Nga Adriatik Doçi
Jo vetëm Autoriteti i Konkurrencës, që është kapur nga kartelet e tregjeve, por edhe Ministria e Shëndetësisë ka marrë tiparet e Ministrisë së Allajbeut.
Krahas zbatimit të koncesionit të nderë të hemodializës me vlerë rreth 80 milionë euro, Ogerta Manastirliu dhe drejtorët e saj kopsisin ditë e natë letrat për të kaluar në llogaritë e oligarkut Klodian Allajbeut dhjetëra miliona euro nga paratë publike, përmes tenderave klientelistë, gjithnjë me diferencë qesharake mes fondit limit dhe ‘ofertës fituese’ të paracaktuar në skuta pa kamera.
Allajbeu i përfiton paratë publike kryesisht përmes kompanisë Evita shpk., të cilën fillimisht e pati regjistruar në emrin e kushërirës së tij në Berat, Majlinda Fetiu, ndërsa më pas e kamufloi me kompani të tjera që zgjaten dhe ndërlidhen nga Tirana deri në Holandë.
Ndërkaq, dokumentet tregojnë se Ogerta Manastirliu dhe grupi i saj me dosje në SPAK, sabotojnë dhe degradojë qëllimisht vit pas viti shërbimet në sektorin publik me qëllim që këto shërbime të ofrohen nga spitali privat i Klod Allajbeut, kuptohet duke ndarë interesa të fuqishme financiare. Jo rastësisht, nga viti në vit, spitali i Allajbeut zgjeron shërbimin e dializës, duke iu mbivendosur gradualisht shërbimit spitalor publik.
Kujtojmë se Allajbeu ka futur në xhep 1 milionë USD pa nisur ende punën, pa bërë asgjë, me koncesionin e nderë të hemodializës, të cilin e ka marrë përmes kompanisë ‘DiaVita’. Shqiptarët paguajnë taksa për shërbimin spitalor publik, shërbim i cili i delegohet më pas oktapodit Allajbeu me kosto më të lartë, pa konkurrencë dhe me kontrata korruptive.
Ironia qëndron në faktin se Manatirliu e ka deleguar shërbimin për të sëmurët me veshka tek Spitali Amerikan për kushte më të mira, ndërkohë që pacientët janë ankuar për kushtet më skandaloze se sa në sektorin publik.
Jo vetëm kaq. Edhe trajtimi dhe asgjësimi i mbetjeve spitalore i është besuar njërës prej duarve të errëta të Klod Allajbeut.
Bëhet fjalë për Arbër Teqjan, një personazh kontrovers dhe i lidhur me skemat e vjedhjes së parave publike, përmes recetave fiktive, të rimbursuara nga FSDKSH, organ i cili komandohet nga ministrja Manastirliu dhe që vetëm gjatë viteve të fundit ka ndryshuar të paktën 11 drejtorë/e, ashtu si hipoteka e Vlorës, që të gjithë të emëruar në shkelje të ligjit.
Arbër Teqja kontrollon kompaninë Eco Riciklim, e cila ka lidhur 38 kontrata të dyshimta për gjoja asgjësimin e mbetjeve spitalore. Sipas një dosje me fakte tepër shqetësuese, nuk ekzistojnë dokumente që të vërtetojnë procesin fundor të asgjësimit të mbetjeve nga kompania Eco Riciklim.
Mbetjet spitalore shfaqen nëpër fusha, përrenj, kazanë plehrash etj., duke ngritur dyshime të forta për krim kundër mjedisit dhe shëndetit, çka implikon edhe Ministrinë e Shëndetësisë si autoritet që mbikëqyrë zbatimin e kontratave, por edhe agjencitë e fjetura për mbrojtjen e mjedisit.
Këtë kompani Allajbeu ia ‘besoi’ fillimisht Fatos Deliut, një personazh me lidhje misterioze në Itali dhe që del në pah në koncesionin tjetër skandaloz, atë të stelizimit me vlerë 100 milionë euro si dhe në tenderat e lavanderisë së spitaleve. Fatos Deliu kontrollon pjesërisht koncensionin e sterelizimit me kompaninë fantazmë Servizi Italia me adresë pikërisht tek spitali i oktapodit Allajbeu.
Nga ana tjetër, Arbër Teqja funksionon si maska e qarkullimit dhe menaxhimit të parave të dyshimta të Allajbeut, ndërsa ndajnë bashkë pasionin e kalërimit. Klodian Allajbeu është edhe drejtor ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Sporteve me Kuaj si dhe administrator i Organizatës Kombëtare Antidoping.
Pista e hipizmit është pjesë e resortit “Equos Resort” në Mullet të Tiranës, ku dyshja kanë rreth 20 kuaj. Resorti ka një sipërfaqe mbi 100 mijë m2, ku përfshihen edhe 7 pishina gjigante, suita, restorante etj., ngritur me para me burim të paqartë dhe që është monitoruar për punë të liga.
Resorti me vlerë miliona euro administrohet nga Arbër Teqja, ndërsa pronar në hije dyshohet se është pikërisht ustai i tij Klodian oktapodi, kamufluar me dy personazhe anonimë.
Sigurisht që Arbër Teqja është vetëm një nga personazhet e rrethit të dytë në serialin e përfitimit të parave të shëndetësisë nga Klodian Allajbeu.
Ogerta Manastirliu ka licencuar në mënyrë të paligjshme edhe laboratorin privat “ALNET” të Spitalit Amerikan të Klodjan Allajbeut për kryerjen e testeve të shpejta anti-Covid. Laboratori i Allajbeut nuk ishte akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit. Megjithatë, lëvizja e Manastirliut i ka sjellë oktapodit miliona euro të ardhura.
Edhe afera me testet e shpejta mbetet thjeshtë një shenjë në mozaikun e vjedhjeve Allajbeu-Manastirliu. Mbi 10 milionë USD tendera të dyshimtë ka marrë oktapodi Allajbeu nga dora e Manastirliut për blerje maskash anti-covid 19, me kompanitë që kontrollon drejtpërdrejt dhe në mënyrë të tërthortë. Tendera me vlerë dhjetëra milionë euro ka rezervuar Manastirliu për Allajbeun për shërbime të tjera si medikamente, testet jo të shpejta për covid, pajisje etj., me garë formale dhe pa garë fare, por gjithnjë pa cenuar parimin e diferencës qesharake me fondit limit dhe ofertës fituese.
Do të ishte e befasuese nëse Allajbeu nuk do të kishte lidhje interesash të arrëta me një ikonë të tenderave të dyshimtë në shëndetësi. Ai është Rasim Hamzaraj, i njohur me pseudonimin Luço, pronar i kompanisë “Megapharma”. Hamzaraj, një nga klientët e Manastirliut, është djali i dajës së Petrit Vasilit. Ky i fundit, i certifikuar si politikani më pak i votuar në Shqipëri, nuk flet kurrë për mënyrën e menaxhimit të parave në shëndetësi!
Ndërkaq, është e natyrshme lidhja e ngushtë e Klod Allajbeut me personazhin kontrovers, greko-shqiptarin Janis Karathano, një nga përfituesit më të mëdhenj të parave publike në shëndetësi, me anë të një rrjeti kompanish të përfshira në aktivitet kriminal në Spanjë.
Krahas tenderave klientelistë, Karathano ka marrë nga Manastirliu në mënyrë të paligjshme koncensionin e laboratorëve në 18 spitale publike, me vlerë 104 milionë euro. Banka Botërore kërkoi që ky koncesion të mos i jepej Karathanos, pasi kompanitë e tij ishin të skeduara për aktivitet kriminal, por Manastirliu e kishte ndarë mendjen!
Emri i Klodian Allajbeut del në pah edhe në dokumentet e përgatitua për të marrë një tender me vlerë miliona dollarë në Zimbabve, një oaz korrupsioni po aq i famshëm sa edhe Shqipëria. Allajbeu u identifikua nga autoritetet e vendit afrikan si drejtor i kompanisë Papi-Pharma, e lidhur me kompanitë e të famshmit Ilir Dedja, i përfshirë në aferën e tenderit 60 milionë dollarë në Zimbabve, që çoi në arrestimin e ministrit të Shëndetësisë në Zimbabve, Obadiah Moyo.
Tenderi që donte të merrte Allajbeu dështoi për shkak të frikës së presidentit Emmerson Mnangagva se qeveria turke do të informohej dhe për rrjedhojë do të zemërohej, pasi Allajbeu është skeduar nga autoritet turke si pjesë e një lëvizje të shpallur si terroriste.
Pronar në letra i kompanisë Papi-Pharma është vëllai i deputetit Alqi Bllako, Taned Bllakon. Klodian Allajbeu është ortak me Taned Bllakon në kompaninë Alned 91, me adresë në një fabrikë të prodhimit të birrës në Ersekë.
Sigurisht këto janë vetëm disa nga fijet e rrjetës së Klodian Allajbeut mbi Ministrinë e Shëndetësisë dhe degët e saj.
Dhe ju çuditeni se si paguan Baton Haxhiun me 18 milionë lekë në muaj. Si i paguan tufë analistësh, gazetarë që i përdor si topa balte, ish gjyqtarë të korruptuar, sekserë, fëmijë politikanësh, moderatore, modele etj.