Fiksimi i çmimeve të karburanteve nga Bordi i Transparencës po krijon pasoja në tregun e karburanteve, nga falimetimi i kompanive të vogla, mbajtja e çmimeve artificialisht më të larta sesa do të ishin nëse operatorët do të manovronin vetë në treg dhe sidomos po çon në një evasion masiv në rrethe, përmes deklarimeve më të ulëta të sasive të shitura.
E para është mbyllja e kompanive të vogla, që nuk po arrijnë të mbijetojnë përballë ndryshimeve të shpeshta të çmimeve nga Bordi. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve bëri të ditur për Monitor se 83 stacione shitjeje në periferi nga Shkodra në Kukës, Pogradec, Dibër etj janë mbyllur tashmë. Rreth 100 pika të tjera furnizohen një herë në tre javë dhe po mbijetojnë me zor. Këto përbëjnë të paktën 10% të pikave totale të karburantit në vend.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve tha se nëse vazhdon kjo situatë rrezikohet dhe furnizimi me naftë nga importi, pasi askush nuk po negocion kontratë të re. “Kapitali qe duhet për punë është 3 fishuar, bankat dhe fondet ndërkombëtare që mbulojnë çmimin e naftës në bursa kanë rritur kostot, pasi me luhatjet e tregut është rritur shumë rreziku i falimentimeve dhe janë 3- 4 fishuar primet. Bordi ynë nuk i njeh këto dhe as shumë elementë që po aplikohen mbi çmimin Platz, ndërsa operatorët e shpërndarjes po luajnë për cent”.
Nëse nuk do të ndërhynte Bordi, çmimet do të ishin 10-15 lekë më lirë për litër
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve thotë se nëse nuk do të kishte ndërhyrje nga Bordi, çmimet sot do të ishin të paktën 10-15 lekë për litër më pak sesa janë aktualisht. “Kompanitë kanë përvojë me çmimet dhe manovrojnë kur ai luhatet në +- 150 – 200 $/toni dhe nëse çmimi bie do të blinin më shumë, duke arritur që të benin mesatarizime të kostove. Por, me ndërhyrjet që bën sot Bordi, që sapo ulet në Bursë i ul çmimet, të gjithë po mbyllin vetëm nevojat ditore, sepse po ra akoma, kompanitë dalin me minus”.
Shoqata tha se operatorët prisnin që Bordi të bënte transparencë mbi çmimin, duke treguar koston e një litri naftë (Çmimi Platz në dollar, kursi, premium, taksat kombëtare, taksat locale, shpenzimet operative të mbështetura në dokumente ligjore kontabël), çka sipas tyre do të lehtësonte dhe spekulimet dhe sqaronte paradokset në treg.
Sipas vendimit të fundit të Bordit, të datës 18 qershor, çmimi me pakicë i naftës shtë 261 lekë për litër, afër niveleve rekord maksimale prej 265 lekë për litër. Në krahasim me fundin e muajit shkurt, përpara fillimit të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, çmimet janë 34% më të larta. Bordi u krijua në fillim të muajit mars, pasi nafta në tregun vendas arriti në 235 lekë për litër në ditët e para të luftës.
Po rritet evazioni?!
Operatorë të tregut pohuan për Monitor se fiksimi i çmimeve nga Bordi po ndikon në rritjen e evazionit tek karburantet, sidomos në rrethe. Sipas një prej financierëve të këtyre kompanive evazioni po bëhet me sasitë e deklaruara dhe në rrethe kjo dukuri po bëhet massive.
Sipas operatorëve, ndryshimi i çmimeve po i falimenton të vegjlit, se nëse kanë gjendje me çmim të lartë dhe Bordi ditën tjetër ul çmimin, kjo po bën që ata të manovrojnë me sasitë e deklaruara në pompa.
Bie konsumi
Për të gjithë 5- mujorin importet e naftës shënuan rënie me 6% dhe i gjithë fenomeni u përqendrua në tre muajt e fundit mars-maj, pasi nisi lufta në Ukrainë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, importet e naftës shënuan në muajin maj rreth 44 mijë tonë, nga më shumë se 54 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2021, me rënie 18%. Kjo ishte rënia më e fortë në krahasim me dy muajt paraardhës.
Operatorët e tregut pohojnë se konsumi po bie çdo ditë. Diferenca nga Shkodra në Mal të Zi është gati një euro dhe shumë makina furnizohen përtej kufirit (edhe me shtetet e tjera kufitare, përveç Greqisë, ka diferenca të larta të çmimeve për litër të naftës). Edhe turizmi i fundjavës nuk po ndikon në shtimin e konsumit, pasi të gjithë vijnë me serbatorët plot dhe pritshmëritë janë të ulëta edhe për sezonin e verës.
Operatorët thonë se nëse nafta do të lehtësohej nga taksat, të paktën për tre muajt e verës, kjo do të ndikonte në uljen e çmimeve, ndërsa shteti do të arrinte të kompensohej përmes shtimit të konsumit, uljes së evazionit, duke ruajtur njëkohësisht dhe vendet e punës në pikat e karburanteve që me kushtet aktuale rrezikojnë falimentin.