Nga Migena Aleksi
Pati një si përplasje këtë të premte mes kryeministrit dhe një gazetari të njohur. Në këtë formë që u zhvillua kjo “përplasje”, më shumë foli për gjendjen e transparencës publike sesa për udhëtimet e kujtdo.
Njëri pretendon se ka “fakte”, por nuk i nxjerr. Tjetri i mohon kategorikisht, pa ofruar asgjë më shumë se fjalën e tij.
Publiku mbeti mes dy narrativave, pa përgjigje. As dokumente, as sqarime zyrtare. Në këtë pikë, ky publik, me të drejtë mban distancë nga të dy.
Gazetaria, sidomos në nivele kaq të nalta, nuk mund të mbështetet te insinuata. Por as pushteti, te mohimi absolut apo te sulmet personale.
Ndaj debati rrëshqiti shpejt në retorikë.
Ironia është se, ndërsa flitet për udhëtime, të dy protagonistët njihen pikërisht për jetën e tyre mes avionëve, hoteleve dhe studiove televizive. Njëri si kryeministër global, tjetri si gazetar ndërkombëtar.
Në çdo rast, në mungesë të fakteve, mbetet shqetësimi publik nëse ajo që u përfol për ministrat është e vërtetë apo jo. Përgjigjja nuk mund të jetë as thashethemi mediatik, as batutat me kripë të pushtetit.
Sipas neve ‘ziliqarëve’, por edhe pjesës tjetër të opinionit publik, kush udhëton le të udhëtojë, por llogaridhënia duhet të zbresë në tokë. Kërkohet transparencë, jo replika nga gate-t e tranzitit.
Ndryshe këto janë përplasje egosh, ose si me thënë, zhurmë në ajër.



