Edi Rama nuk foli me gojën e tij, por me gojën e të gjithë atyre që i vuri përballë Ermal Dredhës paraditen e djeshme në Bashkinë e Vlorës.
Mbledhja që “ngjau” me një gjyq politik ndaj kryebashkiakut, u pasua me vendime të rëndësishme që shkundën bashkinë.
Në radhën e njerëzve që folën kundër kryebashkiakut ishte deputetja Erjona Ismaili dhe Zamira Sina, më kritiket me tone kundër kryebashkiakut Dredha. Ishte kryeministri Rama që u kërkoi të thoshin çfarë kishin për të thënë përpara kryebashkiakut.
Qëndrime kritike kundër Bashkisë dhe Institucioneve të shtetit mbajtën edhe deputeti Vullnet Sinaj dhe ish kandidatja Brisida Cakërri. Madje ishte kërkesa e kësaj të fundit që të hiqeshin të gjithë drejtorët e institucioneve.
“Bashkia nuk punon; rrugët janë copë-copë; qyteti nuk pastrohet; sipërfaqet publike janë të uzurpuara; qytetarëve nuk u dëgjohen hallet e jo më tu zgjidhen; plazhet janë zënë të gjitha”, ishin disa nga shqetësimet me tone të ashpra, përveç atyre të ditura tashmë për kanalizimet, ujin e plehrat.
Më neutralë në qëndrime ishin kandidati për deputet që mori detyrën e kreut të PS Klevis Kaso, Endri Hyseni dhe deputetja e re Brunilda Mersini. Ndërkohë që kandidatja Evis Alushi nuk foli fare.
Rama ka folur me tone të ashpra kundër Dredhës, e nuk ka dëgjuar asnjë prej argumentave të kryebashkiakut. Situata në Vlorë është e tensionuar, me bashkinë që tashmë ka një komision që do të zgjedhë gjithë drejtoret e rinj, duke ia hequr këtë kompetencë kryebashkiakut Dredha. Ky i fundit nga ana e vet, pavarësisht përpjekjeve kolosale, ka shumë problematika që janë të mbartura prej vitesh.
Nuk dihet sesi do të shkojë situata, nëse gjendja do të qetësohet, por ajo që dihet qartë është se ka një shkundje të bashkisë së Vlorës pas këtij ultimatumi të vetë Ramës.