Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kryeprokurorit të SPAK, Klodian Braho, për të shtuar mbrojtjen ndaj prokurorit Altin Dumani.
Vendimi u dha nga një komision i posaçëm në KLP dhe për këtë mbrojtje ndaj ish-shefit të SPAK, janë renditur të dhëna që kanë lidhje me rrezikimin e tij, për shkak të dosjeve të shumta që ka hetuar dhe ka firmosur për to.
Përveç Dumanit, është miratuar nga i njëjti komision edhe mbrojtje për disa prokurorë të tjerë te strukturës së posaçme, mes të cilëve edhe për Dritan Prençin, i cili po heton zv.kryeministren Belinda Balluku dhe kërkoi ndaj saj caktimin e dy masave të sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë territorit të vendit”.
Aktualisht për shkak të detyrave që mbajnë kanë ruajtje dhe eskortohen shefi i SPAK Klodian Braho, shefi i gjykatës antikorrupsion Erjon Bani. Por nën ruajtje janë edhe prokurorë të tjerë të posaçëm për çështje që kanë nën hetim dhe shqyrtim, si prokurorja Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi, Vladimir Mara dhe të tjerë
Për shkak të detyrës që mbante Altin Dumani ishte nën ruajtje të rreptë deri në fund të mandatit të tij trevjeçar si kryeprokuror i posaçëm. Ruajtja e prokurorit vijon tashmë edhe me mbylljen e kësaj detyre dhe marrjen e drejtimit të drejtorisë juridiksionale me jashtë vendit.



