14 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Shqiptarët ndër më të varfërit në Europë, me karburantin më të shtrenjtë: Çereku i të ardhurave shkon vetëm për naftë

    Shqiptarët shpenzojnë pothuajse çerekun e të ardhurave vetëm për të blerë karburant. Ky konstatim del nga llogaritë e studiuesve të huaj që e rendisin vendin tonë të parin për koston dhe shpenzimet për karburant, gjithmonë krahasuar me pagat. Dhe konkretisht sipas Dataisbeutifule, 26.59% të të ardhurave neto, janë të nevojshme për një shqiptar për të mbushur një serbator prej 60 litrash me karburant. Shifra e publikuar nga Dataisbeutifule bazohet në të dhëna e faqes numbeo.com, që e vendos Shqipërinë në vend të parë për koston e karburantit në bazë të të ardhurave të qytetarëve në të gjithë botën. Në vend të dytë renditet Pakistani me 24.80% i cili ndiqej nga Filipine dhe Gana ku respektivisht kostoja e qytetarëve për 60 litra karburant ishte 24.73% dhe 20.69% e të ardhurave neto të tyre.(Nga të dhënat e raportuara)

    Arsyeja se pse çmimi i karburantit është kaq i lartë në Shqipëri, duke e renditur vendin në listën e vendeve me çmimin më të shtrenjtë në botë, është për shkak të një barre taksash shumë të madhe. Aktualisht mbi një litër naftë që tregëtohet në vendin tonë, e cila çmimin e ka 217 lekë, qeveria merr në formë taksash rreth 60% të çmimit përfundimtar. Mbi naftën në Shqipëri rëndon akciza prej 38.22 lekë për litër, TVSH-ja që është 20% e çmimit final të naftës, 27 lekë për taksën e qarkullimit dhe 3 lekë për litër për taksën e karbonit. Ndërsa dy taksa të tjera, ajo e markimit 0.6 lekë për litër dhe ajo e skanimit 1.4 lekë për litër, i shkojnë konçesionarit. Por në çmimin e naftës përfshihen edhe 26 taksa të tjera të pushtetit lokal, të cilat e ngarkojnë ende edhe më shumë barrën e taksave të vendosura mbi hidrokarburet.

    Në rajon, Shqipëria është rast unik në mënyrën e taksimit të karburanteve. Dy taksa që e diferencojnë nga gjithë pjesa tjetër e rajonit vendin tonë, janë taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit, por së fundmi edhe tvsh që merret për karburantet e cila vijonë të qëndrojë e paprekur, ndryshe nga vendet fqinje.

    Jetë të ndryshuara nga kërcitja e çmimeve

    Makina e 25 vjeçarit B.Sh, prej më shumë se dy javësh qëndron e parkuar poshtë shtëpisë së tij. Por ajo nuk është makina e vetme që prej më shumë se 10 ditësh nuk ka ndërruar vend parkimi.

    Nuk më del më të lëviz me makinë. Edhe më para vështirë ishte por duke qenë se punën e kam në ”Astir” dhe vet jetoj në “Qytet Studenti” e kisha të nevojshme sepse e mbaroj punën vonë”, tregon 25-vjeçari, i cili biçikletën e tij të vjetër e ka shndërruar në mjetin e preferuar të transportit, ku pas turnit prej 8 orësh, i duhet të pedalojë për më shumë se 20 minuta drejt banesës së tij.

    Trendi i rënies së përdorimit të makinave është qartësisht i dukshëm në kryeqytet. Orët e zgjatura të qëndrimit në trafik, janë shndërruar në minuta, ndërsa me numrin e qytetarëve duke nxituar në rrugët e qytetit ka ndodhur e kundërta. Rënia e numrit të automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet, është vënë re edhe nga ekspertët rrugorë. I pyetur për këtë çështje, eksperti i sigurisë rrugore Gëzim Hoxha thotë se ka një rënie të dukshme, çka lidhet edhe me rritjen e çmimit të karburantit.

    Shqipëria rast unik

    Në rajon, Shqipëria është rast unik në mënyrën e taksimit të karburanteve. Dy taksa që e diferencojnë nga gjithë pjesa tjetër e rajonit vendin tonë, janë taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit, por edhe tvsh që merret për karburantet.

    Maqedonia e Veriut, ka akcizë prej 28 lekësh për litër ndërsa TVSH vetëm 18%. Ndërkohë Mali i Zi 53.6 lekë/litër i ka akcizë, ndërsa TVSH është në nivelet 21%. Nga ana tjetër, Kosova ka një akcizë mbi hidrokarburet prej 43 lekë/litër dhe një TVSH prej 18%. Ndërsa Serbia, për akzicën merr 59 lekë për litër dhe takson vetëm 20%. E kur çmimi i naftës është i lartë para krize për shkak të një barre të madhe taksash, në kohë krize, impakti i tij në ekonominë e çdo qytetari bëhet edhe më i dukshëm.

    E ndërsa vendi u përfshi në çdo rreth nga protestat në të cilat kërkohej ndërhyrje e qeverisë për të ulur çmimin e naftës, kryeministri Edi Rama do të deklaronte se: “Taksat e naftës nuk do të hiqen, dhe këtë nuk ka protestë me drita iPhone dhe bllokim rrugësh me goma X5 që e zhbën. Taksat e naftës nuk do të hiqen sepse çmimi i energjisë nuk do të rritet. Ky është thelbi i moralit dhe arsyes së kësaj zgjedhje”. Nga ana tjetër, qeveria e Shkupit ka bërë një ndërhyrje të menjëherëshme për të shmangur rritjen e çmimeve jo vetëm të karburanteve por edhe të ushqimeve të shportës, nëpërmjet një pakete të quajtur “Pakoja e masave për mbrojtjen e qytetarëve dhe kompanive nga kriza energjetike”. Këto masa nisin që tek subvencionimi i shtresave në nevojë dhe bizneseve, ndërhyrja e disa taksave për mallrat ushqimore, e deri tek ulja e taksave për karburantet. Pikërisht në këtë sektor, qeveria e vendit fqinj vendosi të ulë normën e TVSH-së prej 18% në 10% për naftën, benzinën pa plumb dhe gazin e lëngshëm. Sipas argumentit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kjo masë do të mbronte fuqinë blerëse të qytetarëve. Ndërsa në Kosovën fqinje, çmimi i karburantit me pakicë vijon të jetë më i lirë se në të gjithë rajonin.

    A ka mundësi qeveria të ndërhyjë?

    Ndërhyrja në taksat e vendosura mbi naftë nga ana e qeverisë, është diçka për të cilën kryeministri është shprehur kundër, ekspertët shprehen së është diçka e mundshme.

    Mua nuk më shqetësojnë, jo aq, por dhe 300 fish, taksat mbi karburantet sa të jem unë nuk hiqen nuk ulen nuk lëvizin. Mua më alarmon diçka tjetër, cënimi i drejtpërdrejtë i dinjitetit tonë si komb si popull, si shtet, si vend, si shoqëri, si shqiptarë nga ky reagim”, u shpreh kreu i qeverisë në një moment që protestat për uljen e çmimit të naftës vijonin në të gjithë vendin.

    Por ekspertët e ekonomisë, shprehen se një ndërhyrje e qeverisë për të ulur çmimin e naftës është e mundur. Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço thotë se aktualisht qeveria është duke përfituar nga taksat e vendosura mbi naftën edhe pse jemi në një kohë krize dhe një lehtësim për çmimin final me të cilin e blejnë qytetarët mund të ishte edhe lehtësimi i TVSH.

    TVSH llogaritet në bazë të çmimit final, dhe në momentin çmimi final i karburantit ka kaluar nga 170 lekë në 180 lekë mesatarisht që ishte në 2021 që janë bërë parashikimet për buxhetin e ardhshëm dhe kaluan në 230, 203 pra mbi 200 lekë, do të thotë që qeveria po rrit të ardhurat falë rritjes së çmimit, është ajo që quhet inflaction tax. Qeveria mund të thoshte që TVSH nuk do të llogaritet me çmimin final që është aktualisht por me çmimin që ka bërë parashikimet në 2021. Që në këtë moment kur nafta shkoi 250-260 ti mund të zbrizje me 12 lekë. Pra këtë gjë mund ta bëjë qeveria”, thotë ai, duke shtuar se nafta në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe në mënyrë indirekte prek të gjithë ekonominë, ku një ndryshim i çmimit të saj, reflekton në të gjithë ekonominë.

    Aktualisht çmimi i naftës sot në bursë është shumë më i ulët se në fillimin e luftës ose kur filloi rritja e çmimeve te ne, tani si ka mundësi që qeveria vendos se nafta sot duhet të jetë 203 lekë? Ku e përdor llogjikën?”, përfundon ai.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit