16.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Si shkoi Ervin Salianji në “prehrin” e Berishës

    Politika shqiptare ka prodhuar shumë personazhe, të cilët do të mbahen mend për bëmat dhe gjëmat e tyre.

    Një ndër këto personazhe, është edhe Ervin Salianji, i njohur ndryshe edhe si “Babale”.

    Përtej bëmave dhe gjëmave të tjera, ka dy ngjarje, dy skandale, ku del emri i Ervin Salianjit.

    Së pari, kujtojmë këtu video-skandalin erotik në parlament, ku Ervin Salianji u kap duke shkëmbyer mesazhe perverse nga salla e Kuvendit, me një person të quajtur G.D., por që më pas në media u identifikua si Grida Duma.

    Më pas një tjetër skandal, çështja “Babale”, sërish del emri i Ervin Salianjit.

    Në vitin 2018, Partia Demokratike filloi një aksion denoncimesh të njëpasnjëshme në drejtim të ministrit të Brendshëm, në atë kohë, Fatmir Xhafaj.

    Një aksion që në fillim u duk i mirëorganizuar. PD solli me fakte dhe dokumente, provat që tregonin se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge.

    Por, “zjarri” i ndezur u fik, kur në skenë doli “Babalja”, apo i ashtuquajturi “Dëshmitari X”. PD publikoi një audio-përgjim, sipas të cilit pretendohej se Agron Xhafaj drejtonte trafikun e lëndëve narkotike.

    Në audio-përgjim shfaqej shtetasi Albert Veliu, apo i ashtuquajturi “Babale”, i cili pretendohej se shfaqej në një bisedë me Agron Xhafaj, duke bërë pazare droge.

    Ervin Salianji “rrihte gjoksin” në korridoret e PD-së, se ishte ai që siguroi audio-përgjimin. Por, që më pas u tregua se gjithçka ishte një inskenim.

    Por, bëmat e Salianjit, nuk mbarojnë.

    Në shtator të vitit 2021, kur Lulzim Basha me një vendim personal, i mbyllur në zyrën e tij dhe i pakonsultuar me strukturat e partisë, përjashtoi ish-kryeministrin Sali Berisha, nga grupi parlamentar i PD.

    Salianji ishte nga ata që u rreshtua në krah të Bashës. Për më tepër ai theksonte se “Ky vendim është marrë, është për t’i dhënë mundësi PD-së që të vijë në pushtet, interesit të demokratëve. Mos partneriteti me SHBA-të e penalizon atë. Deklaratat e ambasadores janë optimiste për Partinë Demokratike”.

    Në tetor 2021, kur Berisha kishte nisur levizjet e tij, “Foltoren” me demokratët, Salianji deklaronte në një studio televizive se nuk do t’i bashkohej “Foltores” në Korçë, edhe po të kishte një ftesë.

    Nëse do kisha ftesë për të qenë në një aktivitet politik, në këtë situatë nuk do të isha. PD fiton vetëm duke qenë partnere me SHBA, kurrsesi të dalim ndesh me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara.”-deklaronte Salianji në atë kohë.

    Vimë më pas në protestën e 8 Janarit 2022. Ervin Salianji ishte brenda godinës së PD. Ishte ai që u fotografua me shkop në dorë, dhe që dyshohet se ka dhunuar demokratët para selisë së PD.

    Edhe në lidhje me zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit, Ervin Salianji deklaronte se grupi i Bashës do fitonte gjashtë bashkitë.

    “Ne do të dalim të parët, do të fitojmë 6 bashkitë. Partia Demokratike do të fitojë 6 bashkitë në të cilat është në garë. Partia Demokratike ka marrë aq vota sa me gjithë represionin, me gjithë blerjen, me gjithë masakrën zgjedhore, diferenca është shumë më pak se sa votat e pavlefshme se sa mandatet e atyre që janë non grata”, deklaroi Salianji në atë kohë.

    Pas 6 Marsit, ku grupi i Bashës humbi në mënyrë të turpshme, ku jo vetëm që nuk morën asnjë bashki, por u katandisën forcë e tretë politike, Ervin Salianji “kapërcen ylberin”.

    Del kundër Bashës, dhe i kërkon këtij të fundit të japë dorëheqjen nga drejtimi I PD. Edhe pse në fakt ishte shkarkuar nga Kuvendi I 11 Dhjetorit 2021, të cilin nuk e njihte Salianji &Co.

    Por, pasi doli kundër Bashës, “Babale” tashmë duket se ka ngrënë “turpin me bukë”, dhe është bashkuar me Berishën.

    Komisioni për Rithemelimin e PD, i njohur tashmë edhe me vendim gjykate si organi i vetëm drejtues i PD, deri në Kuvendin e ardhshëm, po zhvillon zgjedhjet për kryetarët e degëve.

    Dhe tashmë ka ndodhur “çudia”. Ervin Salianji është hedhur në “prehrin” e Berishës, edhe pse vetë e deklaronte se “cënon partneritetin me SHBA”.

    Tashmë Ervin Salianji, është bërë pjesë e procesit zgjedhor, që po zhvillon Komisioni i Rithemelimit të PD, ku pjesë është edhe Berisha.

    Një gjë e tillë dje është konfirmuar një ditë më parë nga deputeti Luan Baçi.

    Baçi, në emisionin “Now” në “Euronews Albania”, bëri me dije se Salianji është i angazhuar me seksionet dhe grup seksionet e partisë në Korçë.

    “Kam folur me mikun tim dhe deputetin Ervin Salianji. Është në Korçë dhe është bërë pjesë e procesit zgjedhor. Vazhdon të merret me seksionet dhe grupseksionet. Më ka thënë që është në një proces zgjedhor ku ishin zgjedhur dy kryetarë grup seksionesh”, u shpreh Baçi.

    Pra, “Babalja”, tashmë i turpëruar i harroi “non-gratat” dhe kërkon strehim në “prehrin” e Berishës, edhe pse vetëm disa muaj më parë, ishte kundër këtij të fundit.(CNA)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit