“Në kuadër të dashurisë”, një komedi romantike, është prodhimi i parë filmik i Top Channel, i cili pritet të ketë premierën në tetor.
Duke nisur nga aktorët profesionistë e deri tek personazhet publikë më në zë të momentit, një projekt spektakolar është duke u realizuar.
Ndriçim Xhepa, një aktor i njohur që është pjesë e kastit ka thënë:
“Kam përshtypjen që është hera e parë që jam në pozicionin e një babai. Është babai i personazhit kryesor të vajzës.
Është një personazh i veçantë, i cili kalon nëpër disa situate të çuditshme, edhe të këndshme, por edhe të sikletshme. Unë e shoh personazhin e Jonidës, pra të Olta Gixharit, bijës sime në film, në mënyrë krejtësisht të natyrshme sepse unë njihem me Oltën kur ajo ishte studente në shkollë. Kështu që nuk kisha asnjë problem në marrëdhënien me të.
Unë nuk e njihja më përpara Sarën, por si vajza e dytë e imja, me të vërtetë më krijoi ato ndjesitë e mia të vajzës së vogël. Në përgjithësi këto fëmijët e vegjël.
Vajza e vogël, bëhet gjithmonë për babain më e këndshme, më e ëmbël. Këtë marrëdhënie pata edhe në film. Do them të vërtetën, do kisha dëshirë që im bir, Martini, ta kishte një motër”.
Sara Hoxha flet për rolin e saj: “Unë në këtë film vij si një vajzë e re që quhet Aria. Jam motra e Jonidës që e luan Olta Gixhari dhe vajza e Zamira Kitës dhe Ndriçim Xhepës. E kam menduar si më të vështirë që të luaja një personazh që dashurohet me dikë tjetër në film. Puthja e parë ka qenë pak e vështirë.
Jam munduar që ta mbaj me sa më pak dubla që të ishte e mundshme. Unë kur kam qenë më e vogël e kam pasur ëndërr të bëhem aktore. Kam kërkuar shpesh herë edhe për shkolla aktrimi në Los Angeles. Nuk u realizua kurrë si gjë. Me pak fjalë më është plotësuar një ëndërr”.