Nga Prishtina, Fatos Shala
“Shumë shtrenjtë”, “Treguan që në Vlorë, çadra po kushton 20 euro”, “Edhe në Durrës e Shëngjin ishin shtrenjtuar krejt senet”.
Këto janë fjalët që dëgjohen më shpesh në Kosovë, kur qytetarët flasin për pushimet verore dhe bregdetin shqiptar.
Qytetari nga Prishtina, Mentor Buzhala, në një deklaratë për “Monitor” tha se turizmi në Shqipëri këtë vit është shtrenjtuar dukshëm, sidomos në Jug.
Siç thotë ai, tani për tani, çmimet më të arsyeshme janë në Durrës.
“Aq sa kemi parë nga mediat, turizmi në Shqipëri këtë vit është shtrenjtuar dukshëm, sidomos në Jug. Kam qenë në Jug edhe më parë dhe ka çfarë të ofron për pushime, por që të bëhet një çadër 20 euro, është shumë.
Po ashtu, kemi parë se çmimet janë rritur dukshëm edhe në Shëngjin, dhe ai vend nuk të ofron ndonjë korditet kushedi se çfarë për pushime. Kështu që, si duket, çmimet pak më të arsyeshme janë në Durrës. Ndoshta sivjet do të shkoj aty, pak më në periferi, diku nga Golemi apo Shkëmbi i Kavajës”, ka thënë ai.
Pavarësisht çmimeve dhe ofertave të fryra, të rinjtë e Kosovës thonë se mundësitë për të shkuar më larg sesa bregdeti në Shqipëri, janë të pakta, dhe si mundësi më e mirë u mbetet Shqipëria.
“Këtë vit, çmimet në bregdetin shqiptar janë goxha të larta, duke pasur parasysh mundësinë që kanë, sidomos pushuesit nga Kosova që destinacion të parë kanë Shqipërinë, për disa arsye. E para, sigurisht është çmimi, e dyta, afërsia.
Mirëpo, këtë vit, pushuesit nga Kosova janë zhgënjyer me rritjen e lartë të çmimeve, sidomos në Jugun e Shqipërisë, të cilat janë të papërballueshme për pjesën me të madhe të kosovarëve”, thotë qytetari Beadin Syla, duke treguar se qytetarët e Kosovës mund ta braktisin Shqipërinë nëse çmimet vazhdojnë të rriten.
“Çmimet janë të larta edhe për faktin se shërbimet e akomodimit apo edhe të tjera nuk kanë pësuar ndryshim, janë po ato që kanë qenë dy-tre vite më parë.
Autoritetet shqiptare duhet ta kenë parasysh këtë dhe duhet të marrin masa që çmimet të jenë sa më të përballueshme, sepse kështu Shqipëria po e humb një pjesë të madhe të turistëve nga Kosova. Sepse, sigurisht disa nuk do të shkojnë fare, të tjerë do të shkojnë edhe më larg, ku çmimet janë të njëjta, ta zëmë me Greqinë, Turqinë, Bullgarinë apo gjetiu”.
Nagip Skenderi, njohës i ekonomisë dhe profesor i Fakulteti Ekonomik në Prishtinë, thotë se këtë vit, qytetarët e Kosovës janë duke u “ndëshkuar” nga bizneset e Shqipërisë, pasi sipas tij, çmimet janë rritur pa pasur ndonjë arsye të madhe.
“Mendoj se çmimet këtë vit janë rritur tej mase, edhe pse kjo ka ardhur si rezultat i shtrenjtimeve dhe krizës ekonomike globale, si pasojë e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, por edhe mungesës se dy viteve të mëparshme të turistëve nga efektet e pandemisë.
Dhe, meqenëse ‘brumi kryesor i turistëve’ për Shqipërinë mbeten kosovarët, konsideroj që Shqipëria është dashur që me politikat e saj stimuluese të përkrahë bizneset në tërësi, që ofrojnë shërbime turistike dhe gastronominë, në mënyrë që çmimet të jenë më të përballueshme.
Por, kjo nuk ishte aspak në vëmendjen e Qeverisë së Shqipërisë, nga fakti se dihet ata nuk bëjnë më të paktën atë që është e mundur, të heqin apo të zbresin taksën rrugore prej 10 eurosh (vajtje – ardhje), gjë që nuk e kanë bërë (e as Qeveria e Kosovës në mbledhjen e përbashkët të dy qeverisë nuk ka këmbëngulur aspak që kjo taksë të hiqet).
Prandaj, ata janë plotësisht të bindur dhe të vetëdijshëm se kosovarët janë edhe turistë patriotikë që e duan dhe konsiderojnë Shqipërinë si shtet amë, nuk bëjnë asgjë në këtë drejtim t’u lehtësojnë barrën e shpenzimeve, që janë shumë të larta këtë vit, e nga ana tjetër nuk ka edhe rritje të pagave dhe të të ardhurave tjera”, ka thënë ai për “Monitor”.
Skënderi shprehet i bindur se qytetarët e Kosovës marrin edhe kredi për të shkuar në pushime.
“Jam i mendimit që kosovarët për pushime, edhe pse të ngritura çmimet tej mase, janë të detyruar të hyjnë në huazime bankare, e disa që ishin më të kujdesshëm në këtë drejtim, kanë kursyer një pjesë nga të ardhurat e tyre. Megjithatë, Shqipëria është dhe mbetet vendi kryesor ku kosovarët kalojnë pushimet.
Edhe pse çmimet janë rritur në mënyrë drastike krahasuar me vitin e kaluar, prapëseprapë ‘gjejnë mjete të mjaftueshme’ për të kaluar disa ditë në bregdet për pushime verore, që pak a shumë kjo vjen si rezultat i këndvështrimit psikosocial që duhet ‘patjetër’ të shkohet në pushime verore”.
Që qytetarët e Kosovës i kalojnë pushimet në Shqipëri, dhe se kërkesa është e madhe e konfirmon edhe Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit rrugor në Kosovë.
Ai tregon se Durrësi dhe Shëngjini janë më të pëlqyerit nga qytetarët, por nuk mbeten larg as Vlora e Saranda.
“Ne kemi filluar me shumë oferta të ndryshme. Nga Durrësi e deri në Vlorë. Por, nuk mund të lihet mënjanë edhe Saranda dhe Ksamili, dhe për këto dy vende ka kërkesa të mëdha. Shëngjini është një nga vendet me kërkesën më të madhe nga qytetarët e Kosovës. Për në Shëngjin është rritur kërkesa për afro 20 deri në 30%”.
Por, ai thotë se qytetarët e Kosovës ende po ballafaqohen me probleme të mëdha, edhe me çmime të rritura në sezone.
“Pushuesi nga Kosova duhet të këtë një trajtim të veçantë. Janë bërë shumë marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar. Qytetarët e Kosovës përballen ende me barriera e probleme të ndryshme kur shkojnë për pushime në Shqipëri. Çmimet rriten shumë në korrik dhe gusht dhe kjo është një brengë e madhe për qytetarët, që thonë se po ndihen të shfrytëzuar”, thotë Kurtishaj.
Ai tregon se bregdetet në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, janë destinacioni kryesor për të rinjtë nga Kosova.
“Disa prej tyre thonë se i financojnë vetë pushimet, ndërsa disa të tjerë varen ende nga financat e prindërve. “Tani qytetarët po bëjnë planifikim për pushim, dhe jo siç ka qenë më herët që qytetarët kanë vendosur aty për aty për pushimet. Kërkesa më e çuditshme është se qytetarët e Kosovës çdo herë duan dhoma me pamje nga deti”.
Ditë më parë është raportuar për çmime të rritura në Vlorë, ku pati reaguar edhe Shoqata e Operatorëve në këtë qytet. Vasil Bedinaj deklaroi se nuk është dakord që turizmi në Vlorë të vuajë mungesën e turistëve, për shkak të çmimeve të larta.
“Qyteti i Vlorës po ofron akomodim dhe shërbim për të gjitha kategoritë e turistëve dhe siç mund ta shohë çdo turist, çmimet dhe akomodimet janë sipas kategorive dhe e them me plot bindje që në Vlorë gjen hotele me 50 euro nata, me 40, me 30, pra të gjitha kategoritë e pushuesve.
E kundërshtojmë lajmin se në Vlorë ka hotele me 200 euro. Jo ato janë suita që nëse një turist do një frigorifer të mbushur plot, po, do ta paguajë edhe 200 edhe 250”, tha Bedinaj.
Bedinaj pretendon se çmimi 80 euro për një natë është i pranueshëm në hotel me 4 yje. Madje shkon edhe më tej, duke thënë se hotele të tilla në vendet e BE-së e kanë natën 400-500 euro.
Por, menaxheri i njërit nga hotelet e Vlorës, me prejardhje nga Kosova thotë se çmimet këtë vit janë rritur me 20 deri në 30%.
“Çmimet vjet kanë variuar nga 120 – 250 euro, ndërsa këtë vit fillojnë nga 150 – 350. Kemi një ndryshim të çmimeve rreth 20 – 30%, konkretisht nëse çmimi i një dhome çift vjet shkonte deri në 60 euro, sivjet shkon deri në 80 euro. Një dhomë triple vjet ishte 90 euro, sivjet është 110 euro”, ka treguar ai.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka kritikuar bizneset bregdetare për rritjen e madhe të çmimeve pas shqetësimit se ka rënie të numrit të turistëve.
“Nëse ka një problem me çmimet e larta është për t’u parë dhe për t’u analizuar në fund, dhe jo tani. Nëse dikush vendos çmim të lartë dhe nuk i vjen njeri, dëm vetes së vet i bën. Nëse në fund do ta kemi këtë konstatim, do të jetë një mësim shumë i mirë në treg konkurrues, duhet menduar mirë para se të vihen çmimet”.
Mirëpo, për Ramën, veprimet e pamatura të bizneseve do të jenë mësim për ta marrë parasysh konkurrencën e madhe për turizëm në Mesdhe.
“Po qe kështu, ky do të bëhet një mësim i madh. Të mos harrojmë se ku ndodhemi. Ndodhemi mes konkurrentëve të fortë të Mesdheut.
Meqë u hap nami i Shqipërisë për të ardhur si një vend me të gjitha magjitë e veta, hajde t’u biem me top çmimeve. Investimet e qeverisë kanë ndryshuar kartëvizitën e vendit”.