Nga Nikoll Lesi
Një intervistë e këtyre ditëve nga Ylli Rakipi tek emisioni i tij i njohur “Të Paekspozuarit” si punë rrëfimi për 31 vitet e punës time, sidomos për të famshmen “KOHA JONË”, pati shumë shikues, sikurse edhe komente apo mesazhe drejtuar edhe mua direkt.
Në thelb publiku mbante në memorie betejat epokale të KOHA JONE për fjalën e lirë ndër vitet kur sundonte Berisha i parë, pra 1992-1997.
Gjithçka është në memorien e qytetarëve shqiptarë.
Unë vetëm e kujtova disi përciptas te gazetari i njohur Ylli Rakipi.
Duhet të pranoj se intervista e Rakipit ishte brilante, e kam fjalën për pyetjet dhe komentet. Sa për përgjigjet e mia vendos publiku!
Por më duhet të bëj ndonjë sqarim në lidhje me ato çka thashë për Fatos Nanon kur ishte kryeministër fuqiplotë ndër vitet 2003-2005.
E vërteta mbetet se Fatos Nano ishte lider socialist disi moderator, të paktën nga vitet 1991 deri nga viti 2002. Disa e kujtojnë se ishte liberal, por në thelb ishte pazarxhi me PS.
Unë e kam përjetuar keq dhe nën presione të gjithfarëllojshme epokën e Nanos së dytë, pra vitet 2003-2005.
E them pa droje se pashë një njeri të tjetërsuar, te zvogëluar në ide e në shpirt, hakmarrës ndaj atyre që e kritikonin për qeverisjen e tij problematike, sidomos me korrupsionin.
Meqenëse emisioni i Ylli Rakipit kishte një diapazon të mirëpërcaktuar kohe,nuk munda ta thosha të plotë pjesën e përplasjes jetike me kryeministrin Fatos Nano.
Asokohe unë isha deputet. Kisha qenë hapur kundër Presidentit Berisha. Por kur ai ra nga fiku e në pushtet hypi Fatos Nano, natyrisht që me kryeministrin që drejtonte vendin do të merresha si botues e deputet. Pra fillova të shkruaj në KOHA JONË, por edhe të flisja në Parlament se qeverisja vuan nga nepotizmi, korrupsioni dhe kishte filluar mafia të hynte në shtet.
Ato që mendoja apo kur kisha dokumente komprometuese për qeverisjen e F. Nanos, i thosha pa frikë në media dhe në sallën e Parlamentit.
Ndërkohë nga kryeministri Nano m’u afrua me kompromis, natyrisht që nënkuptonte korrupsion politik. Këtë e kam denoncuar publikisht asokohe në mediat e kohës, ku edhe sot ruhet sms e tij se “me mua zgjidh gjithçka”, pra mos fol!
Faktet tregojnë se nuk i shkova pas kazanit të tij të parave!
Ai, pra Fatos Nano, në sulm total ndaj meje dhe medias KOHA JONE, më bëri edhe tre padi. Fiks më 14 maj 2004 u bënë kundër meje tre padi. E para Fatos Nano si kryeministër, e dyta Xhoana Nano për ndjekje penale dhe padia e tretë nga Fatos Nano, Agim Isaku dhe Ylli Manjani. Dy paditë e para ishin për burg kurse e treta kërkonte 40 milionë lekë për dëmshpërblim.
Të tria paditë në një datë, siç thashë, më 14 maj 2004.
Për padinë e tij si kryeministër, pra shpifje për shkak të detyrës, hetonte Arben Kraja, sot kryetar i SPAK. Edhe një Zamir Shtylla, prokuror i lartë në detyrë.
Ndërkohë gjykata e shkallës së parë më dënoi me 20 milionë leke gjobë për fyerje ndaj kryeministrit vetëm me dy seanca gjyqi, pra padia ishte me 14 maj dhe vendimi u dha me 22 maj!
Nuk kishtë ndodhur në historinë gjyqeve pas vitit 1990 që për një javë nga padia të jepet vendimi!
Ishte kryeministri që diktonte gjykatat, e jo vetëm ato. Edhe Prokurorinë!
Por lekët e gjykatës nuk ishin gjë para asaj që kishte projektuar kryeministri Nano me prokurorin e përgjithshëm Dhori Sollaku e stafin e tij që hetonte me pasion pro kryeministrit e kundër meje si botues i KOHA JONË.
Më 8 nëntor 2004 parlamenti shqiptar u mblodh në seancë të posaçme për të votuar heqjen e imunitetit tim si deputet me padi të familjes kryeministrore për shpifje.
Ndërkohë, para se të fillonte seanca parlamentare në oborrin e parlamentit mbërriti furgoni i policisë së burgut dhe prokurorët e gatshëm që mendonin se do humbisja imunitetin dhe do të arrestohesha direkt në sallën e parlamentit për t’i bërë qejfin kryeministrit Nano.
Por edhe unë nuk kisha ndenjur në heshtje.
E kisha njohur politikën si funksionon në Shqipëri!
Meqenëse ishte betejë kokë më kokë me kryeministrin, me atë Fatos Nano që kur ishte në burg i mbaja me bukë familjen e tij, por edhe e mbronim në KOHA JONE; pra e ndava mendjen për përplasje me të kokë për kokë!
Mos harroni se ai ishte kryeministër e kishte gjithë pushtetet në dorë, kurse unë vetëm isha deputet e botues i KOHA JONË.
Pak ditë para seancës së 8 nëntorit më vjen Ben Blushi. Ishte ministër i Pushtetit Vendor në qeverinë Nano.
Në fakt kur e mendon qetë e kupton se të ishe ministër dhe të punoje e votoje kundër kryeministrit në çështjen time kërkonte kurajë, dinjitet dhe vendosmëri.
Realisht Ben Blushi foli hapur si ministër, po publikisht deklaroi se nuk voton për heqjen e imunitetit të Nikoll Lesit. Bile ai bëri për vete edhe disa deputetë të PS që të votonin pro meje, pra kundër kryeministrit!
Sot nuk guxon njeri ta bëjë këtë gjë që të dalë hapur si ministër kundër kryeministrit. As në kohën e Sali Berishës nuk mbante njeriu.
Dikush mund të thotë se Nano ishte liberal ndaj i dolën kundër ministrat.
Jo!
Ishte Ben Blushi që nuk pyeti për kryeministrin.
Sikur Ben Blushi të mos bënte ato vota të deputetëve të PS kundër kryeministrit, fill pas seancës unë do isha arrestuar nga Arben Kraja, Zamir Shtylla dhe Dhori Sollaku!
Furgoni ishte aty, duke më pritur. Më pas më thanë se kishin bërë gati edhe qelinë në burgun 313!
Meqenëse e hapi këtë histori e hapi Ylli Rakipi te emisioni i tij i mirënjohur, më duhej të sqaroja pak me tepër, i detyruar për të vërtetën, sidomos për të rinjtë e sotëm që atëherë ishin në kopsht, se Fatos Nano është ai që njoha unë; hakmarrës, mosmirënjohës dhe që e meriton atë që Edi Rama i bën duke e tallur prej vitesh, që ia miklon sedrën për President Republike, por në fund zgjedh dikë tjetër!
Që të mos e zgjas historinë, seanca parlamentare përfundoi me 72 vota pro meje, 62 për kryeministrin dhe 6 abstenime.
Pra e mposhta mu në parlament Fatos Nanon!
Por meqenëse mu dha rasti ta shpjegoj këtë histori përplasje me kryeministrin, më duhet të falënderoj edhe Server Pëllumbin, që ishte kryetar parlamenti. Edhe Namik Doklen, që ishte numri dy në qeveri. Të dy votuan pro meje e kundër Fatos Nanos. Edhe sepse e drejta ishte në anën time, porse kishin dinjitet e burrëri.
Por Ben Blushi ishte promotori kundër kryeministrit dhe realisht më shpëtoi nga burgu, asokohe.
Fatos Nano nuk dërgonte ministra apo zyrtarë të lartë për heqje imuniteti që kishin vjedhur nga buxheti i shtetit, por u mor me mua vetëm se fola kundër qeverisë së tij.
Kaq ishte kjo histori. Shkrova gjatë se nuk di të shkruaj shkurt!