Në Shqipëri po ngrihet një pyetje gjithnjë e më shpesh: kush do t’i blejë të gjitha këto kulla që po ndërtohen në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe ndonjë tek tuk në Shkodër?
Në dekadën e fundit, sidomos në Tiranë, janë dhënë me qindra leje ndërtimi për ndërtesa që sfidojnë çdo logjikë urbane e demografike. Bëhet fjalë për kulla që variojnë nga 20 deri në mbi 60 dhe në disa raste, sipas projekteve, edhe 100 kate si ajo në qendër të kryeqytetit. Ky bum ndërtimi është zhvilluar në mungesë të një rritjeje proporcionale të popullsisë, të kërkesës reale për banesa apo të një tregu të qëndrueshëm të pronës. Përkundrazi, Shqipëria është në kulmin e një zbrazjeje demografike historike.
Ekspertë të tregut imobiliar kanë paralajmëruar vazhdimisht se Shqipëria rrezikon të përballet me një fluskë të ngjashme me atë të para krizës globale të vitit 2008. Por në vend që të shohim shenja frenimi, duket se po përgatitet një “zgjidhje” tjetër, e cila vjen nga jashtë vendit – konkretisht nga praktikat e ndjekura nga disa shtete të BE-së dhe të afërsisë së saj.
Golden Passport si mekanizëm shpëtimi?
Zëra në qarqe të ngushta pranë qeverisë, po qarkullojnë idenë e aplikimit të një skeme të ngjashme me “Golden Visa” apo “Golden Passport”, që do t’u ofrohej shtetasve nga Afrika, Lindja e Mesme, Amerika Latine apo Azia. Ideja është artikuluar fillimisht nga zyrat e Ministrisë së Financave, rreth viteve 2016-2017, ku variantet ishin dy: Ose jepen “Golden Passport” për shtetasit jo-europian, ose të kthehej Shqipëria në një zonë offshore. Kjo e fundit do ta largonte Shqipërinë nga Bashkimi Europian, mbetet alternativa e parë.
Skema e “Golden Passport” do të funksiononte si vijon: një individ që investon një shumë të caktuar në pasuri të paluajtshme në Shqipëri, fiton nënshtetësinë shqiptare — dhe me të, të drejtën për të lëvizur lirisht në hapësirën europiane për deri në 6 muaj në vit, pa pasur nevojë për vizë.
Kjo do të shërbente jo vetëm si karrem për të shitur miliona metra katror ndërtimi që aktualisht nuk kanë blerës të mundshëm vendas, por edhe si një burim i ri të ardhurash për buxhetin. Por sa realiste është kjo strategji?
Shtetet që aplikuan “Golden Passport”, u fshikulluan nga BE
1. Malta – Rasti më kontroversial
Malta është ndër vendet më të përfolura për programin e saj të “Individual Investor Programme” (IIP), i cili u lançua në vitin 2014. Ai u ofronte nënshtetësi të plotë qytetarëve jo-europianë në këmbim të një investimi prej mbi 1 milion euro. Pavarësisht përfitimeve financiare, Malta u përball me akuza për shitje të nënshtetësisë dhe pas presionit nga BE, programi u pezullua në 2020.
2. Qipro – Një tjetër shembull i dështuar
Qipro aplikoi një program të ngjashëm, por raportimet për përfshirje të individëve të dyshimtë dhe të lidhur me korrupsionin ndërkombëtar çuan në ndërprerjen e tij në vitin 2020. BE nisi hetime dhe vendosi sanksione për mosrespektim të standardeve të transparencës dhe sigurisë.
3. Portugalia dhe Greqia – Skema më të moderuara
Ndryshe nga Malta e Qipro, Portugalia dhe Greqia ofrojnë “Golden Visa” – një leje qëndrimi afatgjatë (jo pasaportë), e lidhur me investime në prona, e cila mund të çojë më vonë në nënshtetësi pas qëndrimi të gjatë dhe integrimi. Këto skema kanë ndihmuar në nxitjen e investimeve, por janë kritikuar për ndikimin në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe për krijimin e krizave të banesave për qytetarët vendas.
Rasti i Shqipërisë: A do ta lejojë BE?
Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, është e detyruar të harmonizojë politikat e saj me standardet e BE-së — përfshirë ato që lidhen me shtetësinë, lëvizjen e lirë dhe sigurinë.
Komisioni Europian ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se programet e shtetësisë për investitorë janë në kundërshtim me vlerat e BE-së, sidomos kur ato përdoren si rrugë anësore për të hyrë në union pa kaluar filtrat e rregullt. Kjo është arsyeja pse Malta dhe Qipro u vunë nën lupën e BE-së.
Nëse Shqipëria do të aplikojë një model të ngjashëm, ka gjasa të përballet me presion politik dhe diplomatik, deri në rrezikimin e ngadalësimit të procesit të integrimit. BE-ja nuk ka mekanizëm të drejtpërdrejtë për të ndaluar dhënien e shtetësisë nga një vend kandidat, por mund të reagojë përmes pezullimit të disa përfitimeve apo kushtëzimit të negociatave, nëse konsideron se skema cenon sigurinë dhe integritetin e hapësirës europiane.
Ideja e një “golden passport” për të shpëtuar tregun e fryrë artificialisht të ndërtimit në Shqipëri mund të duket si një rrugëdalje afatshkurtër. Por në thelb, ajo nuk zgjidh problemin themelor: mungesën e një politike të qëndrueshme urbane dhe zhvillimore, të bazuar në nevojat reale të popullsisë.
Nëse Shqipëria ndjek shembujt më të dështuar të BE-së, ajo rrezikon të hyjë në një konflikt të drejtpërdrejtë me Brukselin, të vonojë integrimin dhe të minojë besimin ndërkombëtar në institucionet e saj.
Ndërtimi i qindra kullave nuk është vizion, por është spekulim. Dhe shitja e pasaportave nuk është zgjidhje, por është kapitullim përballë një modeli zhvillimi që nuk qëndron më as mbi beton.