32.5 C
Tirana
E mërkurë, 16 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Shqiptarët e jugut janë dele” – Alfred Lela: PD-së tani i kanë mbetur vetëm katolikët e veriut

    Kryezëdhënësi i Sali Berishës, Alfred Lela, në një shkrim për shembjet e fundit në Theth, i ka dhënë një konotacion fetar situatës, duke hequr një paralele edhe me komunizmin.

    “Duke parë dhe gjykuar atë që po ndodh në Theth, por edhe tjetërkund në Shqipëri prej një jave të gjatë e torturuese, Edi Rama duket si personazhi ideal për të shpjeguar shprehjen popullore tiranase “nuk kam turp, nuk ke çfarë më bën!’. Në këtë kontekst, me një Kryeministër që nuk njeh ligjin, kodet, as turpin, duhen gjetur zgjidhje të tjera. Cilatdoqofshin ato!

    Por, që të vijë zgjidhja, në fillim duhet të vijë fundi dhe, kam përshtypjen se jemi afër. Të paktën në terma historikë apo të ngjashmërive historike. Pyetja është: do ta pranojmë, a sfidojmë fundin?

    I duhet hedhur një sy hartës elektorale të Shqipërisë në 2 zgjedhjet e fundit: të 11 majit 2025 dhe 25 prillit 2023.

    Nëse në internet, në formën e memeve, kanë qarkulluar disa variacione që përziejnë humorin e hidhur me melankolinë politike, ku në veri të vendit hartën e popullojnë burra me veshje të traditës dhe me pushkë në dorë, dhe në jug dele, historia është më treguese.

    Ndarja e Shqipërisë politike nuk është më as veri- jug dhe as qendër-periferi. Polarizimi i ngjan shumë periudhës 1945-1948, kur nacionalizmi dhe rezistenca ishin tërhequr dhe strehuar në enklavat kryesisht katolike të veriperëndimit. Po të shihni zgjedhjet e fundit lokale, rezultati i të cilave u ripërsërit edhe në parlamentaret, në Shqipëri u ri-krijua një Rrip i Biblës. Partia e djathtë Demokratike mori bashkitë me mbizotërim të elementit katolik në Mirditë, Pukë dhe Fushë-Arrëz. Në zgjedhjet e përgjithshme pati rezultate solide në të njëjtat territore, por edhe në Lezhë e Shkodër, gjithashtu zona me prani të fortë të krishterë.

    Kjo ka qenë pak a shumë gjendja edhe në mes të viteve ’40 të shekullit të shkuar, kur në pushtet erdhën komunistët. Me jugun dhe qendrën (hiq një rezistencë të nostalgjikëve të Mbretit dhe Abaz Kupit në Mat dhe Krujë) të rënë shpejt në duar të komunistëve, veriu -kryesisht ai katolik- i bëri qëndresën më të qenësishme komunizmit. Rezistenca ishte e përgjakshme, por nuk zgjati shumë.

    Në këtë siujdhesë rezistence Thethi i 11 majit u dëshmua një përjashtim. Shaljanët e kësaj zone duket se ‘zgjodhën’ Edi Ramën, me sa duket të gënjyer nga një ‘besë’ që ky u dha gjatë fushatës duke u premtuar legalizime dhe falje gjobash. Dy muaj më vonë, fshati piktoresk mes Alpeve e pa veten të rrethuar, të gënjyer, të linçuar.

    Shpagimi i daljes nga amaneti i të parëve ‘me komunistët nuk ka besë’, e plotësoi rrugën e vet në formë dramatike. Me tokë të trashëguar, por pa trashëgimi, me vend të lakmuar, por pa katandi, me turistë të huaj, por pa vatra e kulme, malësorët, me siguri, kanë kujtuar porositë e priftërinjve katolikë të 1945 lënë gjyshërve të tyre”, shkruan ai.

    “Se pse katolikët kanë rezistuar en block si zotërime të së djathtës, ky është një fat, fakt dhe fatalitet historik. Me ta ka qenë gjithmonë kështu: janë mbyllur në vetvete, lartësive të stuhishme të atdheut, për të refuzuar gjithçka që besimi, instinkti dhe, pse jo, kokëfortësia ua përplaste kodeve primordiale. Siç e thotë një varg i atyre zonave ku i këndohet kësaj paradigme “se për grada e për çifligje, fenë e Krishtit nuk e shite”.

    Pas 500 vjetësh, ka ardhur koha që tokat e tyre të pakta, por të bukura, si të ishte një shpagim për gjithë atë mujtë shekullore, të fitojnë ‘grada’ dhe të bëjnë çifligje. Por, ja, ku u vjen Edi Rama, me taborët edhe ma të zi se të osmanllive, dhe ua zë në grykë gostinë që ata kujtuan se ua kishte gatuar Zoti vetë.

    Edi Rama po e imiton Enver Hoxhën, sa me kulaç e sa me kërbac, edhe në atë se është kthyer kundër popullit ‘në emër të popullit’.

    Në parim, ky është fillimi i fundit”, përfundon Lela.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit