17.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Shqipëria tjetër: Në burg se vodhi 3 mijë lekë skrap për bukën e gojës

    Në burg për vetëm 3000 lekë të reja. Ky është fati i dy të rinjve rom, Gersjan Berisha dhe Klodi Qerimi, njëri 18 dhe tjetri 22 vjeç, të cilët ndodhen prej disa muajsh në paraburgim në Tiranë të akuzuar për “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, pasi kanë vjedhur materiale që i kanë shitur për skrap.

    Të dy këta të rinj janë të papunë dhe kanë gjetur si mënyrën e vetme për të mbijetuar, shitjen e materialeve për skrap. Njëri prej tyre madje ka dhe një foshnje 8-muajshe, që tashmë është e vetme në shtëpi pa të ardhura dhe pa vetë babain e saj.

    Para oficerëve, Klodi Qerimi është shprehur se vjedhjen e ka kryer pasi nuk ka bukë për të ngrënë dhe se ka foshnjën e vogël për të ushqyer. Ndërkohë Fax Neës ka kontaktuar nënën e të riut tjetër të arrestuar, Gersjan Berisha, e cila i bëri thirrje autoriteteve që të mos e dënonin djalin e saj, pasi është i sëmurë dhe vjedhjen e ka kryer nga kushtet e vështira.

    “Dua që fëmijën tim mos ma dënojnë, ai është i sëmurë pasi krahun e ka të thyer, mushkrit i ka cop copë pasi ka rënë dy tre herë me motor. Atë ditë që e kanë kapur çunin tim ai ishte i vrarë pasi kishte rënë”, u shpreh nëna e të arrestuarit.

    Nëna e djalit tregoi gjithashtu se djali ka dëmtuar dorën gjatë vjedhjes, duke shtuar se ata nuk kanë as shtëpi tyren por banojnë në një banesë sociale.

    “Më qante çuni jam shumë sëmurë, do të vras veten, unë i kam thënë skam çfarë të bëj. Jetojmë duke mbledhur hekura kanaçe, s’kemi çfarë të bëjmë. Çuni u detyrua ngaqë nuk kishte të hante dhe e bëri këtë gjë. Më ka thënë nënë e kam bërë nga sikleti sepse s’kemi çfarë bëjmë. E kam jetim çunin”, tha nëna e dy të rinjve romë.

    Për të na shpjeguar më mirë rastin në aspektin ligjor, Fax News ka kontaktuar dhe avokatin Gentjan Serjani, i cili përfaqëson në gjyq të riun rom. Gentjan Serjani deklaroi se dy të rinjtë rrezikojnë deri në 5 vite burg për këtë vepër penale.

    “Nëna na u paraqit pranë zyrës tonë për ta përfaqësuar djalin dhe shokun e tij pasi është një vepër penale e cila nuk është me vullnetin e tyre të plotë. Janë dy familje që trajtohen me ndihmën ekonomike njëra me 3 persona dhe tjetra 5 persona në masën 80 mijë lek të vjetra dhe 50 mijë lekë të vjetra. Kjo shumë është e papranueshme pasi një familje me 5 persona nuk mund të ushqehen me 80 mijë lekë të vjetra.

    Nuk dua të justifikoj vjedhjen por këta njerëz duhet të kenë minimumin jetik. Ata rrezikojnë deri në 5 vite burg. Nëse dënohen 5 vite shteti shqiptar cdo ditë kosto ditore paguan 35 mijë lekë të vjetra, imagjino tani që ky i dënuar do të marrë 35 mijë lekë të vjetra pasi ka kryer një vepër penale që ne nuk mund ta parandalonim”, u shpreh Gentjan Serjani.

    Avokati ndër të tjera u shpreh se shteti duhet të miratojë ‘minimumin jetik’, si e vetmja mënyrë për të shmangur vjedhje të tilla që kryhen për të siguruar bukën e gojës.

    “Duke qenë vendi në rajon më i varfër, ne sot nuk kemi të miratuar një minimum jetik që këta qytetarë mos kryejnë vepër penale. Nëse këto familje trajtohen me 80 mijë lekë të vjetra është e pamundur që të ushqehen pasi elementët kriminalë do të jetë në rritje. Përcaktimi i minimumit jetik është zgjidhje që këta individë të integrohen në shoqëri”, tha ai.

    I pyetur sa është ky minimum jetik që duhet të miratojë shteti për t’i ardhur në ndihmë personave në nevojë, avokati tha se ky minimum jetik është përllogaritur në 16.000 lekë të reja.

    “Minimumi jetik është përfshirja e një shume minimale që duhet t’i jepet individit për të mbuluar nga ushqimi, veshmbathje. 160 mijë lekë të vjetra duhet të jetë minimumi”, përfundoi ai.

    Mbrojtja për të riun rom ofrohet nga organizata “Drejtësi Sociale” në kuadër të projektit “Mbrojtja ligjore mjet për organizimin komunitar të komunitetit rom dhe egjiptian”, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit