11.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Shqiptarët i mbyt Covidi, Klodjan Allajbeu i Spitalit Amerikan fitoi 18 mln euro me çmimet stratosferike

    Në një kohë që pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare që u goditën nga Covid u përballën me mbijetesën e lëmoshën që ofroi si mbështetje Qeveria, oligarkët e spitaleve private fërkuan duart dhe mbushën xhepat.

    Vetëm Spitali Amerikan, sipas bilanceve të siguruara nga Monitor, ka raportuar xhiro vjetore prej 7.5 miliardë lekësh, ose rreth 65 milionë euro përgjatë vitit të kaluar. Rritja është pak më shumë se 20 për qind në krahasim me vitin 2020 dhe e përkthyer në para, 13 milionë euro më shumë.

    Në vend të dytë për rritje të qarkullimit të të ardhurave renditet spitali Hygeia, po në pronësi të Klodjan Allajbeut. Hygeia raporton 3.2 miliard lek, ose rreth 26 milionë euro, një rritje me 18 për qind në krahasim me 2020, ose rreth 5 mln euro më shumë.

    Pra, në total në vitin kur pandemia kulmoi, Klodjan Allajbeu arkëtoi 18 mln euro më shumë se viti 2021 dhe 80 për qind të totalit të të gjitha të ardhurave që kanë raportuar spitalet private në vend.

    Shifrat e majme u nxorrën me hir e pahir nga xhepat e qytetarëve shqiptarë, që prej tejmbushjes e mosbesimit iu larguan spitaleve publike dhe u kuruan nga Covid te spitalet private. Pjesën dërrmuese të këtyre klientëve i ka marrë Spitali Amerikan.

    Nga analiza e bilanceve financiare dhe ajo e numrit mesatar të pacientëve që u kuruan në spitalin në pronësi të Klodjan Allajbeut, shqiptarët kanë shpenzuar nga 4 deri në 20 mijë euro për kurimin nga Covid dhe pasojat e tij.

    Këtyre të ardhurave u shtohet edhe shërbimi i dializës, që kryhet sërish nga Spitali Amerikan dhe për të cilin ka dyshime e akuza se ky spital, që paguhet nga buxheti që Qeveria ndan për shëndetësinë, faturon edhe për shërbime që nuk i kryen me vlera miliona lek në vit.

    Për dializën, Spitali Amerikan i Klodjan Allajbeut është në një proces gjyqësor me një media pas publikimit të një investigimi që nxorri zbuluar se spitali shkelte me të dyja këmbët kontratën e fituar përmes mosplotësimit të kushteve. Investigimi solli pacientë të spitalit që denonconin se si nuk u ofrohej as shërbimi i lavanderisë dhe për cilësinë e dobët të ushqimit.

    Ndërkohë, sa i takon qarkullimit të të ardhurave totale të pesë spitaleve më të mëdha private në vend, ato për vitin 2021 janë rreth 103 milionë euro, që do të thotë se rreth 60 për qind të tyre e zë vetëm Spitali Amerikan.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit