10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Shqipëria mbetet e fundit në Europë për konsumin për frymë, me të njëjtën sasi parash blen më pak produkte se kudo

    Ndonëse pagat, sidomos në sektorin shtetëror po rriten vazhdimisht, me to mund të blesh më pak produkte, duke e bërë jetesën gjithnjë e më të shtrenjtë, teksa çmimet janë si në Europë, apo dhe më shtrenjtë.

    Eurostat ka publikuar sot treguesit për të ardhurat për frymë dhe konsumin individual për frymë të përditësuara për vitin 2023, ku Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të dy treguesit. Të dhënat për Kosovën mungojnë.

    Në treguesin e konsumit individual për frymë (AIC), i cili mat fuqinë blerëse të mallrave e shërbimeve, Shqipëria renditet e fundit, me 41% të mesatares europiane, duke e ulur nga shifra e hershme që u publikua në qershor, kur treguesi ishte 42%, çka tregon për një rënie të fuqisë blerëse reale. Edhe në 2022, ky treguesi ishte 41%. Ky tregues është një pikë përqindje më i ulët se Bosnjë Hercegovina (në 2022 ishim në të njëjtat nivele). Nivelin më të lartë e ka Mali i Zi me 64% (nga 63% në 2022), e ndjekur nga Serbia me 55%, me rritje me 1 pikë përqindje dhe Maqedonia e Veriut me 49%, nga 50% në 2022.

    Edhe në treguesin tjetër, atë të të ardhurave për frymë, Shqipëria është e fundit në Europë, me të ardhura sa 36% e mesatares së BE-së, në të njëjtin nivel me Bosnjë Hercegovinën.

    Maqedonia e Veriut kishte të ardhura sa 41% e BE-së, njësoj me vitin e mëparshëm. Serbia e kishte këtë tregues 49%, nga 44% vitin e mëparshëm. Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 51%, nga 50% vitin e mëparshëm.

    Sipas shpjegimit të Eurostat, megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme.

    Çmimet në Shqipëri sa vijnë e po shtrenjtohen në raport me mesataren e BE-së. Në vitin 2023 ato ishin sa 58% e mesatares europiane, nga 54% në 2021. Ato mbeten të dytat më të shtrenjtat në rajon pas Serbisë (59%) dhe shumë më të larta se në Maqedoninë e Veriut (48.7%).

    Rritja ekonomike e nxitur kryesisht nga fluksi i lartë i ndërtimeve dhe shitjeve të pasurive të paluajtshme, apo dhe numri i lartë i turistëve nuk duket që të jenë përmirësuar mirëqenien e shqiptarëve në dy vitet e fundit.

    Gjatë vitit 2023, ekonomia shqiptare u rrit me 3.4%, duke u ngadalësuar në krahasim me zgjerimin prej 4.86% të 2022-t. Rreth gjysma e kësaj rritjeje erdhi nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, që u zgjeruan përkatësisht me 9.7% dhe 11.3%. Duket se kjo rritje që po vjen nga ndërtimi nuk po arrin të përmirësojë mirëqenien e shqiptarëve, që vijojnë të mbeten më të varfrit e Europës.

    Europa

    Në vitin 2023, nivelet e konsumit aktual individual (AIC) në vendet e BE-së varionin midis 70% dhe 136% të mesatares së BE-së. AIC përfshin të gjitha mallrat dhe shërbimet që përdorin familjet, pavarësisht nëse ato janë blerë dhe paguar nga familjet drejtpërdrejt, nga qeveria ose nga organizata jofitimprurëse. Mund të konsiderohet si një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

    Vitin e kaluar, 9 vende regjistruan një AIC për frymë mbi mesataren e BE-së. Luksemburgu shënoi nivelin më të lartë me 36% mbi mesataren e BE-së. I ndjekur nga Holanda dhe Gjermania (të dyja 19% më lart).

    Nivelet më të ulëta të AIC për frymë u regjistruan në Hungari dhe Bullgari (të dyja 30% nën mesataren e BE-së) dhe Letoni (26% më poshtë).

    Gjatë 3 viteve të fundit, AIC për frymë në raport me mesataren e BE-së ka ndryshuar në shumicën e vendeve të BE-së. Midis viteve 2021 dhe 2023, nivelet e AIC u rritën në 15 vende të BE-së, veçanërisht në Irlandë (99% e mesatares së BE-së në 2023 krahasuar me 91% në 2021), Qipro (100% vs 94%) dhe Maltë (90% vs 85% ).

    Nga ana tjetër, nivelet e AIC u ulën në 11 vende të BE-së. Uljet më të mëdha u regjistruan në Danimarkë (108% në 2023 kundrejt 122% në 2021), Suedi (106% kundrejt 112%), Lituani (88% vs 93%) dhe Çeki (81% kundrejt 86%).

    Luksemburgu regjistroi nivelin më të lartë të PBB-së për frymë të shprehur në standardet e fuqisë blerëse në BE, në 137% mbi mesataren e BE-së, përpara Irlandës (113%) dhe Holandës (33%).

    Nga ana tjetër, Bullgaria (36% nën mesataren e BE), Greqia (31%) dhe Letonia (30%) shënuan nivelet më të ulëta.

    GDP për frymë në raport me mesataren e BE-së gjithashtu ka ndryshuar ndjeshëm për shumicën e vendeve gjatë 3 viteve të fundit.

    Në vitin 2023, krahasuar me vitin 2021, vëllimet relative të PBB-së për frymë u rritën në 12 vende. Rritjet më të mëdha u regjistruan në Portugali (81% e mesatares së BE-së në 2023 krahasuar me 74% në 2021), Spanjë (91% vs 85%), Rumani (78% vs 72%) dhe Kroaci (76% vs 70%) .

    Niveli i PBB-së për frymë ka rënë ndjeshëm në Luksemburg (237% vs 260%), Irlandë (213% vs 226%), Danimarkë (125% vs 134%) dhe Suedi (114% vs 121%).

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit