“Me çar do ta luftojsh façizmin ti, me ibrikun e salepit apo me kokrren e morrit që ma ke sa një kokërr orizi?”
Me këtë fjali sipas komedisë “Prefekti”, Qazim Mulleti iu drejtua një “katundari” që kishte dalë në protestë në vitet e luftës kundër pushtuesit italianë.
Nëpërmjet kësaj shprehjeje ironikisht është treguar pamundësia e një pale për të luftuar palën tjetër.
Sot jemi në vitin 2026. Të tjera sfida ka globi e të tjera luftëra ka bota.
Sot gjendemi në “luftë” me drogën dhe pastrimin e parave që vinë si pasojë e këtij trafiku.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si “syri mbi qiell që sheh çdo gjë”, vendosën nisjen e një beteje të tillë në rang global, pasi ATA kuptuan që situata është totalisht jashtë kontrollit.
Dhe për të treguar se e ka seriozisht “Uncle Sam” e nisi duke arrestuar udhëheqësin e një vendi tjetër, i cili ishte i përfshirë në disa lloj formash me trafikun e drogës dhe me pastrimin e parave.
E fill pas kësaj, “Xhaxha Semi” njoftoi se se ai i Venezuelës që e morën nga krevati me pizhama gjumi, nuk do të ishte i vetmi por e gjithë bota duhet të bëjë kujdes ndaj kësaj “teme” dhe të nisë menjëherë një aksion global kundër narkotikëve dhe pastrimit të parave.
Natyrisht thirrja amerikane drejtuar çdo shteti, nuk është për qytetarët e thjeshtë. Qytetarët mbajnë vesh dhe dëgjojnë, e më pas shohin se cndodh, por thirrja e tyre është ndaj organeve ligjzbatuese të shteteve të cilët konsiderohen si partnerë me amerikanët.
Natyrisht ne Shqiptarët jo vetëm si shtet partner i SHBA por edhe si shtet që vuan në “kockë” historinë e trafikur të drogës dhe pastrimit të parave jemi pjesë e kësaj “luftë” globale që sapo ka nisur.
Por këtu kthehemi tek pyetja e Qazim Mulletit: “Me çar do ta luftojmë drogën, jo façizmin këtë herë? Me kunatin e trafikantit në krye të Byrosë së Hetimit?
Përse Joni Keta në krye të FBI Shqiptare është një “gol” ndaj amerikanëve
I sapo mandatuari si drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit Joni Keta ose siç njihet ndryshe si FBI Shqiptare, i cili logjikisht duhet të udhëheqë hetimet ndaj rrjeteve të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, rezulton se që në fillim është i ngecur në “baltën” e moçalit të perandorisë që ndërtoi me para droge kunati i tij Alban Peza.
Lufta kundër drogës dhe pastrimit të parave që amerikanët kërkojnë me kaq ngulm ta luftojnë si fenomen, është pak si e çuditshme të drejtohet nga kunati i njërit që nuk shkel dot në Greqi sepse u arrestua në tentative pët të shitur 50 kg heroinë.
Lufta kundër pastrimit të parave është pak e pamundur të drejtohet nga kunati i Alban Pezës, i cili fill pasi u kthye nga Greqia me titullin “trafikant”, pas disa pengmarrjeve të vogla në Shqipëri, mori titullin “bisnesmen” dhe nisi ndërtimet së bashku me një ish kryeministër tranzitor.
E kështu ish trafikanti dhe ish kryeministri investuan deri në Lugano në rezidenca banimi.
“Follow the money” na mësojnë manualet e hetimit të “Xhaxhi Semit” por si do të ndjekë Joni Keta paratë e kunatit të cilat u shumëfishuan si pasojë e ortakërisë dhe sekserlliqeve me ish ministrin Damian Gjiknuri?
Investon ambasada e SHBA dhe shtetasit amerikanë nëpërmjet taksave të tyre në Shqipëri për të forcuar mjetet dhe kapacitetetet hetuese të Byrosë së Hetimit dhe SPAK, por ama ata nuk e dinë sepse nuk ia tha njeri që personi që duhet të drejtojë luftën kundër drogës dhe pastrimit të parave,i kreu i BKH Joni Keta, është ushqyer, ka jetuar, është veshur, ka udhëtuar dhe ka gëzuar çdo të mirë e privilegj që të sjell trafiku i drogës dhe pastrimi i parave, nëpërmjet kunatit të tij Alban Peza.
Madje partnerët amerikanë nuk janë as në dijeni të faktit që drejtuesi i ri i BKH mezor arriti të marrë vetëm para pak ditëve “Certifikatën e Sigurisë” që e lejon të ketë akses në informacion delikat dhe të klasifikuar.
Por përse nuk e kishte marrë më parë Joni Keta certifikatën e sigurisë? Ai ushtroi për shumë muaj si i komanduar detyrën e drejtuesit të BKH, por pa certifikatë sigurie.
A e dinë partnerët amerikanë që kunati i trafikantit kishte qasje në informacionin e klasifikuar pa u pajisur me certifikatë sigurie?
Dhe më kryesorja është se kush e pajisi me Certifikatë “virgjërie” në sy të ndërkombëtarëve Joni Ketën që më pas të pajisej me certifikatë sigurie?
Sot bota është në një “lëmsh” ku nga një anë kemi vullnetin e SHBA për të luftuar drogën dhe pastrimin e parave dhe nga ana tjetër kemi si vëllezërit e Joni Ketës dhe Alban Pezës të cilët “luftojnë” për të ruajtur atë që kanë bërë.
Rasti i Shqipërisë dhe asaj që po ndodh me Byronë Kombëtare të Hetimit, duhet të kthejë vëmëndjen e partnerit tonë strategjik SHBA, ndaj institucioneve për të cilat kanë paguar miliarda nga taksat e shtetasve të vet.
Kunati i drejtuesit aktual të BKH, ka mbi shpatulla një mal me akuza të cilat kanë të bëjnë drejtpërdretjë me luftën e nisur nga SHBA. Trafik droge dhe pastrim parash.
Shqipëria sot është pasqyrim i asaj që ka rreth 30 vite që gatuhet. Një pasqyrim i jetës së ngritur në bisnese që “lindën” pasi u shitën tonelata drogë.
Dhe shqipëria ashtu si dhe shumë vende të tjera në botë, jemi në fazën me delikatë të një “lufte” e cila duhet fituar nga ana e ligjit.
Trafikantët do të përgjigjen para ligjit, apo maskuar pas kunetërve drejtues BKH-je do ia “hedhin” duke arritur që eurot lejlja që i solli e “kuqja” e heroinës të zhduken përfundimisht duke u kamufluar në bisnese të ndershme e duke zhdukur pronësitë reale.
Zgjedhja e Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit A.K.A FBI Shqiptare, ishte një “gol” që iu bë amerikanëve duke i prezantuar një individ me gjysmën e CV reale si personi adapt kundër drogës, pastrimit të parave dhe korrupsionit.
Shumë shpejt do të vijë ora e së vërtetës. Dosjet po hapen, sekretet zbulohen dhe ajo që pritet është qendrimi i partnerëve Amerikanë. A do ta pranojnë talljen që kunati i trafikantit të drejtojë luftën kundër trafikut? (Priza.al)



