17.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Mars, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Shtrenjtimi i karburanteve, Erion Braçe: Dje është shpërndarë një SMS për të rritur naftën!

    Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar ashpër për rritjen e çmimeve të karburanteve në Shqipëri pas krizës në Lindjen e Mesme, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si funksionon tregu i naftës në vend.

    Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë, deputeti socialist foli për një mesazh që sipas tij iu është dërguar një ditë më parë përfaqësuesve të pikave të karburantit për të rritur çmimin e naftës.

    Ai theksoi se çmimet më të larta regjistrohen te pikat e markave të njohura, ku sipas tij çmimi varion nga 198 deri në 202 lekë për litër. Braçe ironizoi se prej vitesh këto kompani e kanë “sfidë personale” që çmimi të mos bjerë nën 200 lekë dhe të qëndrojë gjithmonë mbi këtë nivel.

    Braçe akuzoi drejtpërdrejt Shoqatën e Hidrokarbureve se po vepron si një kartel që dikton rritjen e çmimeve në treg.

    “Çmimi i naftës ka ndryshuar dje rreth orës 4 pasdite, nuk e di para apo pas takimit me ministrat e qeverisë por ka ndryshuar dje në orën 4 fiks sipas një sms të mbërritur në celularin e çdo përgjegjësi pike karburanti në territor. Çmimi është më i lartë te ato të brenduara. 

    Pra e kanë ndryshua me një mesazh dhe po përpiqem që ato mesazhe tua dërgoj dhe mbi të gjitha nën diktatin e një shoqate që garanton kartelin, shoqata e hidrokarbureve. Këto mesazhet nuk i dërgojnë vetëm drejtuesit e kompanive, por te pikat e bardha i dërgojnë zyrtarët e shoqatës së hidrokarbureve. Pra shoqata e hidrokarbureve funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve në këtë rast.”, u shpreh ai.

    Deputeti shtoi se problemi kryesor nuk qëndron te tregu i pakicës, por te tregu i shumicës, ku sipas tij është ndërtuar një model i ri furnizimi.

    “Ju me të drejtë po monitoroni tregun e pakicës, por problemi është atje ku ju thashë, tek tregu i shumicës.  Cili është modeli i tregut që zotërinjtë kanë ndërtuar? Këta nuk blejnë më naftë në bursë; këta blejnë nga një broker që e sjell naftën në territor. Është ky brokeri që vjen dhe e derdh naftën në depozitat e këtyre në periudha të ndryshme kohore dhe këta blejnë dhe shesin me çmimin e ditës që dalin nga depozita.

    Ky model tregu i ka hequr të gjitha avantazhet e blerjeve afatgjata të sasive të naftës, ose ia ka kaluar këtij brokeri, i cili nuk është entitet tatimor shqiptar dhe nuk është i regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili merr këto përfitime të blerjeve në afatgjatë.

    Në bursë sot blen naftë ditore, 10-ditore, 30-ditore, 3-mujore dhe 6-mujore. Sot po të futesh në bursë, blen me këto afate dhe këto blerje në tregun shqiptar i bën ky broker. Madje këta kanë shuar fare parimin që duhet të funksionojë një depozitë. Dollari është përtokë, pra transaksionet kryhen në dollar. Euro është zhvlerësuar, që është element i rëndësishëm tek çmimi, por kjo nuk është reflektuar sepse ky model tregu nuk e lejon këtë gjë.”, tha ai.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit