Ngjarja e ndodhur në Fushë-Krujë nuk është një rastësi, mos u habisni. Nuk është rastësi për dy arsye:
-E para, këtu më shpejt të gjen hasmi sesa shteti!
-E dyta, Shqipëria ka një strukturë të dobët të sigurisë së jetës!
Midis viktimave që u shkrumbuan në mesin e ditës ishte edhe një 22-vjeçar. Një 22-vjeçar që sipas mediave lëvizte me badigardë e që kishte dy vite i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia.
Një 22-vjeçar që akuzohet për vrasjen e një polici të FNSH-së dhe një ish-polici në Laç. Një 22-vjeçar që dyshohej se lëvizte lirshëm mes Laçit dhe Tiranës, që dëfrehej në lokalet e Bllokut, bënte plazh në Jug, dhe që raportohet në media se linte shumë para në lokalet e tallavasë në Laç.
Po si ka mundësi që një person i tillë, nuk binte në gjurmët e policisë, por ra në gjurmët e hasmit. Përgjigjia është e thjeshtë; këtu bandat dhe antarët e bandave kriminale nuk preken. Ata bëjnë ligjin në qytet para syve të policisë e madje këta të fundit u heqin kapelen kur u kalojnë përara këmbëve me shpejtësi.
Por guxo të lidhësh dritat, të riparosh çatinë, të mbledhësh kanaçe ose plastikë për të mbijetuar, ose provo të shesësh misra, të vjen fugoni i FNSH-së me sekonda e të rrasin brenda. Këtu vërtetohet sesa të pafuqishme janë institucionet tona dhe sa e cënueshme është siguria e jetës nga bandat kriminale, të cilat për territor u bëjnë atentate njera-tjetrës.
Këto situata i shohin edhe politikanët, por nuk reagojnë. Bandat dhe antarët e tyre u duhen për fushatë elektorale. Janë ata që u sponsorizojnë mitingjet, u mbledhin njerëz, u japin vota, u shantazhojnë njerëzit e lirë që të mos shkojnë në votime.
Për një muaj ata punojnë për politikanët dhe për katër vite politikanët punojnë për ta. I lënë të shëtisin lirë, të trafikojnë lëndë narkotike, të vënë gjoba, e me radhë.
Këta e kanë kthyer Shqipërinë në një vend të pasigurtë. Nuk është vetëm një atentat, por janë bandat në lëvizje, të cilat në Fushë-Krujë dje mund të kishin hedhur në erë edhe dhjetra makina qytetarësh që kalonin në të njejtin segment rrugor.