Vlora foli, dhe mesazhi i saj ishte i qartë, i rëndë dhe i drejtpërdrejtë, ndoshta më i forti që politika shqiptare ka marrë në dekada. Me një pjesëmarrje prej vetëm 12.54%, qytetarët e këtij qyteti nuk u treguan thjesht të distancuar nga kutitë e votimit. Ata dhanë një verdikt politik të pamëshirshëm, një refuzim masiv ndaj dy forcave të mëdha politike, të cilat prej kohësh akuzohen për lojëra në prapaskenë dhe “teatër marrëveshjesh”, ndërsa kostoja bie mbi qytetarët.
Kjo pjesëmarrje rekord e ulët nuk është rastësi dhe as shenjë apatie. Ajo është revoltë e heshtur, mënyra më e pastër dhe më e fortë me të cilën qytetarët tregojnë se nuk pranojnë më pazaret e fshehta, lojërat e konsumuar politike dhe një skenar të përsëritur ku populli kujtohet vetëm në ditë votimi. Sa kohë politika sillet si pronare e pushtetit dhe jo si shërbyese e qytetarit, qytetari nuk ka arsye të marrë pjesë në një proces që e konsideron farsë.
Refuzimi masiv i votës është gjithashtu një sinjal i qartë i krizës së thellë të besimit. Kur vetëm 12.54% e votuesve zgjedhin të marrin pjesë, problemi nuk është qytetari, por politikanët ata që prej vitesh shkruajnë skenarë politike sipas interesave të tyre, ndërsa populli paguan faturën.
Por zhgënjimi nuk buron vetëm nga politika. Problematikat e pazgjidhura prej dekadash rëndojnë mbi qytetarët: mungesa e ujit të pijshëm, problemet me energjinë elektrike, infrastruktura e degraduar, çështjet e pronave dhe mungesa e shërbimeve bazë bëjnë që qytetari të ndjehet i lënë pas dore dhe i pafuqishëm përballë pushtetit.
Në heshtjen e saj të madhe, Vlora dha ndoshta leksionin më domethënës politik të dekadës kur alternativat reale mungojnë dhe kutitë e votimit mbeten bosh.



