të ndihmave” nga fuqi që presin jashtë dere.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit