Çmimet e larta të cilat rënduan në xhepat e qytetarëve shqiptarë përgjatë vitit 2022, janë përkthyer në më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Referuar treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, gjatë vitit që lamë pas, janë arkëtuar 62 miliardë lekë apo 538 milionë euro më shumë se në vitin 2021. Kështu të ardhurat totale arritën në 572.7 miliardë lekë. Vetëm nga TVSH-janë në import që lidhet drejtpërdrejt me rritjen e çmimeve si dhe TVSH neto qe mblidhet nga konsumi në vend, rezulton të jenë arkëtuar në total 29.9 miliardë lekë apo 33.7 për qind më shumë se viti 2021.
Pra e thënë ndryshe, nga të ardhurat e rritura gjatë vitit 2022, TVSH-ja ka kontribuar me 48.2 për qind, ndërsa pjesën tjetër e përbëjnë zërat e tjerë. Megjithatë në raport me planin vjetor 2022 të hartuar nga Ministria e Financave, rezulton se të ardhurat nga TVSH në import dhe neto janë realizuar 8.9 për qind më pak dhe kjo lidhet më së shumti më planifikimin më shumë se ç’duhet optimist në hartimin fillestar të buxhetit.
Sipas të dhënave të Financave, të ardhurat doganore u realizuan në masën 223.1 miliardë lekë, 30.2 miliardë lekë me shumë se viti 2022 si dhe 0.2 për qind më pak se plani.
Ndër të ardhurat doganore të gjithë zërat kanë njohur rritje krahasimisht me vitin 2021 më por jo në raport me planin. Konkretisht nga TVSH u arkëtuan 156.9 miliardë lekë, nga akciza u arkëtuan 53.6 miliardë lekë, renta minerare 4.2 miliardë lekë, taksat doganore 8.4 miliardë lekë.
Të ardhurat tatimore u realizuan në masën 286.3 miliardë lekë, 34.8 miliardë më shumë se 2021 dhe 1.8 për qind më pak se plani. Konkretisht, nga TVSH neto u arkëtuan 34.5 miliardë lekë, nga tatimi mbi fitimin 47.7 miliardë lekë, nga tatimi mbi të ardhurat personale 45 miliardë lekë, nga taksat nacionale u mblodhën 40.6 miliardë lekë si dhe nga Kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore 118.5 miliardë lekë .