Ajo që ndodhi në dyert e SPAK, mes gazetares Klodiana Lala dhe individit që keto 30 vite ka rolin më të spikatur në teatrin shqiptar të hipokrizisë, mashtrimit, marrëzisë dhe manipulimit politik, është pak të quhet skandaloze.
Përpjekjes së gazetares për ta pyetur rreth akt-akuzës (ishin në dyert e SPAK), përpjekjes së gazetares që të mos shpenzonte kohën e saj dhe të kolegëve duke dëgjuar prej tij broçkullat e përhershme, përpjekjes së gazetares për të respektuar veten dhe profesionin, dhe jo për të qenë një kukull druri që mban një mikrofon, ky i fundit iu përgjigj me kërcënime të hapura “Ki kujdes” Ta tregoj unë ty”, etj(!)
Vëreni me kujdes në videon e përhapur në media dhe rrjete sociale, sa të pamundur e ka ky individ të sillet si çdo qytetar normal i këtij vendi. Jo, ky nuk mund të merret i pandehur! Këtij nuk mund t’i bësh pyetjet që duhen, por vec ato që do ky.
Qytetari i mbizakonshëm, i mbiligjshëm dhe i plotfuqishëm, me emrin Sali Berisha, ka rënë nga qielli. Ai bën shiun dhe diellin, të ngrohtit dhe të ftohtit. Ai është apostulli i moralit në përgjithësi dhe peshuesi i moralit të çdo shqiptari në veçanti, gjyqtar, prokuror, politikan apo qytetar i zakonshëm qoftë ai.
Ai ka skeptrin e Gjyqtarit Suprem, i cili jo vetëm nuk mund të akuzohet e gjykohet nga të tjerët, por ka edhe të drejtën e vendimit përfundimtar të gjykimit dhe shpalljes “kriminel, i pamoralshëm, i paligjshëm” të kujtdo që i del përballë.
Heshtja e kolegëve të pranishëm të Klodianës janë dëshmi e batakut moral dhe profesional ku noton sot media shqiptare. Brohorimat e atyre që inkurajonin “liderin” ndërsa fyente dhe kërcënonte hapur gazetaren, hyn tek ato fenomene dhe sjellje të shoqërisë sonë që të ligështojnë dhe shkurajojnë. Si mundet që shumica e anëtarësisë së partive kryesore politike hesht, pajtohet apo miraton veprime amorale dhe shpesh haptazi kriminale të drejtuesve apo figurave kryesore politike shqiptare? Si mundet një anëtarësi e PD-së të mbajë si idhull të vetin një bandit që tridhjetë vjet me radhë ka guxuar të mos përfillë thuajse asnjë parim moral të shoqërisë shqiptare, asnjë kod zakonor e penal? Si mundet që asnjë anëtar apo drejtues i PS-së të mos kundërshtojë jo pak veprime të padrejta dhe të dyshimta të qeverisjes aktuale?
Për fat të keq, nuk është hera e parë që kërcënimet e hapura dhe fyerjet tribaleske mesjetare të këtij individi në vend që të përbuzen dhe të dënohen, janë kaluar me buzëqeshje, apo akoma më keq, me duartrokitje. Problemi nuk është vetëm te përpjekja patetike përballë mikrofonëve të zgjatur për ta paraqitur veten si flori 24 karatësh dhe kundërshtarët politikë si e keqja më e madhe e Shqipërisë. Problemi është që përballë këtij vulgu, konstitucioni ynë moral dhe pjekuria jonë shoqërore e qytetare shfaqen në vijimësi, në një gjendje të vajtueshme.
Gjithkund dhe gjithmonë politika ka qenë e infektuar dhe e përzier me gënjeshtrën dhe hipokrizinë, por kur mendon njeriu i zakonshëm se sa i madh është guximi dhe pafytyrësia e shumicës së politikanëve shqiptarë, djathtas e majtas, për të na gënjyer e manipuluar në kushtet e lirisë së fjalës dhe bollëkut të medias, merret lehtë me mend se çfarë përmasash alarmante dhe të dëmshme do të merrte mashtrimi i tyre ndaj nesh në kushtet e para ‘90. Këta banditë dhe sharlatanë, që nuk pushojnë asnjë çast pa mallkuar shformimet e së kaluarës, do të ishin treguar shumëfish më të padenjë, pa moral dhe pa skrupuj sikur t’iu ishte dhënë mundësia të sundonin në kushtet e partisë-shtet.
Burracakëria, mungesa e thuajse çdo parimi, etja për pushtet dhe pasuri, mashtrimi, mungesa e çdo ideali, përqeshja e virtytit dhe lartësimi i vesit, përdorimi i standardeve të shumëfishta në përcaktimin e të drejtës dhe moralshmes, gatishmëria për të sakrifikuar të ardhmen për hir të së sotmes dhe Shqipërinë për hir të shtëpisë së tyre apo “fisit politik”, mungesa e integritetit moral dhe e personalitetit në sjelljen dhe veprimet publike janë vetëm disa nga “vlerat” e shpërfaqura parreshtur në skenën politike shqiptare përgjatë tridhjetë viteve të fundit.
Janë të shumtë ata që nuk e kanë atë kurajo që dëshmoi dje Klodiana. Janë të rinj dhe nuk bëhesh gazetar vetëm pse mban një mikrofon në duar. Por një dukuri më shqetësuese se kjo kategori e medias së sotme, është shndërrimi i disa gazetarëve dhe analistëve të hershëm në mbështetës të politikanëve të korruptuar. Në shpirtin, mendjet dhe gojët e tyre nuk ka as idealizëm, as parimësi dhe as moral. Ata janë të pamoralshëm, jo pse janë kundër qeverisjes aktuale por sepse duan që një qeverisje me shumë gabime dhe të meta ta zëvendësojnë me njerëz po aq të korruptuar, të diskredituar dhe pandëshkuar; me kriminelë të njohur politikë dhe ordinerë, madje duke na i paraqitur si “shpresa e vetme për vendin”.
Nuk mund të ketë perspektivë më të zymtë për një popull se atëherë kur mëkatarët e djeshëm paraqiten si shpëtimtarët e sotëm, kur ligjshkelësit e papenduar dhe të pandëshkuar vetëofrohen si baballarët e drejtësisë, kur nëpërkëmbësit më të mëdhenj të interesave popullore rrëmbejnë mikrofonët e zëdhënësve të këtyre interesave, kur varrmihësit e parimeve demokratike vetëshpallen si tribunë të demokracisë.
Përballë një qeverie që është larg nivelit të kërkuar intelektual dhe administrues, ende larg interesave kryesore të shtresave shoqërore që e kanë sjellë në pushtet dhe për të cilat duhet të kujdeset më së pari, përballë një qeverisjeje më shumë fasadiste se rezultative dhe të dyshuar për akte korruptive ndodhet, fatkeqësisht, një vrasës dhe shantazhues ordiner si ai qe pame dje perballe nje gazetareje qe donte te respektonte veten dhe profesionin.



