Një skenë aq e pazakontë por dhe komike është regjistruar ditën e sotme jashtë ambienteve të SPAK, ku avokati i Safet Bajrit është parë teksa largohej me disa dosje voluminoze, fashikuj hetimorë, të vendosura në një karrocë supermarketi.
Pamjet kanë tërhequr vëmendjen për shkak të sasisë së madhe të materialeve hetimore, ku avokatit të së “fortit” të Shkodrës iu desh një karrocë për t’i marrë.
Kujtojmë se Safet Bajri ra në pranga më 21 shkurt të vitit të kaluar, pasi akuzohet se ka gisht në vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur më 10 gusht 2018 në Shkodër.
SPAK ka ngritur ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve akuza të rënda, përfshirë “Vrasje me paramendim”, të kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në seancat gjyqësore, Safet Bajri nuk ka pranuar që faktet e paraqitura nga prokuroria të cilësohen si prova. Ai ka deklaruar se ditën e vrasjes ka qenë fillimisht në një diskotekë dhe më pas në një restorant peshku, duke ndjekur më pas të njëjtën rrugë për në banesë, si çdo ditë tjetër.
Disa ditë pas arrestimit të tij, në pranga ra edhe e dashura e Bajrit, Eria Ago, e cila dyshohet se ka ndihmuar atentatorët të largohen nga vendi i ngjarjes. Kjo e fundit u lirua nga qelia vetëm disa javë më parë pas një sërë kërkesash të dorëzuara në gjykatë për një masë më të lehtë sigurie.
Vrasja e Fatbardh Licit dyshohet se lidhet me konfliktin e përgjakshëm mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër, një përplasje e cila ka nisur që prej atentatit ndaj biznesmenit Lulzim Kulla në janar të vitit 2018 dhe ka vijuar me një seri vrasjesh, atentatesh dhe zhdukje personash. Motivi i krimit lidhet me hakmarrjen ndaj Ibrahim Licit, i akuzuar më herët nga Behar Bajri për vrasjen e ish-efektivit Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij, Silva Ndoci.



